Pasi dështoi në pengimin e votimit të projektligjit që i hap rrugë shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, shpresën e radhës Lulzim Basha e ka tek Presidenti Ilir Meta.
“I bëjmë thirrje Presidentit të mos e dekretojë ligjin. Është antikushtetues, ligjëron vjedhjen për të ndërtuar 6 kulla betoni. Qëllimi kryesor i projektit është pastrimi i parave të krimit dhe drogës”.
Në të kundërt paralajmëron përballje dhe masa ekstreme siç është edhe diegia e mandateve të deputetëve të Partisë Demokratike.
“Të jeni të sigurt se jemi të vendosur t’i ndjekim hap pas hapi të gjitha etapat dhe opsionet, ku djegia e mandateve është opsioni më i lehtë. Do mbështesim dhe do t’i bashkohemi pa asnjë hezitim çdo akti të paralajmëruar nga artistët në ambientet e teatrit dhe kudo. Bashkë nuk ka njeri që mund ta shembë teatrin. Betejë në rrugë e në sheshe”.
Në këtë situatë, ambasadorëve u kërkoi të mos rrinë indiferentë.
“Ju bëj thirrje ambasadorëve të vendeve partnere, ja ku e keni një veprim të pastër të pastrimit të parave, ja ku e keni një tufë me peshq të mëdhenj, nëse nuk flisni sot nuk ka për t’iu besuar askush nëse flisni nesër”.
Mungesën e tij që ra në sy të medias gjatë ceremonisë së lamtumirës së dy ambasadorëve, atij amerikan Donald Lu dhe asaj të BE-së, Romana Vlahutin, kreu i demokratëve i pyetur nga gazetarët e justifikoi me angazhimin e tij në seancë plenare teksa debatohej projektligji për Teatrin Kombëtar.
Tv Klan