“Jynneos”, injeksioni i miratuar në 2019-ën në SHBA
Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve publikoi këtë të martë rekomandimet e saj nga grupi i pavarur i ekspertëve mbi përhapjen e lisë së majmunit.
Sipas saj duhet të vaksinohen fillimisht vetëm stafet mjekësore që punojnë ngushtë me studimet mbi virusit dhe pacientët e prekur.
Do të jetë vaksina “Jynneos”, e cila është miratuar në SHBA përgjatë vitit 2019, ajo e cila do të përdoret fillimisht për vaksinimin e stafeve mjekësore. Rajoni i Kebekut në Kanada është i pari që po ofron vaksinim ndaj Lisë së Majmunit për të gjithë ata që kanë pasur kontakte të afërta me të infektuarit.
Lia e majmunit dyshohet se ka prekur tani më rreth 300 persona në të gjithë botën ku shumica e rasteve janë identifikuar në Britaninë e Madhe dhe Spanjë.
OBSH është shprehur se vendet duhet të ndërmarrin hapa të shpejtë për të frenuar përhapjen e virusit nëpërmjet marrjes së masave paraprak. Sipas OBSH vendet duhet të ndajnë të dhënat e tyre mbi numrin e rezervave vaksinale që kanë.
Sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar personat e infektuar me linë e majmunëve duhet të shmangin çdo kontakt me kafshët e tyre shtëpiake për 21 ditë. Virologët kanë deklaruar se do të ishte shqetësuese përhapja masive e virusit edhe tek kafshët.
Tv Klan