Alexander Lukashenko fitoi për herë të shtatë mandatin si president i Bjellorusisë. Sipas exit polleve ai ka marrë 87.6% të votave, të dhëna këto nga sondazhet e një televizioni shtetëror bjellorus.
Komisioni Zgjedhor tha se pjesëmarrja ishte 81.5% në zgjedhje, në të cilat 6.9 milionë njerëz kishin të drejtë të votonin.
Mediat ndërkombëtare bënë të ditur se procesi u karakterizua nga mungesa e entuziazmit. Edhe vetë Lukashenko nuk ka qenë i pranishëm në fushatën elektorale përballë 4 rivalëve thuajse të panjohur, duke u justifikuar se ka qenë shumë i zënë me punët e qeverisjes së vendit.
Lukashenko, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, ka udhëhequr vendin që nga viti 1994. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian thanë në prag të zgjedhjeve se nuk mund të kishte proces të lirë dhe te drejtë, sepse mediat e pavarura janë të ndaluara në Bjellorusi dhe të gjitha figurat kryesore të opozitës janë burgosur dhe ku 300 mije persona janë detyruar të ikin jashtë vendit.
Vete 70-vjeçari i konsideruar si diktatori i fundit i Europës tha se Bjellorusia kishte një “demokraci të ashpër” ku gjithëkujt i lejohet të thotë mendimin e tij. Ndërsa ironizoi burgosjen e kritikëve, duke thënë se ata e kishin zgjedhur vetë këtë fat.
Tv Klan