Kryekomisioneri i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe kryeprokurori Olsian Çela kanë diskutuar mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
“Krimet zgjedhore kanë qenë vazhdimisht prioritet institucional për ndjeshmërinë që ka publiku por edhe për nevojën që sistemi i drejtësisë penale, sistemi i prokurorisë të jetë efiçent sa i përket zbatimit të ligjit sa herë që ndeshemi me fenomene të krimit në këtë fushë. Padiskutim që ka shumë për të bërë, mund të bëhet dhe më mirë. Institucioni i Prokurorisë është përpjekur të bëjë brenda mundësive dhe vështirësive që ka kaluar, të bëjë maksimumin e saj sa i përket hetimit të krimeve zgjedhore. Ka raste të suksesit në hetime, ashtu siç ka dhe gjëra që nuk kanë shkuar mirë”, u shpreh Olsian Çela.
Sipas tyre, megjithë sukseset e arritura në luftën kundër krimeve zgjedhore, ka ende shumë hapësirë për përmirësime.
“Unë dakordësohem së bashku për të ndërtuar një protokoll të koordinimit, pra, nuk e shikojmë të nevojshme hartimin e një marrëveshje, por thjesht të ndërtojmë një protokoll të komunikimit dhe të bashkëpunimit të dy institucioneve. Secili duke ruajtur fushën e vetë të përgjegjësisë për ta adresuar, për aq sa mund ta adresojmë bashkarisht, problematikat e procesit zgjedhor”, tha Ilirjan Celibashi.
Këto institucione po bashkëveprojnë edhe me Policinë e Shtetit për forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe fizike për sigurinë e procesin zgjedhor, duke mundësuar që çdo krim zgjedhor të hetohet dhe ndiqet penalisht pa vonesë.
Klan News