Mesnatën e sotme mbyllet afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë të partive politike.

Sali Berisha, në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike ku do të votohen listat e kandidatëve për deputet, tregoi prapaskenat për përgatitjen e listave në kampin rival, atë të Partisë Socialiste.

Sipas Berishës, socialistët janë zëvendësuar në lista me personazhe të botës së krimit dhe persona të tjerë pa kontribute politike.

Kryedemokrati foli edhe me emra konkretë.

“Ekipi Rama-Lubi Balluku po përcakton kandidaturat tërësisht në bashkëpunim me klanet e krimit në Shqipëri. Janë flakur edhe socialistët e fundit që kishin mbetur në atë parti dhe janë zëvendësuar me eksponentë të botës së krimit apo kushërinj, kushërira, etj, etj. Kërcënimi është metoda bazë e përcaktimit në lista të deputetëve. Kështu, në rast se Rama dëshironte që të lante duart me Gjiknurin, Gjiknuri i çoi një zarf jo me para, por me fotot e McGonigalit. Dhe Gjiknuri u rikthye në lista.

Dhashë këtë shembull se si po caktohet lista në krahun tjetër. Mund t’u sjell edhe shembuj të tjerë plot se si famëzi Ceno Klosi përjashtoi socialistin asnjëherë të mençur, Petro Koçi”, tha ndër të tjera Sali Berisha.

Pas fjalës së Berishës, mbledhja e Kryesisë së PD u zhvillua me dyer të mbyllura ku do të miratohet lista me kandidatët për deputetë të koalicionit “Shqipëria Madhështore” që udhëhiqet nga Partia Demokratike dhe përbëhet nga 25 parti.

/tvklan.al