Klan News ka siguruar dosjen hetimore të vrasjes së Fatbardh Licit në Gusht të 2018 në qytetin e Shkodrës. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë kapur itinerarin që ka ndjekur automjeti i përdorur nga autorët.

Sipas dosjes hetimore SPAK deklaron se Asmer Bilali dhe Safet Bajri janë nisur mëngjesin e datës 10 Gusht të 2018-ës nga Tirana për në Shkodër. Ata janë nisur herët pasi në orën 06:11 minuta janë filmuar nga kamerat në qytetin e Lezhës.

Bashkë me ta sipas hetuesve ishte dhe Eria Ago, e cila ndodhej në drejtimin e mjetit, në atë kohë e dashura e Safet Bajrit, tashmë e arrestuar prej disa ditësh.

Pasi kanë mbërritur në Shkodër, Bajri dhe Bilali kanë marrë një makinë tjetër me ngjyrë gri dhe janë nisur për të kryer krimin në lagjen Kiras, ku ndodhej viktima në një lokal. Pas ekzekutimit të Licit, ata janë larguar drejt zonës së Dobraçit dhe aty në një lokal ka zbritur Safet Bajri, ndërsa Astmer Bilali ka djegur makinën.

Sipas hetuesve, Bilali më pas foli në telefon me Eria Agon për të caktuar vendin e takimit, dhe më pas u nisën për në Tiranë e më pas për në Vlorë. Mjeti i përdorur nga Ago sipas hetimeve ishte i Safet Bajrit, i cili pas vrasjes qëndroi në Shkodër.

Të gjithë të hetuarit, por edhe Ibrahim Lici i cili akuzohet nga Behar Bajri si autor i vrasjes së mikut të tij Boran Bercana dhe partneres së tij Silvi Ndoci ishin në përgjim.

Sipas këtyre komunikimeve, Behar Bajri ka futur në konflikt Ibrahim Licin me Astmer Bilalin, sherr që pasoi me ekzekutimin e Fatbardh Licit.

Klan News