Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u ekstradua nga Spanja. Ai mbërriti në Rinas mbrëmjen e së martës pasi po sot pritej ekstradimi i tij.
Lulzim Berisha u arrestua në Dhjetorin e 2024-ës pasi ishte shpallur në kërkim në Janar të vitit 2022 për vrasjen Klodian Saliut, krim i ndodhur në 2005-ën.
Në vitin 2016 ai arriti të dilte nga burgu pa e mbyllur dënimin prej 25 vitesh, duke u liruar me kusht nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës me pretendimet e shkaqeve shëndetësore.
Por Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin e lirimit të tij me kusht. Ai u prangos në Spanjë dhe mbante dokumenta bullgare.
GJYQET NDAJ LULZIM BERISHËS:
Në 2012-ën, Lulzim Berisha u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në Korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë.
Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në Dhjetor të 2016.
Katër vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia. Për të SPAK ngriti akuzën e pjesëmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005.
Në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg. Në Maj 2024, Lulzim Berisha ishte ndër personat për të cilët SPAK kërkoi arrestimin në lidhje me një procedim penal.
“Ekstradohet nga Spanja, një shtetas me rrezikshmëri shoqërore të lartë, i akuzuar për disa ngjarje kriminale kundër jetës. Operacioni për kapjen e tij në Spanjë, i koduar “Sant Joan”, u finalizua më 14 dhjetor 2023, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FAST Albanias dhe FAST Spanjës Në vijim të këtij bashkëpunimi, Interpol Tirana dhe Interpol Madridi finalizuan procedurën për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, L. B., 54 vjeç.
Në vitin 2020, atij i është caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana cilësuese”, kundër 2 ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal. Në bashkëpunim me shtetas të tjerë, 54-vjeçari dyshohet se: në vitin 2004, ka plagosur me armë zjarri, shtetasit V. L. dhe Xh. N.; në vitin 2005, në afërsi të fshatit Koxhaj, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin K. S. dhe ka plagosur shtetasin O. T.; në vitin 2005, ka vrarë shtetasit V. L. dhe A. A., me lëndë shpërthyese të vendosur në kabinën e një ashensori“, njofton Policia për rastin, krahas videos së mëposhtme.
/tvklan.al