Instagram po prezanton opsionin që përdoruesit të ndajnë vendndodhjen me miqtë e tyre përmes mesazheve. Rrjeti social po kërkon të sfidojë shërbime si Find My nga Apple dhe Snap Map në Snapchat.
Gjithsesi kjo nuk është e padëgjuar sepse disa muaj më parë, Instagram po testonte një mënyrë që përdoruesit të shihnin vendndodhjen aktuale të miqve të tyre. Ky opsion është prej kohësh i disponueshëm në WhatsApp, tjetër platformë nën pronësinë e Meta.
Ndryshe nga Apple dhe Snapchat që lejojnë ndarjen e vendndodhjes aktuale për një kohë të pacaktuar, në Instagram përdoruesit mund ta bëjnë këtë vetëm për një orë. Instagram thotë se kjo mund të përdoret për të koordinuar kohën e takimit apo për të gjetur njëri-tjetrin mes turmave.
Ju mund ta ndani vendndodhjen me një ose disa persona. Pasi ta keni bërë këtë, vetëm marrësit mund ta shohin ku jeni dhe s’mund t’ua dërgojnë të tjerëve. Do të shihni edhe një tregues sipër bisedës që ju kujton se po lejoni shpërndarje e vendndodhjes.
Opsioni skadon pas një ore, por duke marrë në konsideratë që WhatsApp e lejon deri në 8 orë, është e mundur që kjo të ndryshojë në të ardhmen. Kjo risi do të jetë e disponueshme vetëm në disa vende, por lista nuk është specifikuar.
Një tjetër gjë që përdoruesit mund të bëjnë tashmë në bisedat në Instagram është të vendosin pseudonime për veten apo të tjerët./tvklan.al