Debat edhe mes nënkryetares së Kuvendit dhe deputetes demokrate Jorida Tabaku. Kjo e fundit e akuzoi Felajn se ditën që drejtoi seancën u miratuan në shkelje të Kushtetutës disa projektligje, pa kuorum. Ndërsa sot sipas saj, nënkryetarja nuk lejoi kolegët opozitarë të marrin fjalën.


Duke iu përgjigjur, Felaj i kujtoi Tabakut se më 7 Mars iu bashkua mazhorancës në atë proces votimi. Ajo i përmendi po ashtu “tolerancën” e treguar ndaj saj sa i takon rritjes së pagës.

Jorida Tabaku: Sa herë që ju e drejtoni seancën, i ndërprisni fjalën kolegëve të opozitës. Më shumë flisni ju se flasin deputetët. Interpretimet tuaja të rregullores dhe Kushtetutës nuk kanë vend kur sot ky Parlament po mblidhet sepse ju keni votuar në mënyrë antikushtetuese ligje pa kuorum. Kështu që po pati mundësi, në respekt të gjithëve ne, mos na shpenzoni kohë duke ju dëgjuar më shumë se ata. Na lini të flasim se për këtë kemi ardhur këtu.

Ermonela Felaj: Zonjë unë gëzohem që më në fund ju përdorët mikrofonin, se ju edhe kur jeni, s’jeni. Dakord? Edhe ju ishit, ndonëse nuk e ngritët zërin si kolegët tuaj se mesa duket ju pëlqen të llogariteni kur vjen puna tek efektet e pagës. Kështu që ju lutem mos bëni hipokritin në këtë sallë se është lehtësisht e dallueshme. Në datën 7 Mars keni qenë 117 vetë, nëqoftëse nuk do bënit kuroum, mund të dilnit nga salla, siç bënë kolegë të tjerë që në fakt nuk iu bashkuan mazhorancës. Ndërsa ju qëndruat nga fillimi në fund duke na dhënë mundësinë të kishim kuroum. Dhe sa për dijeni mund t’ju drejtoheni këshilltarëve të grupit tuaj parlamentar sepse ka një zyrë të trajtimit të deputetëve që merr të dhënat për të siguruar trajtimin tuaj monetar. Keni marrë një tolerancë nga mazhoranca me vendimin e Sekretariatit, por mos i çoni komentet më tej. Sa për Kushtetutën zonjë, nuk ka nevojë të interpretohen sa mund të lexohen dhe thjesht të zbatohen./tvklan.al