U quajt “Metamorfoza” dhe në të u angazhuan forca të shumta policore. Bëhet fjalë për operacionin e SPAK, i cili çoi në pranga zyrtarë policie, prokurorie e biznesmen, ndërsa në kërkim u shpallën disa emra të njohur të botës së krimit. Policia e Shtetit, ndau pamjet e këtij operacioni, që siç shprehet “kishte një shkallë të gjerë vështirësie edhe të ruajtjes së sekretit hetimor”.

Në këtë operacion u vunë në pranga 8 persona, 2 prej të cilëve u kapën në flagrancë për armëmbajtje pa leje. Në kërkim janë shpallur 9 persona. Gjatë operacionit Policia e Shtetit thotë se u sekuestrua një arsenal armësh, 8 automjete (4 prej tyre të blinduara), maska, paruke dhe sende të tjera të paligjshme që përdoreshin nga pjesëtarët e grupit kriminal (Lexo më shumë).



NJOFTIMI I POLICISË

Policia e Shtetit

Finalizohet një operacion me shkallë të lartë vështirësie, i koduar “Metamorfoza”.

Në operacion u përfshinë Forcat Speciale RENEA, FNSH, Forca e Posaçme Operacionale, Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kirminale, drejtoritë vendore të Policisë Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Tiranë, në drejtimin e SPAK-ut.

Ekzekutohen masat e sigurisë “Arrest në burg”, për 6 shtetas. Shpallen në kërkim 9 shtetas të tjerë.

Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë edhe 2 shtetas të tjerë, për armëmbajtje pa leje dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Policia gjen dhe sekuestron një arsenal armësh (6 pistoleta, 1 kallashnikov, 1 pushkë), 3 armë gjahu, municion luftarak, vlera monetare, 8 automjete (4 prej tyre të blinduara), maska, paruke dhe sende të tjera të paligjshme që përdoreshin nga pjesëtarët e grupit kriminal.

Strukturat e Policisë së Shtetit, ditën e djeshme u përfshinë në një operacion të një shkalle të lartë vështirësie dhe të ruajtjes së sekretit, për ekzekutimin e masave të sigurisë të caktuara nga GJKKO, për pjesëtarët e një grupi të strukturuar kriminal.

Falë planit operacional të shpejtë dhe të detajuar, u organizua puna për kapjen e shtetasve të kërkuar nga drejtësia dhe për sekuestrimin e provave materiale në interes të hetimit.

Sektori për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, FNSH, Forca e Posaçme Operacionale, drejtoritë vendore të Policisë Shkodër, Lezhë, Vlorë dhe Tiranë, në kuadër të procedimit penal të regjistruar pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Metamorfoza”.

Gjatë këtij operacioni të mirorganizuar, u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga GJKKO, për shtetasit:

1- Pëllumb Gjoka 49 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprat penale:
-“Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Më datë 09.08.2020, në qytetin e Shkodrës, është vrarë shtetasi Gjin Ndojit alias Gjin Boriçi;
-“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasit Kleant Musabelliu);
-“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasveDorjan Duli dhe Ibrahim Licit );
-“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim;
-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

2- Edmond Preka, 46 vjeç, banues në Velipojë, i dyshuar për veprat penale:
-“Vrasje me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Më datë 09.08.2020, në qytetin e Shkodrës, është vrarë shtetasi Gjin Ndojit alias Gjin Boriçi;

-“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasit Kleant Musabelliu);

-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”;

3- Astmer Bilali, 34 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasve Dorjan Duli, Ibrahim Licit dhe Genc Tafili);

4- Ardrit Hasanbegaj, 41 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë te bashkepunimit, ate të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” (në dëm të shtetasve Dorjan Duli, Ibrahim Licit);

5– Oltian Bistri, 41 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Zbulimi i akteve ose te dhenave sekrete”;

6- Xhevahir Lita, 50 vjeç, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organëve të drejtësise”, kryer dy herë dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Janë shpallur në kërkim shtetasit:

Behar Bajri (Brahoviç), 43 vjeç, Denis Bajri (Brahoviç), 45 vjeç, Elion Hato, 33 vjeç, Arsat Bashli, 26 vjeç dhe Bardhyl Marvraj, 41 vjeç, të gjithë banues në Shkodër; Ervis Martinaj, 41 vjeç, banues në Kurbin; Klaudio Haka, 33 vjeç, banues në Pukë; Prek Kodra, 47 vjeç, banues në Malësi të Madhe; Aleks Ndreka, 46 vjeç, banues në Lezhë;

Gjithashtu, në kuadër të veprimeve për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Sabjan Troshani, 21 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

Nehat Fojleta, 24 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Gjatë operacionit u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i provave materiale të mëposhtme:

8 armë zjarri (6 pistoleta, 1 automatik, 1pushkë), municion luftarak, 19 karikatorë për mbajtje municionesh, 2 baza për vendosje snajperi , 3 armë gjahu, , 2 baza karikues radiosh policie, 2 armë të ftohta, 3 maska, 1 paruke, 8 automjete (4 prej tyre të blinduara), 1 kamera kurth, 2 targa automjetesh, 3 ora dore të markave të shtrenjta, 3 409 000 lekë, 31 205 euro, 4 400 dollarë, 3 USB, 7 DVR, 28 celularë dhe 1 laptop.

Armët e sekuestruara dhe provat e tjera materiale do të dërgohen në laboratorin e Policisë Shkencore në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.

Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunm me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vijojnë punën hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre shtetasve, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materiale procedurale iu referuan Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.