Vijojnë seancat gjyqësore të dosjes “Plumbi i Artë” ku i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka bërë të tjera dëshmi tronditëse.
Në sallën e gjyqit këtë të martë ai ka treguar se si është takuar me një personazh tjetër të rëndësishëm të botës së krimit në Elbasan, Erjon Alibej. Ndërmjetësi në këtë rast ka qenë Eljo Bitri, për të cilin, Dumani thotë se e ka njohur në vitin 2013 dhe ka pasur marrëdhënie shoqërore me të.
Bitri e ka vënë në dijeni Dumanin se Alibej interesohej për të pasi dyshonte se i vëllai i tij, Dashnor Dumani, kishte qëlluar në atentatin ndaj Indrit Alibejt, në atë që njihet si masakra e Bradasheshit.
“Elio më tha që Erion Alibej ka rënë në gjurmët tuaja që vëllai im ka qëlluar në drejtim të vëllait të Erjon Alibejt dhe familjes së tij. Kam pranuar për një takim. Kam shkuar tek shtëpia Elio Bitrit. Ka ardhur dhe Arjan Spahiu, më kanë kontrolluar, kemi hipur në një makinë dhe me kanë çuar në një pallat”, rrëfen Nuredin Dumani.
Diskutimi me Alibejn nuk ka qenë për të bërë pazare ekzekutimesh, por për të vrarë Talo Çelën, dikur aleat i Dumanit, ndërsa sot një nga njerëzit më të kërkuar në Shqipëri. Dumani tregon se ka dashur që Çelën dhe Altin Ndocin t’i vriste Alibej, por pas takimit me këtë të fundit ndryshoi gjithçka. Ata kanë hartuar për disa orë një listë me kundërshtarët dhe hynë në veprim. Dumani tregoi se ka pasur informacione se vëzhgohej nga Dorian Shkoza me qëllim që ta ekzekutonin. E kështu kanë vendosur që serinë e krimeve ta nisnin nga Durrësi për të shkuar më pas në Elbasan.
“Kur kam takuar Alibejn nuk shkuam për të bërë pazare për vrasje, shkova për të negociuar për të vrarë Talo Çelën dhe Altin Ndocin, nuk doja t’i vrisja këta me dorën time. Doja t’i vriste Erjoni me njerëzit e tij. Pas takimit me Erjonin ndryshoi gjithçka dhe vendosëm të dy që të eliminonim kundërshtarët. Për më shumë se 2-3 orë hartuam një listë për personat. Kisha informacion që Dorian Shkoza me vëzhgonte për të më vrarë. Do fillonim ekzekutimet nga Durrësi pastaj në Elbasan”, tha Dumani.
Nuredin Dumani është një nga emrat më të përfolur në botën e krimit. Ai u arrestua mbrëmjen e 29 Marsit të vitit 2022 në Fier, pak pasi kishte marrë mjekim për plagosje në shpinë nga tre mjekë në një shtëpi private.
Pas arrestimit, Dumani u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe dëshmitë e tij kanë zbuluar disa nga ngjarjet më të rënda kriminale në vendin tonë./tvklan.al