Nuk është 8 Maji, dita kur zakonisht flitet për Kryqin e Kuq Shqiptar por në vrullin e rutinës së përditshme, aksidentet nuk presin për data të caktuara. Ndihma e parë është domethënëse dhe përcaktuese për të shpëtuar jetë duke kërkuar tri gjëra: njohuri, qetësi dhe siguri.
Luljeta Hidi, koordinatore e Ndihmës së Parë vjen në “Aldo Morning Show” në Tv Klan për të dhënë këshilla të thjeshta mbi aksidentet më të shpeshta që mund të përballemi. “Minuti i artë” është pikërisht koha që kemi në dispozicion për të bërë ndryshimin. Shembulli i parë që ajo merr është rasti kur dikush po pëson goditje në kokë dhe ne mund ta kuptojmë.
Luljeta Hidi: Fytyra është pak e varur. I kërkoni që të thotë diçka dhe e shikoni se mënyra sesi flet është jo e kuptueshme. I kërkojmë që të lëvizë krahët…
Aldo: Pra nuk duhet të presim të bjerë në tokë?
Luljeta Hidi: Absolutisht jo. E vendosim në një pozicion sa më të rehatshëm, gjysmë shtrirë, është edhe pozicion shumë i mirë, koha është flori dhe menjëherë duhet të marrim në telefon urgjencën. 112, 127, këto janë dy numrat.
Aldo: Kur thua koha është flori, jeta e këtij robit varet edhe nga sekondat?
Luljeta Hidi: Patjetër. Minuti i parë është minuti i artë.
Në gjendje të fikëti, goja nuk duhet hapur me forcë, të goditet apo laget personi. Duke e vendosur një dorë në mjekër e një në ballë dhe ngritur kokën pak lart, lirohen rrugët e frymëmarrjes. Në aksidente, Luljeta thekson se e para është siguria vetjake dhe pastaj ndihma ndaj tjetrit.
Luljeta Hidi: Në një aksident, nëse një person afrohesh, e ndihmon, vendos trekëndëshin e sigurisë, mos harro sigurinë tënde në radhë të parë, siguro veten, pastaj të tjerët.
Aldo: Është momenti aty.
Luljeta Hidi: Momenti është, ne jemi gjithmonë të prirur të ndihmojmë njerëzit, por pa siguruar veten…ndodhesh në rrugë, makinat ecin pa pushim. Nëse ti vendos një trekëndësh sigurie, lajmëron që diçka ka ndodhur. Parkon makinën tënde mundësisht 25 metra larg nga vendi i aksidentit sepse nga aksidnenti mund të ketë një shpërthim, rrjedhje karburanti dhe këto përbëjnë rrezik për djegie dhe pastaj afrohesh te makina pasi e shikon që nuk ka rrezik zona për ty. Nëse personi është i vetëdijshëm, i flet, i thua të lutem dil nga makina. Nëse personi është i pavetëdijshëm, atëherë ne duhet ta nxjerrim, janë disa nga mënyrat e lëvizjes së personit duke ruajtur kokë, qafë, shpinë dhe duke e përfshirë trupin e tij te trupi jonë, e nxjerrim, e ulim sepse do të kontrollohet frymëmarrja dhe mund të ketë nevojë për masazh kardiak. Masazhi kardiak asnjëherë nuk bëhet në sediljen e një makine apo në divan, apo në kolltuk, do terren të sheshtë.
Djegiet janë aksidentet më të zakonshme në shtëpi dhe ka një gabim që duhet shmangur.
Luljeta Hidi: Nuk duhet hedhur ujë, por me një rrobë të lagur, një peshqir.
Aldo: Po ku ta marrë peshqirin, aty ka marrë flakë gjithë shtëpia.
Luljeta Hidi: Po je duke gatuar ose kapakun e tenxheres, mbështille me peshqir, lage pak dhe menjëherë fik burimin e energjisë, fik sobën. Mos hap dritare.
Aldo: Mos hap dritare?
Luljeta Hidi: Në rastet e zjarrit jo.
Aldo: Po pse?
Luljeta Hidi: Sepse ajri që vjen, hyn oksigjen dhe në kontakt me zjarrin…në rast rrjedhjeje gazi po. Siguro veten duke marrë një copë të lagur, vendose te hunda sepse shërben si aspirim që ti të marrësh frymë për vete, shko mbyll burimin e gazit dhe hap dritaret, ajros shtëpinë.
Kur një person rrëzohet, duhet pyetur nëse mund të lëvizë gishtat e këmbës. Nëse s’mundet, ka pësuar frakturë. Në rastet kur ndien miza në trup, koka duhet fiksuar në pozicionin që është dhe lajmërohet menjëherë urgjenca.
Shkarkesat e rrymës elektrike apo shpërthimi i bolierit të dushit janë po aq të rrezikshme. Edhe në këtë rast, Hidi shpjegon protokollin e sigurisë.
Luljeta Hidi: Ul automatin. Mos prek kabëll me dorë. Merr një shkop nga ato që lajmë.
Aldo: Në atë moment nuk ka shkop. Ajo që e ke gjithë jetën në dorë…
Luljeta Hidi: Mos u afro te personi. Gjej një objekt që ti mos të shkosh sepse mund të mendosh që ka rënë në sipërfaqe të lagur. Gjej një objekt, libra kemi në shtëpi, pjata, shapka llastiku, këto nuk e përcjellin energjinë elektrike ose nëse vërtet s’të ndodhen, mënyra sesi do të afrohesh, ai kërcimi pupthi me dy këmbë, jo me këmbë të njëpasnjëshme derisa të arrish te personi.
Aldo: Po kjo pse?
Luljeta Hidi: Nuk e përcjell energjinë trupi.
Në fund, koordinatorja përmbyll duke thënë se në çdo familje, nevojitet të paktën një person që mund të japë ndihmën e parë./tvklan.al