Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti dha më shumë informacion sa i takon virusit që është përhapur së fundmi në Kinë e që ka krijuar “ankth” në të gjithë botën. I ftuar në studion e Klan News, Alimehmeti tha se HMPV është zbuluar që në 2001-in në Holandë dhe është shumë i ngjashëm me gripin e tipit A.

Theksoi se gjasat janë tejet të ulëta për një situatë pandemike, ashtu siç ndodhi 5 vite më parë me Covid-19.

“Është shumë i ngjashëm më gripin, në kuptimin e sjelljes, simptomave, mundësive të ndërlikimit. I ngjan si përqindje ashtu edhe në sjellje, virusit të tipit A. Nuk ekziston një vaksinë për të, nuk ka asnjë mjekim anti-viral për të! Pacienti duhet mbështetur sepse është sistemi i tij imunitar që do ta kapërcejë virusin. Në ato raste që agravon, ka nevojë për ndihmë mjekësore, si çdo grip tjetër. Ky është një virus me mundësi tejet të vogla për të shkaktuar situatë pandemike.”


Po çfarë ka ndodhur në Kinë, sipas mjekut?

“Informacionet nga Kina janë gjithmonë të pjesshme, të vonuara, të mbuluara, të pasigurta. Pamjet janë në pikëpyetje a janë tani apo në një moment tjetër. Ky virus prek përgjithësisht fëmijët e vegjël apo moshat tejet të mëdha, kemi parë në pamje vetëm të rritur. Madje kemi parë mosha aktive, jo fëmijë. Por ajo që dijmë të sigurt për Kinën është se mbajti 3 vjet karantinë. Imagjino 3 vjet mbyllur një popullatë aq e madhe sa e Kinës, aty ku kanë qarkulluar lloj-lloj virusesh, që tani janë në aktivitet në maksimum. Kur ne u mbyllëm, u zhduk gripi. Mbani mend që s’kishte grip?! 1 vit në Shqipëri s’kishte grip fare, por vitin mbrapa menjëherë erdhën viruset e tilla.”

Alihmehmeti shtoi se ky “virus ndodhet kudo, por është i vështirë për t’u identifikuar nga ana laboratorike”.

“Është sezonal dhe si çdo infeksion i rrugëve të sipërme mund të shkaktojë pneumoni”, përfundoi mjeku.

/tvklan.al