Ende pa mësuar listën e kandidatëve për deputetë, në kampin e opozitës ka nisur përçarja. Aleancës për Shqipërinë Madhështore i ka ikur një parti.

Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, njoftoi këtë të mërkurë se është tërhequr nga koalicioni zgjedhor i Partisë Demokratike. Në një letër dërguar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, kreu i kësaj partie, Vasil Sterjovski kërkoi të çregjistrohet emri nga koalicioni.

“Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) njofton tërheqjen nga koalicioni zgjedhor “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 11 Maj 2025. Në këtë kuadër ju kërkojmë të çregjistroni emrin e partisë sonë nga ky koalicion”, thuhej në letrën dërguar KQZ.

Kujtojmë se koalicioni i Partisë Demokratike përbëhej nga 26 parti në total.

Në kampin demokrat, Kryesia e partisë do të vendosë ditën e sotme për listën përfundimtare. Sali Berisha i ka dhënë aleatëve të tij 8 vende deputetësh në listat e sigurta.

Strejovski është shprehur për mediat se PD-ja nuk u ka lënë hapësirë për të patur kandidatët e tij. Ai kërkonte të kishte një kandidat në listë të hapur në Korçë, por kjo nuk është lejuar nga PD. Po ashtu ai nuk është lejuar që të ketë kandidatë të tjerë në listë të hapur në qarqe të tjera.

Po ashtu mbetet e paqartë se si do të veprojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këtë rast./tvklan.al