I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani deklaroi në gjykatë se në vitin 2014 u lirua nga paraburgimi për shkak të një akt-ekspertimi fals që e nxirrte atë me probleme të lindura në zemër.

Por përse ishte arrestuar Nuredin Dumani në vitin 2013? Gazetari Spartak Koka ka zbardhur episodin në atë kohë.

Bëhej fjalë për një pengmarrje që kishte të bënte me shit-blerjen e një automjeti.

“Në vitin 2013, së bashku me vëllain e tij Dashnor Dumani dhe një shtetaseje Klajda B. marrin peng një person, shtetasi Bledar K. nga Bulqiza, i cili kishte qenë i lidhur me Klajdën dhe kishin patur marrëdhënie dashurie. Kishin blerë një automjet në shumën prej 300 mijë Lekësh. Më vonë, ajo e ka vënë pronësinë e mjetit përveç emrit të saj dhe në emrin e kallëzuesit. 4 ditë para ngjarjes, ajo e ka telefonuar dhe i kishte thënë që mjetin ia kishte shitur një personi tjetër dhe të vinte të bënte aktin e shit-blerjes. Personi nuk ka pranuar se ka kërkuar 500 Euro dhe të takohej me Klajdën personalisht.

Në datën 24 Nëntor 2013, Bledar K. ka ardhur nga Bulqiza në Tiranë, në zonën e Freskut ku kishte lënë të takohej me të pandehurën rreth orës 12:00. Në momentin e që e ka takuar, ajo ishte e shoqëruar me 3 persona të tjerë, njëri prej të cilëve ai e njihte si fizik që e thërrisnin Luli. Dhe nga verifikimet u identifikua si i pandehuri Nuredin Dumani. Në momentin që janë takuar, ata i kanë kërkuar të dëmtuarit të shkonin në Durrës tek një noter për të nënshkruar kontratën e shit-blerjes pasi mjetin e pandehura Klajda ia kishte shitur personit me emrin Luli në shumën prej 2 milionë Lekësh për shkak se mjeti ishte dëmtuar nga ajo në një aksident rrugor. Gjithashtu ata i kanë kërkuar që të shkonin me mjetin e tyre, kallëzuesi fillimisht ka pranuar por më pas ka refuzuar të shkojë me ta duke thënë se do të shkonte pas tyre me një mjet tjetër. Kjo mënyrë sjellje ka irrituar të pandehurit me të dëmtuarin dhe i pandehuri Nuredin Dumani e ka kapur me forcë së bashku me vëllain e tij Dashnor Dumani dhe pasi e kanë goditur me grushte në fytyrë e trup, e kanë hipur me forcë në autoveturën e tyre ku gjendej dhe e pandehura Klajda dhe një person tjetër. E kanë çuar në qytetin e Shijakut, kanë nënshkruar aktin noterial dhe pastaj e kanë lënë të lirë.

Ndërkohë që i dëmtuari ndodhej në makinë me ta, ka arritur që nëpërmjet telefonit të njoftojë kushëririn e tij, të cilit i ka thënë se e kishin marrë me forcë disa persona dhe e kishin futur në një makinë. Ka njoftuar policinë. Dhe janë kryer veprimet nga Komisariati Nr.4 i policisë dhe është bërë arrestimi në flagrancë i Nuredin Dumanit. Këtu fillon çështja. Në vend që të dënohej për heqje të paligjshme të lirisë, këto mekanizmat që na lirohen gjithë këta, me këto akt-ekspertizat që duhen mbajtur sekret, na del që ky vuante”, u shpreh gazetari Spartak Koka.

/tvklan.al