#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Te ftuar: Klodiana Lala –gazetare, Merin Maci- gazetar, Spartak Koka- gazetar, Arlinda Selmani- psikologe klinike/ligjore

Emisioni do të fokusohet te 3 vrasje në 8 ditë që po trondisin opinionin sepse asnjëra prej tyre nuk kanë ndodhur në gjaknxehtësi apo sherr, por të planifikuara. Një prej tyre e zbardhur, dy të tjerat të mbetura ende mister, kanë të panjohura por po punohet për të mësuar çfarë ka ndodhur realisht. Një dëshmi bombë sot në gjykatë nga Nuredin Dumani ka rihapur një debat shumë të madh në lidhje me vendimet që jep drejtësia për lirimin e tyre dhe me pagesat që mund të bëhen në këtë drejtim. Dëshmia e tij ishte bombë dhe një akuzë ndaj ministrit të Drejtësisë së kohës, i cili ka reaguar edhe vetë por çfarë ka ndodhur?

“Bënte vrasje të rregullonte aritminë”, Spartak Koka revoltohet me mjekët që liruan Nuredin Dumanin

Një dëshmi e sotme e Nuredin Dumanit në gjykatë ka bërë bujë për mënyrën se si u lirua nga paraburgimi në vitin 2014, me një akt-ekspertimi që e përcaktonte Dumanin në atë kohë me probleme të lindura në zemër që kishte 3 muaj jetë dhe nuk mund të qëndronte në qeli.

Në dëshminë e tij, Dumani tha se për këtë akt-ekspertim fals kishte paguar 40 mijë Euro.

Gazetari Spartak Koka, i ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, ka reaguar ashpër ndaj mjekëve që kanë përpiluar këtë akt-ekspertimi, pasi me daljen nga qelia në vitin 2014, Nuredin Dumani u kthye në një vrasës me pagesës duke shkaktuar disa viktima.

“Të shkojmë te emrat konkretë të personave të cilët kanë marrë 40 mijë Euro, kanë përpiluar këtë akt-ekspertimi. E kam ndjekur rastin edhe me Gjykatën e Tiranës. E kam kërkuar informacionin e plotë, më jep fashikullin gjyqësor për vendimin e vitit 2014 dhe e klasifikonte si sekret Gjykata e Tiranës. Më thërret gjyqtarja për mediat më thotë për çfarë e do këtë të Nuredin Dumanit. I thashë, e dua sepse Nuredin Dumani me këtë akt-ekspertimi është liruar dhe pasi është liruar, ka kryer vrasje. Jo vetëm që nuk vdiq, por vdiq të tjerët, me dhjetra”.

Gazetari Koka thotë se ironia në akt-ekspertimin shëndetësor të Dumanit është fakti që evidentohej në gjendje të rëndë shëndetësore, teksa nga ana tjetër vetë i pandehuri ka kryer vrasje të shumta.

“E di kush është ironia? E bën të pamundur, thotë, të rrijë në kushte paraburgimi dhe ky del në këtë gjendje të rëndë shëndetësore, për të rregulluar aritminë duhet të bënte vetëm vrasje, vrasje njëra pas tjetrës që të mbante të stabilizuar çështjet e zemrës”.

“Në zonë flitej vetëm për motrën e autorëve”, Lala për vrasjen e Ramazan Matajt: 2 vëllezërit u detyruan…

Vrasja e Ramazan Matajt është risjellë në vëmendje mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan. E ftuar në studio, gazetarja Klodiana Lala ka ngritur shqetësim përsa i përket mentalitetit që sjell shoqëria deri në ndërmarrjen e aktit ekstrem të vrasjes.

Lala thotë se presioni i zonës i ushtruar mbi vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj në lidhje me raportin e motrës së tyre me Ramazan Matajn në një farë mënyre ka qenë shkaktar për ngjarjen.

Klodiana Lala: Më lejo vetëm 2 fjalë për vrasjen e Ramazan Matajt. Është shumë e rëndë që dikush të hyjë dhe të prishë një familje dhe Ramazan Mataj dyshohet se i kishte prishur 2 martesa motrës së vëllezërve të cilët janë të arrestuar si të dyshuar për ngjarjen. Dyshohet gjithashtu se ai kishte shpërndarë disa video intime që kishte gjatë marrëdhënies me të. Kjo kurrsesi nuk e justifikon vrasjen.

Mentaliteti i zonës, 2 vëllezërit janë detyruar të shkojnë deri në aktin ekstrem për shkak të presionit për shkak se në atë zonë ku ata jetonin, flitej gjatë gjithë kohës vetëm për motrën e tyre. Presioni që shkoi nga mentaliteti tek ata, presioni që shkoi nga shoqëria tek ata, në njëfarë mënyre u bë shkaktare për ngjarjen.

Ajo që shoh me shqetësim ka të bëjë me faktin se Shkodra është një zonë me problematika dhe kjo ngjarje mund të ndezë më pas edhe konfliktet mes 2 familjeve. Vëmendja e autoriteteve duhet të jetë më e shtuar për të parandaluar ngjarje të tjera në të ardhmen. Imagjinoni… Ata jetojnë në një distancë shumë të afërt, kanë nxjerrë motrën e tyre nga shtëpia dhe prej 3 vitesh nuk e kanë pranuar në shtëpi. Kanë vrarë tjetrin dhe imagjinoni sa i fortë është konflikti dhe presioni mes tyre.

Sjellim në vëmendje se Ramazan Mataj u gjet i vrarë në automjetin e tij “Mercedes-Benz” mëngjesin e 5 Janarit. Në makinë, policia i gjeti viktimës dy celularë, njëri prej të cilëve pa kartë, ku hetuesit gjetën mesazhe që vëllezërit Hasaj i kishin dërguar atij për ta nxjerrë në pritë.

“Mori peng të dashurin e shitëses së makinës”, Koka tregon historinë e arrestimit të Nuredin Dumanit në 2013

I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani deklaroi në gjykatë se në vitin 2014 u lirua nga paraburgimi për shkak të një akt-ekspertimi fals që e nxirrte atë me probleme të lindura në zemër.

Por përse ishte arrestuar Nuredin Dumani në vitin 2013? Gazetari Spartak Koka ka zbardhur episodin në atë kohë.

Bëhej fjalë për një pengmarrje që kishte të bënte me shit-blerjen e një automjeti.

“Në vitin 2013, së bashku me vëllain e tij Dashnor Dumani dhe një shtetaseje Klajda B. marrin peng një person, shtetasi Bledar K. nga Bulqiza, i cili kishte qenë i lidhur me Klajdën dhe kishin patur marrëdhënie dashurie. Kishin blerë një automjet në shumën prej 300 mijë Lekësh. Më vonë, ajo e ka vënë pronësinë e mjetit përveç emrit të saj dhe në emrin e kallëzuesit. 4 ditë para ngjarjes, ajo e ka telefonuar dhe i kishte thënë që mjetin ia kishte shitur një personi tjetër dhe të vinte të bënte aktin e shit-blerjes. Personi nuk ka pranuar se ka kërkuar 500 Euro dhe të takohej me Klajdën personalisht.

Në datën 24 Nëntor 2013, Bledar K. ka ardhur nga Bulqiza në Tiranë, në zonën e Freskut ku kishte lënë të takohej me të pandehurën rreth orës 12:00. Në momentin e që e ka takuar, ajo ishte e shoqëruar me 3 persona të tjerë, njëri prej të cilëve ai e njihte si fizik që e thërrisnin Luli. Dhe nga verifikimet u identifikua si i pandehuri Nuredin Dumani. Në momentin që janë takuar, ata i kanë kërkuar të dëmtuarit të shkonin në Durrës tek një noter për të nënshkruar kontratën e shit-blerjes pasi mjetin e pandehura Klajda ia kishte shitur personit me emrin Luli në shumën prej 2 milionë Lekësh për shkak se mjeti ishte dëmtuar nga ajo në një aksident rrugor. Gjithashtu ata i kanë kërkuar që të shkonin me mjetin e tyre, kallëzuesi fillimisht ka pranuar por më pas ka refuzuar të shkojë me ta duke thënë se do të shkonte pas tyre me një mjet tjetër. Kjo mënyrë sjellje ka irrituar të pandehurit me të dëmtuarin dhe i pandehuri Nuredin Dumani e ka kapur me forcë së bashku me vëllain e tij Dashnor Dumani dhe pasi e kanë goditur me grushte në fytyrë e trup, e kanë hipur me forcë në autoveturën e tyre ku gjendej dhe e pandehura Klajda dhe një person tjetër. E kanë çuar në qytetin e Shijakut, kanë nënshkruar aktin noterial dhe pastaj e kanë lënë të lirë.

Ndërkohë që i dëmtuari ndodhej në makinë me ta, ka arritur që nëpërmjet telefonit të njoftojë kushëririn e tij, të cilit i ka thënë se e kishin marrë me forcë disa persona dhe e kishin futur në një makinë. Ka njoftuar policinë. Dhe janë kryer veprimet nga Komisariati Nr.4 i policisë dhe është bërë arrestimi në flagrancë i Nuredin Dumanit. Këtu fillon çështja. Në vend që të dënohej për heqje të paligjshme të lirisë, këto mekanizmat që na lirohen gjithë këta, me këto akt-ekspertizat që duhen mbajtur sekret, na del që ky vuante”, u shpreh gazetari Spartak Koka.

“Mos të ngatërrohen ngjarjet”, Koka për vrasjen e Kristian Markut: Situata në qytetin e Rrëshenit aspak e qetë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik mbrëmjen e djeshme ku mbeti i vrarë me armë zjarri Kristian Marku alias Kristi Bardhi. 

Lidhur me këtë vrasje i ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, gazetari Spartak Koka shprehet se pavarësisht se ka një pistë hakmarrjeje, sipas tij nuk duhet të ngatërrohen ngjarjet. Sipas gazetarit janë konflikte të ndryshme ato të ndodhura përgjatë viteve 2016 dhe 2018 me konfliktet e dy-tre viteve të fundit.

Spartak Koka: Kjo ngjarje duhet ta ndajmë se nuk ka lidhje saga e vrasjes së familjes Reçi me familjen Bardhi. Po flasim për ngjarje të ndryshme. Ne nuk e dimë se kush janë organizatorët, porositësit dhe ekzekutorët e Kristian Bardhit. Këtu ka një pistë hakmarrje, por nuk dihet dhe nuk ka asnjë të dhënë se janë ata sepse të gjithë ata persona e kanë mohuar që të kenë lidhje. Kristian Bardhi është nxjerrë në pritë dhe autorët e kanë ditur mirë se ku do të shkonte dhe autorët e kanë njohur mirë zonën e kanë ndjekur makinën rreth 1 km larg vendit të ngjarjes. Makina e tyre ka qenë e pajisur me targa të një makine të një punonjësi policie të Vlorës që ja kanë vjedhur dhe e kanë ditur gjithçka që do të bënte. Me 11 plumba është qëlluar. Pikëpyetja është se ne kemi parë se si merren vrasës me pagesë nga Vlora e sillen në Shkodër apo nga veriu anasjelltas.

Interesante është që qyteti i Rrëshenit pas vrasjes së Martin Bardhit ndryshoi drejtuesit e tij dhe policia mendoi të organizonte kontrollin në qytet për shkak të disa ngjarjeve të pazbardhura aty me kontrolle të befasishme. U kapën persona me mina, disa persona të armatosur dhe madje forcat e ndërhyrjes së shpejtë ishin njëherë në dy dit në Rrëshen për të monitoruar që të mos përshkallëzoheshin konfliktet. Janë ngjarje që po t’i vendosësh në një kontekst ligjor këto ngjarje pjesa më e madhe nuk janë të zbardhura, çka tregon që mos goditja dhe mungesa e parandalimit dhe goditjes së këtyre ngjarjeve e bën që kjo sagë të vazhdojë dhe sigurisht që situata në qytetin e Rrëshenit nuk është e qetë.

Mos të lidhim ngjarje të vendosura në vitin 2016 dhe 2018 me ngjarje që po ndodhin sot. Janë histori dhe konflikte të ndryshme ato të ndodhura në ato vite dhe histori të ndryshme këto që po ndodhin nga 2023-2025.

Kujtojmë që ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në autostradën Fier-Vlorë në afërsi të fshatit Novoselë. Kristian Marku dyshohet se u nxor në pritë, teksa 3 dyshohet të kenë qenë autorët, të cilët fillimisht e kanë ndjekur viktimën, e më pas kanë hapur zjarr ndaj tij duke e qëlluar 11 herë, ku të gjitha plumbat e dala nga një armë tip automatike kanë përshkruar trupin e 30-vjeçarit.

/tvklan.al