“Ndahet nga jeta Lulzim Basha. Nuk arriti t’i mbijetonte aksidentit”, ka qenë ky një titull lajmi i cili është përhapur menjëherë sot që ka shkaktuar reagimin e Bashës.
Ky i fundit ka përgënjeshtuar lajmin duke thënë që është shëndoshë e mirë. Më tej, Basha ka thënë se ata që përhapin këto lajme të rreme, janë ato që duan të shkatërrojnë Shqipërinë teksa ka shtuar se nuk do i lejojë.
“Ndoshta disa do të trishtohen, por ndryshe nga lajmi i rremë që është përhapur, jam gjallë e mirë dhe nuk kam vdekur në një aksident automobilistik. Njerëzit që duan që të përhapen këto lajme të rreme, janë po ata që duan të shkatërrojnë Shqipërinë.Unë dhe ju nuk do t’i lejojmë”, shkruan Basha.
Duket se postimi i Bashës nuk ka kaluar pa marrë vëmendjen e Kryeministrit Rama, i cili ka shpërndarë reagimin e tij në “Instagram”, krahas së cilës shkruan: Mos e prish gjumin për kaq gjë, ty të marrin të keqen.
Nuk ka vonuar shumë dhe Basha i është kundërpërgjigjur duke rishpërndarë postimin e Kryeministrit, të cilit i thotë përmes “Facebook-ut”: E di, për ty, kush nuk vjedh, fle gjumë. Nuk kam nga ato halle, që ty ta kanë vrarë gjumin, me shokë e shoqe, që t’i zunë me mollë e dardhë, “pas shpine”, me çyrbet e kapura duke blerë vota krimi për ty, apo “mikun” tënd McGonigal, që sot është në burg, i paguar, për të sajuar poshtërsi ndaj meje.
/tvklan.al