#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Të ftuar: Ilir Dushkaj, Arber Çepani, Elisabeta Lemi, Dashamir Elezi, Artan Gaci, Redi Buzo, Fatbardh Belba, Ornela Likaj, Xhimi Begeja, Kleantino Goga
Fokus te një nga bizneset më të vështira: pijet alkoolike shqiptare dhe trendi i tyre në Shqipëri. Zhvillimi i turizmit dhe ardhja e të huajve ka qarkulluar më shumë pijet lokale duke u dhënë më tepër vlerë nga sa kanë pasur deri më tani. Përtej paragjykimit e moosbesimit nga shqiptarët për prodhimet vendase, duket se të huajt i kanë vlerësuar shumë herë më lart. Çfarë po ndodh me prodhimet shqiptare në fushën e pijeve alkoolike? Disa prej tyre janë thellësisht tradicionale e me një histori që vjen prej shekujsh, të tjera janë të reja. Të gjitha bashkë sjellin një industri të re që duket se po merr hov nga dita në ditë.
Artan Gaçi realizon gin-in shqiptar: Pas 13 vjetësh punë dolëm në treg me “Goat Gin”
Artan Gaçi nga Melesin Distellery i ftuar në studion Opinion ka treguar detajet se si prej 13 vitesh punë kanë realiazur pijen alkoolike Gin-in shqiptar “Goat Gin”: “Ne kemi vetëm disa muaj që kemi dal, domethënë pas 13 vjetësh punë për të bërë këtë prodhim”.
Gaçi tha se e ndërmori krijimin e këtij prodokti vetëm nga pasioni.
“Kemi kontaktuar pothuajse të gjithë prodhuesit e distelerive në Gjermani, në Itali dhe në Francë për të vendosur se cilin impiant do të merrnim për të prodhuar rakinë dhe e mora nga Italia. Është një nga firmat më të mira në botë, ka bërë në 65 vende të botë disteleri nga Japonia deri në Australi dhe është i prodhuar për neve.
Për të bërë këtë brand ne jemi bazuar në 4 shtylla kryesore. Lëndën e parë nuk mund ta anashkalojmë sepse Shqipëria ka një nga lëndët më të mira në botë. Ne jemi 1 nga 6 apo 7 vendet e Mesdheut që mund të prodhojmë gjithçka. Kjo vlen për rakinë si lënda e parë që ne kemi zgjedhur Leskovikun për shkak të traditës shumë shekullore, për shkak të territorit, për shkak të klimës, për shkak të vreshtave 70, 80 vjeçar që ne fillojmë rrushin dhe kjo gjë vlen edhe për gin”, tha Artan Gaçi.
Gaçi theksoi edhe një fakt interesant se një pjesë e gin-eve që prodhohen në botë e marrin dëllinjën nga Shqipëria.
“Shikoja nëpër botë, si në Angli, si në Irlandë, si në Australi që të gjitha gin-et më të mira e merrnin dëllinjën nga Shqipëria”, tha Gaçi.
“Të gjithë vijnë dhe ma pijnë birrën!” Begeja revoltohet ndaj politikës: Hiqni akcizën!
Xhimi Begeja e ka nisur kompaninë e birrës “Puka” 16 vite më parë. Një “tironc i luajtur mendsh që s’e ka kuptuar që ka luajtur mendsh” u shpreh ai në fillim të bisedës në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Një kompani e nisur nga pasioni, por ky s’është i vetmi fokus i Xhimit gjatë fjalës së tij.
Ai thotë se ndryshe nga pijet alkoolike të kolegëve, birra ka pësuar rënie. Prodhimi vendas mbizotërohet nga ai i huaj.
Xhimi Begeja: Po mbizotëron birra e importit shumë, është 37% e tregut sot, është prodhim vendas dhe 63% jashtë. Birrat artizanale janë birra të cilat kanë përkujdesje dhe kosto të lartë. Në Shqipëri, të gjitha birrat janë shumë të mira.
Problematika që Begeja veçon është se politikat nuk përshtaten me prodhuesit për t’i ndihmuar.
Xhimi Begeja: Ajo që ne jemi tepër të zhgënjyer, është sepse unë kam një material të vogël, dua t’ju them vetëm diçka të gjithëve. Ky është prodhimi vendas me importin. Vendasi ka rënë, importi vazhdon të jetë në rritje. Pse? Sepse ligjbërësit tanë nuk janë akoma me këmbë në tokë që të kuptojnë çfarë do të thotë të jesh prodhues.
Blendi Fevziu: Po ua le ligjvënësve tanë… a të ta bëj ndryshe pyetjen unë? Ndonjë nga ata ligjvënësit, nuk po marr ata 4-5 kryesorët, e merrje ti të punonte te birra? Jo se ta bënte birrën gabim!
Xhimi Begeja: Të gjithë vijnë te Pazari dhe ma pijnë birrën, nuk po flas me emra!
Në bashkësinë e prodhuesve të birrës, disa prej të cilave Begeja i prezanton, kanë qenë 9. 2 prej tyre falimentuan dhe kanë mbetur 7. Ai thekson se akciza është problemi kryesor pasi është 3 herë më e lartë edhe se Gjermania.
Xhimi Begeja: Të shkojë akciza 3 herë më shumë sesa Gjermania, sesa gjithë vendet? Thjesht për një formulë, thjesht për një kapriço? Kjo është poshtërsi!
Begeja thotë se nuk kërkon subvencione a ndihma të tjera financiare, por vetëm akcizën sepse lënda e parë në Shqipëri, edhe pse është e mundur të sigurohet, duhet të merret nga jashtë.
Xhimi Begeja: Birra prodhohet nga malto elbi. Të gjithë ne prodhimi vendas marrim malto nga Çekia, nga Gjermania. Lupolën e kemi nga Gjermania, majanë unë e marr nga Hollanda, Danimarka, vetëm ujin kam të Pukës unë. Fushat tona, elbi shitet për kafshët dhe tokat tona mos të mbillen për birrën? Ne kemi qenë shumë largpamës, kemi bërë një malteri në Maliq që të shikonim gjithë fushat tona të Maliqit, Leskovikut, Ersekës se ka një tokë të shkëlqyer për këtë. Ka sot e 20 vjet, ajo jo që është rrënuar, njerëzit që kanë investuar aty, nuk dua të përmend emra, por nga marazi kanë ndërruar jetë, më vjen shumë keq dhe pse ndodh kjo? Nga politika e shtrembër në bujqësi!
9 koktejle me emra shqiptarë! Fevziu përgatit dhe shijon “Kadarenë”
Kleantino Goga, zëvendëspresidenti i Shoqatës së Bartenderëve në Shqipëri prezanton në emisionin “Opinion” në Tv Klan një projekt interesant: 9 koktejle me emra shqiptarë. Siç ai shpjegon, edhe përbërësit janë kryesisht shqiptarë. Emrat janë të autorëve shqiptarë si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Gjergj Fishta, Mira Meksi etj.
Blendi Fevziu: Unë mora vesh që ti po përgatit disa koktejle me emra të shkrimtarëve shqiptarë.
Kleantino Goga: Ky është një projekt që janë 9 koktejle shqiptare. Unë 4 kam sjellë sot, të gjithë koktejlet janë me emra të shkrimtarëve shqiptarë si Kadare, Dritëro Agolli, Gjergj Fishta, Mira Meksi.
Blendi Fevziu: Me produkte shqiptare?
Kleantino Goga: 99% janë produkte shqiptare si xhini, rakia që e kam marrë nga Korça.
Blendi Fevziu: Ta shoh një çikë Ismailin unë? Raki shafri, infuzion shafrani, shurup mjalti, lëng limoni, nenexhik.
Kleantino Goga: Arsyeja pse unë i kam zgjedhur që të kenë 3-4 përbërës, pjesë e këtij projekti është trajnimi i kujtdo që punon në këtë industri që do të thotë nga veriu në jug, ne do të bëjmë fushatë gati 5-6 mujore për të trajnuar bujtinat, baret, restorantet, Kukës, Tropojë, Cërrik, Sarandë, kudo që të jenë me të gjithë anëtarët kush është i mundur, për këto receta shumë të thjeshta.
Duke qenë se Fevziu zgjodhi “Kadarenë”, bartenderi në studio nisi të përgatiste koktejlin, por pjesa e “shaker”-it iu la në dorë gazetarit dhe duket se ia doli me sukses.
“Ma jep njëherë ta bëj unë këtë! Ma thuaj si ta bëj! Dash, qesh, qesh, por po e bëj!”, tha Fevziu duke qeshur.
/tvklan.al