Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën në lindje të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë tetë në shtetin e Kentakit, i cili është goditur më rëndë nga përmbytjet.

Sipas guvernatorit të këtij shteti Andy Beshear pjesa më e madhe e personave që humbën jetën u gjetën të bllokuar brenda automjeteve të tyre, të cilat u morën nga ujërat e vrullshëm, mes tyre një nënë dhe fëmija i saj.

Autoritetet presin që bilanci i viktimave të rritet në orët në vijim. Brenda 24 orëve janë shpëtuar më shumë se 1000 njerëz ndërsa është shpallur edhe gjendja e jashtëzakonshme.

Autoritetet kanë këshilluar banorët të shmangin lëvizjet e panevojshme ndërsa më shumë se 39,000 familje mbetën pa energji elektrike të dielën si pasojë e motit të keq.

Sipas mediave amerikane, një tjetër person ka humbur jetën në Atlanta të Xhorxhias, për shkak të motit të keq. Pjesë të Shteteve të Bashkuara qendrore dhe veriore janë goditur nga shira të dendur dhe erëra të forta.

Ndërkohë, reshje të dendura bore priten në disa pjesë të New England dhe në veri të Nju Jorkut.

Klan News