Një çerek shekulli që nga fundi i luftës në Kosovë, një muze i vogël i quajtur “Moment” është hapur në Prishtinë për të përkujtuar rreth 20,000 viktima të abuzimit seksual gjatë konfliktit të viteve 1998-1999.
Nisma është ndërmarrë nga fondacioni “Jahjaga”, një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
“Duhet të turpërohemi si shoqëri, sepse në vend që t’i konsiderojmë (viktimat) si heronj dhe heroina, i mbuluam me mbulesën e turpit duke treguar padrejtësisht gishtin drejt nënave, motrave, vajzave, vëllezërve dhe baballarëve tanë. Rreth 20 mijë gra dhe burra. Deri më tani janë numëruar si të mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës për të gjitha grupet etnike që jetojnë në Kosovë”, shprehet Jahjaga.
Për agjencinë e lajmeve Reuters, Jahjaga thekson mungesën e mbështetjes së shoqërisë për këto viktima.
“Është vërtetë e dhimbshme që pas 26 vitesh kemi vetëm 7 raste që janë ngritur aktakuzë nga prokuroria dhe gjykatat. Dhe deri më tani kemi vetëm një aktgjykim me dënim minimal për përdhunimin që është përdorur si armë lufte. Paqja në zemrat dhe mendjet e këtyre të mbijetuarve por edhe për ne si popull i Kosovës është kur vendoset drejtësia (kundër autorëve që janë)”, shprehet ish-presidentja.
I ndodhur në zemër të Prishtinës, muzeu shfaq veshjet që mbanin gratë në ditën kur ato u sulmuan, duke përfshirë kapele, fustane dhe funde. Dëshmitë e viktimave të dhunës seksuale janë të gjitha të ekspozuara për vizitorët.
“Ka shumë kujtime në këtë muze. Këtu shoh disa nga gjërat e mia (nga dita që ajo u përdhunua). Nuk kam fjalë.”
Për agjencinë e lajmeve “Reuters” një e mbijetuar e dhunës seksuale e cila nuk dëshiron të bëhet publike shkruan se në fillim ajo mori mbështetje nga bashkëshorti i saj por kjo nuk zgjati për shumë kohë.
“Vetëm pas luftës kam pasur mbështetje por më vonë kam mbetur vetëm. Në fillim burri më ka përkrahur shumë, por më vonë kur ka parë që të mbijetuarit po flasin në media, po dëgjohen zërat e të mbijetuarve dhe ndoshta sepse i mentalitetit të njerëzve tanë, ndikoi tek ai dhe më pas ai ndryshoi 100% ndaj meje.”
Organizatat e shoqërisë civile thonë se frika nga stigmatizimi ka bërë që shumica e personave të përdhunuar gjatë luftës të heshtin.
“Kam menduar shumë shpesh t’i jap fund jetës sime. Por kam pasur fëmijët e mi dhe kjo më ka penguar t’i jap fund jetës sime.”
Në Mars të vitit 2014, parlamenti i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore për njohjen e statusit të të mbijetuarve të përdhunimeve, ndërsa ky status u njoh nga një komision qeveritar tek në fund të vitit 2017.
Në muajin Shkurt të vitit 2018 autoritetet në Kosovë hapën procesin e verifikimit të statusit të personave të mbijetuar të përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, dhe deri më tani sipas institucioneve janë paraqitur rreth 2 mijë kërkesa ndërsa afër 1 mijë e 600 personave u është njohur statusi i viktimës.
Klan News