Fran Dodaj kishte punuar 25 vite, por fillimisht i njiheshin vetëm 7 vite për pension. Për të zgjidhur këtë problem ai iu drejtua zyrës së ndihmës juridike falas në Lezhë, e cila e ndihmoi që t’i njiheshin edhe 8 vite të tjera pune.
“Kam punuar në Lezhë, edhe më humbën vitet e punës. Erdha këtu, kjo më ka ndihmuar”.
Në të gjitha vendin ka 20 qendra të ndihmës juridike falas të ngritura në ato qytete ku Gjykatat e Shkallës së parë u mbyllën si rrjedhojë e hartës së re gjyqësore. 12 prej tyre janë ngritur falë partneritetit të UNDP, Ministrisë së Drejtësisë dhe qeverisë austriake.
“Ajo që ne vërejmë është që ka një kërkesë shumë të madhe për ndihmë ligjore falas. Motoja e UNDP është që askusht të mos mbetet pas”, thotë Nora Kushti nga UNDP.
“Nga 20 qendra që janë sot, 14 financohen nga buxheti i shtetit, por me fillimin e 2025 është parashikuar që të jenë pjesë e organikës së drejtorisë ndihmës juridike falas”, shprehet Ergys Qirici, drejtor i ndihmës juridike falas në Ministrinë e Drejtësisë.
Këto qendra ofrojnë ndihmë juridike falas për kategoritë e veçanta vulnerabël.
“Kam pasur vajzën në shkollë të lartë. Kemi pasur probleme se nuk na kanë pas dhënë bursën”.
“Çështjet administrative dhe civile janë ato që dominojnë më shumë”, shprehet Artur Murra nga qendra e shërbimit të ndihmës juridike parësore në Pukë.
“I ndihmojmë qytetarët që të përpilojnë kërkesa drejtuar edhe ASHK gjithashtu, që t’i vendosim në lëvizje dhe bëjmë këtë procesin e përfundimit të kalimit të pronave”, shprehet Xhenjola Sulejmani nga qendra e shërbimit të ndihmës juridike parësore në Shkodër.
Që prej vitit 2019 deri më Nëntor të vitit 2024 mbi 10 mijë persona në nevojë kanë përfituar shërbim juridik falas.
Tv Klan