Ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu që u provua të kishte lidhje me bandat kriminale të qytetit, ka deklaruar pranë ILDKPI-së se jeton në një apartament 80 metra katrorë afër qendrës së qytetit.  Sipas informacioneve, gjyqtarja ka ndërtuar edhe pa leje në tarracën e pallatit. Emisioni “Stop” në Tv Klan e ka dokumentuar që në vitin 2019 ndërtimin pa leje që ka bërë Fetahu duke e përshtatur në kuzhinë dhe ambiente relaksi.

Asokohe “Stop” iu drejtua IMT-së Elbasan, drejtuesi i së cilës, Leli Kaja tha se do të ngrinte një grup inspektimi për këtë rast.

Kryeinspektori Leli Kaja: Po tendën kush e ka? Mirë, shko verifikoje, kush e ka tendën…!

Inspektori: Tendën e ka kati lart.(kati i 5-të)

Gazetari: Po Pajtimja e ka, se ne…

Kryeinspektori Leli Kaja: Po nuk e ka Pajtimja atë…

Inspektori: Pajtimja  e kishte me tapi, vetëm krahu i djathtë të hyrjes.

Kryeinspektori Leli Kaja: Tani ik, verifikoni, kush ka tendën, bjerini derës, kush është atje edhe merrni të dhënat, çertifikatë pronësie, çfarë ka…,që të japim një përgjigje serioze dhe të dimë, ku jemi! Ne atë duam direkt, po qe se nuk është marrë leje për tendën, masë administrative dhe kallëzim penal, i ke të garantume këto.

Gazetari: Ne, ata komshinjtë atje, na i sollën si problematikë, s’është se kemi diçka personale me gjyqtaren. Sa herë nxjerrim ne ndonjë gjë për Pajtimen, na sjellin ndonjë gjë për gjyqtaren…, që kështu…

Kryeinspektori Leli Kaja: Unë as kam pasur ndonjë lidhje me atë…

Gazetari: Edhe ne nuk e dinim, ku e kishte. Me të pyetur na thanë, Filan Fisteku dhe vajtëm…

Kryeinspektori Leli Kaja: Jo mo, ju faleminderit, që na vini në dijeni për këto gjëra..! Nesër do t’ju kthej përgjigje.

Të nesërmen z. Kaja tha se ndërtimin pa leje nuk e kishte bërë gjyqtarja, por një banor tjetër komshi me të, në katin e 5-të i cili disponon 80 metra katrorë apartament me hipotekë dhe quhet Shkëlqim Salla. Por ky i fundit, sipas drejtorit të IMT-së, jeton jashtë Shqipërisë. Kjo përgjigje ishte një gënjeshtër për të mbrojtur interesat e gjyqtares Fetahu.

Megjithatë, “Stop” kërkoi të zgjidhet kjo paligjshmëri pavarësisht se kush është autori. Kryeinspektori i IMT-së Elbasan tha se qytetari do të gjobitet me 500 mijë lekë gjobë, do të dërgohet për procedim dhe ndërtimi pa leje objekt me kontruksion metalik, do të prishet.

“Stop” rikthehet sërish në ndërtimin pa leje në taracë dhe konstaton që kjo strukturë nuk është prishur.

Gazetari: Tani bëhet fjalë për një ndërtim pa leje që ne kemi konstatuar, që është në posedimin e ish-gjyqtares Pajtime Fetahu. Kanë shkuar inspektorët në atë kohë se ne e kemi ndjekur dhe i kanë vënë 500 mijë lekë të reja gjobë dhe vendim prishje, por nuk është prishur…Ja dhe fotot këtu që t’i shohësh! Ja, për këtë këtu bëhet fjalë!

Kryeinspektori Aljan Zabeli: Për këtë tendën këtu, bëhet fjalë!

Kryeinspektori i ri kërkon kohë që të gjejë dosjen dhe më pas të kuptohet se çfarë ka ndodhur me vendimin e prishjes së ndërtimit pa leje dhe kur do të ndodhë./tvklan.al