Ngjarja më e bujshme e tre ditëve të fundit në të gjitha mediat ka qenë zbardhja e bisedave të ish gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetahu, e cila i kërkonte kriminelëve të hakmerreshin ndaj drejtuesit të emisionit “Stop” Saimir Kodra, pasi ky i fundit e kishte denoncuar në program për afera korruptive.

Në fakt në Janar të vitit 2017 gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, me 2000 euro mori përsipër të nxirrte me minimunin e dënimit personin në paraburgim Kristjan Leka. Kamera e emisionit “Stop” solli me zë dhe figurë momentet, që nga pazari e deri te dorëzimi i parave.

Madje Fetahu mori përsipër që përveç vendimit të trupit gjykues, “ta rregullonte” edhe me prokuroren, që kjo e fundit të mos bënte rekurs. Gjyqtarja Pajtime Fetahu kërkoi për prokurorinë edhe 1500 euro të tjera dhe i paraburgosuri Kristjan Leka shijoi lirinë e blerë me valutë.

Në një tjetër rast Besim Debrova denoncoi se në mënyrë të çuditshme iu zhduk toka e trashëguar nga stërgjyshi rreth 7 dynym në Elbasan duke falsifikuar origjinën e pronës në K.K.P Elbasan. Rezultoi se pas shumë akteve e veprimeve ishte gjyqtarja Pajtime Fetahu, që fshihte përmes vëllezërve pasurinë e pajustifikuar.

Po kështu një aferë tjetër, që rëndon mbi Pajtime Fetahun është një falsifikim në Gjinar për 70 dynymë tokë të shtuar. Falsifikimi u konstatua nga eksperti kriminalistik Artan Rexhepi, i cili tha se vendimi ishte falsifikuar nga Pajtime Fetahu. Për këtë rast “Stop” çoi një sërë ankesash në KLGJ, KPP, Ministrinë e Drejtësisë dhe një kallëzim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

“Sot për hir dhe falë zotit që ka instanca drejtësia Pajtime është atje ku e meritoi vetë se nuk i tha njeri, i bëri me koshiencë të plotë. Kjo është historia që kemi transmetuar për Pajtime Fetahun. Në fakt nuk janë vetëm këto, mes tyre dëgjuat edhe një intervistë të gazetarit Genc Angjellari që vajti dhe e pyeti. O ju, o unë tha. Me ç’duket ngelëm ne se ajo iku, s’është më për beteja”, tha Saimir Kodra./tvklan.al