Përditësimi i fundit në orën 11:02

-Në Dhomat e Specializuara në Hagë nisi këtë të hënë gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

-Katër ish-krerët e UÇK-së u deklaruan “plotësisht të pafajshëm” në lidhje me aktakuzën e Prokurorisë.

-Prokurori i Specializuar u shpreh se rasti i gjykimit nuk ka të bëjë me gjithë UÇK-në, por vetëm me katër të akuzuarit. Sipas tij, shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës pasi shiheshin se kundërshtonin UÇK-në apo përkrahnin Lidhjen Demokratike të Kosovës.

-Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.

Ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm

Të katër ish-krerët e UÇK-së u shprehën se e kuptojnë aktakuzën e prokurorisë, por deklaruan se janë plotësisht të pafajshëm.

E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”, tha Thaçi.

“E kuptoj. Po gjithsesi e shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë dy vjeçare e gjysmë, megjithatë ju falenderoj. Tërësisht i pafajshëm”, tha Veseli.

“E kuptoj. Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi.

“Unë e kam të vështirë që ta kuptoj akuzën dhe mënyrën si është përpiluar kjo akuzë. Unë nuk kam asnjë lidhje me asnjërën nga pikat që i lexoi prokurorja para pak kohe. Akuzën e kuptoj kështu siç është, por nuk pajtohem me të pasi nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza. Jam tërësisht i pafajshëm”, tha Krasniqi.

Prokuroria: Shumica e viktimave, shqiptarë

Prokurori i Specializuar do të ketë maksimum pesë orë kohë për të mbrojtur rastin. I pari që nisi deklarimin e tij ishte prokurori i specializuar, Alex Whiting. Ai tha se katër të akuzuarit kanë qenë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas tij, gjatë kohës që e mbulon aktakuza, ata kanë “mbështetur dhe zbatuar një politikë që vinte në shënjestër personat që shiheshin si bashkëpunëtorë, kolaboracionistë me Serbinë”, por edhe persona që shiheshin se kundërshtonin UÇK-në apo përkrahnin Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës, njësojë si ata“, theksoi Whiting.

“Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit, synonte burgosjen, keqtrajtimin, ndonjëherë vdekjen e të ndaluarve”, shtoi ai.

Sipas prokurorit, motivi i kryerjes së këtyre krimeve të pretenduara në aktakuzë ishte “arsyeja ishte për të fituar pushtet në luftë, në Kosovë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.

“Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre do të minohej, nga ata që perceptoheshin si kundërshtarë. Mund të jenë kryer nga hakmarrja. Do të shihni prova për këto të dyja”, tha ai.

“Qëllimi kriminal i përbashkët për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte aspak i fshehtë”, tha Whiting. (Burimi: REL)

Prokurori: Nuk po gjykohet UÇK-ja. Akuzat, kundër 4 vetëve

Trupi gjykues gjatë seancës së 3 prillit.

Prokurori i Specializuar tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë vetëm me ta, e jo me të gjithë UÇK-në.

“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në dhe nuk akuzon të gjithë anëtarët e saj. Akuzat ngrihen kundër katër vetëve. Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”, tha Alex Whiting.

Ai tha se një prej çështjeve më të ndjeshme të këtij rasti ka të bëjë me frikësimin e dëshmitarëve. Sipas tij, disa prej dëshmitarëve që do të paraqiten në seancë gjatë procesit gjyqësor do të kenë “frikë” që të tregojnë për ato që kanë përjetuar.

Avokati i viktimave do të mbajë fjalën e tij dhe atij i është caktuar një afat prej 45 minutash.

Në ditët në vijim do të flasin edhe avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Protestë në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Ndërkohë qindra qytetarë nga Kosova dhe diaspora janë mbledhur më sheshin ‘Laan van Reagan en Gorbatsjov’ në Hagë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Sheshi ndodhet rreth 3 kilometra larg Gjykatës Speciale të Kosovës. Në mesin e protestuesve ka edhe pjesëtarë të diasporës nga Gjermania, Kroacia e Zvicra.

Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza e Prokurorit të Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban gjithsej 10 akuza.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura aty janë kryer në periudhën prej Marsit të vitit 1998 deri në Shtator të vitit 1999, në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Marshim në Kosovë në mbështetje të krerëve të UÇK-së

Qytetarë para Gjykatës Speciale në Hagë

Ndërkohë mijëra njerëz mbushën rrugët e Prishtinës të dielën në mbështetje të krerëve të UÇK-së.

Marshimi nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe përfundoi në atë “Skënderbeu”. Në duar dallonin pankarat, “Liria ka emër”, “Historia jonë nuk mund të rishkruhet” dhe “Marshojmë për drejtësi”.

Qytetarët thanë se kanë dalë në rrugë duke besuar në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në marshim ishin të pranishëm edhe familjarë të krerëve të UÇK-së që mbahen në Hagë ku djali i ish-Presidentit Thaçi u duk mjaft i emocionuar./tvklan.al