ChatGPT mund të shërbejë shumë mirë për të shkruar një fjalim, artikull apo prezantim, por ndonjëherë mund të merrni përgjigjen që tingëllon sikur është shkruar nga Inteligjenca Artificiale (IA). Nëse dëshironi që askush mos të dyshojë se i jeni drejtuar pikërisht asaj për artin e të shkruarit, mësoni si të drejtoni si duhet komandat tuaja. Për këtë, ka disa sekrete që ju ndihmojnë ju dhe IA që të arrini përsosmërinë.
Përshtatni formalitetin
Nëse do të postoni në LinkedIn apo do të falenderoni një koleg, duhet të përshtatni tonin që të përputhet me situatën. Fjali si “shkruaje më formalisht” apo “përdor të folurin e zakonshëm” ndihmojnë IA që të bëjë rregullimet e duhura. Mendohuni nëse shkrimi duhet të jetë akademik, formal, jo formal dhe përdorni mbiemrat për ngjyrimin e tij. Për shembull, mund t’i kërkoni ChatGPT diçka “të qartë por me ton të ngrohtë” apo “argëtuese dhe lozonjare”.
Thjeshtoni ose ndërlikoni
Kur shkruani një fjalim, është shumë e rëndësishme të kuptoni se kujt do t’i drejtoni. Për një bisedë të përgjithshme, mund të duhet më pak zhargon dhe gjuhë e thjeshtë. Për audiencën akademike, duhet një qasje më e sofistikuar. Për të shtuar pyetje retorike apo teknika të tjera, jepni detaje për temën, tonin dhe kontekstin. Kërkojini ChatGPt që ta bëjë shkrimin “përfshirës”, “të fuqishëm” apo “nxitës”.
Struktura e fjalive
Struktura e fjalive ndikon te lexueshmëria. Ju duhen fjali të gjata, dinamike apo të shkurtra e goditëse? Furnizojeni me informacion shtesë siç mund të jetë lloji i përmbajtjes që po krijoni, për shembull “Po punoj për prezantimin e një produkti marketingu dhe më duhet diçka ngacmuese”. Fjalitë më të gjata janë të përsosura për rrëfim apo për t’u treguar vizionarë. Toni rrëfimtar tërheq lexuesin ndërsa fjalitë e shkurtra funksionojnë shumë mirë si grep marketingu. Eksperimentoni dhe rregulloni baraspeshën derisa të kënaqeni nga përfundimi.
(Mos)përdorni gjuhë figurative
Kur përdoren me masë, metaforat e bëjnë shkrimin më të thellë dhe krijues. Nëse shkrimi ju duket i thatë, kërkoni diçka më lozonjare, me gjallëri apo dramatike. Nëse gjuha e përdorur ju duket klishe, kërkoni origjinalitet. ChatGPT mund të sugjerojë krahasime si “një kështjellë në lëvizje” apo “një busull e besuar”. Ju mund të përcaktoni sa shprehëse duhen metaforat tuaja apo të mos përdorni fare shprehje figurative.
Baraspeshoni saktësinë me hollësitë
Ju duhet një përmbajtje e shpejtë së cilës mjafton t’i hedhësh një sy apo diçka më e detajuar? Për shembull, nëse duhet të bëni një raport nevojitet që të jeni sa më të përmbledhur, të dilni drejt e në temë. Nëse kërkoni të bindni, duhet më shumë ngjyrim e kontekst. Për shembull, mund të përdorni frazat “përmblidh këtë artikull në dy fjali”, “ktheje në një fjali kryesore”. Kur doni të shtoni hollësi, përdorni “zgjeroje shpjegimin me shembuj të detajuar dhe kontekst”, “shto informacion për të qartësuar idenë”.
Rishikimi
Në fund, mund t’i kërkoni ChatGPT që të rishikojë automatikisht tekstin për gabimet gramatikore, stilistikore apo nëse nevojiten rregullime të tjera që mund t’ju vijnë në ndihmë./tvklan.al