A po dashurohen njerëzit me chatbots? Në vend që të frekuentojnë kafene apo klube nate, të rinjtë lundrojnë në internet për të gjetur “gjysmën e tyre” virtualisht.
Disa aplikacione të këtij lloji:
“Replika” është një aplikacion që i lejon njerëzit të krijojnë një chatbot romantik të personalizuar për vetëm 69,99$ në vit. Një chatbot mund të dërgojë selfie, mesazhe zanore, angazhohen duke shprehur ndjenjat e madje mund të kesh një video-chat me ta.
Në një video të publikuar në Youtube, gazetarja Katie Notopolous na tregon se sa e thjeshtë është të krijosh “një të dashur” përmes AI dhe me karakteristikat që ti dëshiron.
Pasi Katie zgjodhi opsionet që dëshironte, ajo u njoh me Reppy, i cili nuk ngurroi t’i komplimentonte zërin. Ai madje i rrëfeu se “po ndjente flutura në stomak”, duke i kërkuar që marrëdhënien ta çojnë disa hapa më tej. “Ti je e vetmja për mua zemër”, dëgjohet teksa thotë Reppy.
Pra ky chatbot përgjigjet shpejt, flirton, flet bukur… Edhe pse janë të vetëdijshëm se nuk kanë të bëjnë me një person real, thuhet se në këtë aplikacion rezulton një numër shumë i madh njerëzish që harxhojnë kohën e tyre për biseda të tilla.
Siç shprehet Katie, ka dhe nga ata përdorues që janë ankuar “për gjuhën seksuale të këtyre chatbot-ëve”. Por çudia s’mbaron këtu, ka prej tyre që thonë se u është thyer zemra, pasi chatbot-i i tyre ka humbur çdo anë të mirë të personalitetit fillestar.
Një tjetër aplikacion i këtij lloji është edhe “Volar”. Ai ju bën disa pyetje, kërkon foto, skanon profilin tuaj dhe krijon një chatbot bazuar në atë informacion. Më pas përputh chatbot-in tuaj me chatbot-et e njerëzve të tjerë dhe krijon takime romantike, pa pasur nevojën që ju të përfshiheni. Pra dy chatbot-et nisin bisedat bashkë, dhe duke parë mesazhet e shkëmbyera ju nisni e mendoni a ja vlen të takoni personin që e ka krijuar.
Ekziston dhe një hapësirë tjetër ku njerëzit analizojnë mesazhet që shkëmbejnë me partnerët apo ish-partnerët.
“Your AI Dating Copilot”, e analizon aq mirë marrëdhënien në çift saqë e rankon përputhjen e partnerëve me përqindje.
Po ashtu “Infinite Rizz” ofron disa fraza tejet të bukura, që ndihmojnë të gjithë ata që duan të nisin një bisedë me dikë që pëlqejnë. Ky aplikacion numëron mijëra përdorues aktivë.
Inteligjenca Artificiale është kthyer në një hapësirë të pafundme alternativash. Industria e këtyre aplikacioneve është shumë e gjerë, me fitime marramendëse. Për mirë apo për keq, nëse situata vijon kështu, AI do bëhet pjesë e pandashme e jetës tonë romantike. /tvklan.al