#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni “Opinion” mbrëmjen e kësaj të mërkure transmeton një udhëtim në zonën e malit të Tomorrit. Regjistrimet në malin e Tomorrit dhe teqenë e shenjtë të Kumakut janë bërë në muajin Qershor. Pamjet e kapura në majën e malit në 2400 metra lartësi, tregojnë një panoramë të rrallë dhe mbi të gjitha janë pasqyrë e një historie mjaft interesante. Pse mali i Tomorrit është konsideruar një mal i shenjtë?
“Me kokë të prerë deri në majë të Tomorrit”, përgjigja e Baba Mondit befason Fevziun
Gjatë një interviste me gazetarin Blendi Fevziu në malin e Tomorrit, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj tregon për emisionin “Opinion” në Tv Klan historinë e krijimit të teqesë së Abaz Aliut. “Me kokë të prerë ka ardhur dhe ka zgjedhur malin e Tomorrit,” ishte kjo përgjigja e Baba Mondit që befasoi gazetarin Blendi Fevziu.
Blendi Fevziu: Baba Mondi, 1600 metra lartësi, kur është ndërtuar teqeja e Abaz Aliut?
Baba Mondi: E ka bërë Dervish Iljazi më 1916.
Blendi Fevziu: Pa qenka mbi 100 vjeçare. Po pse zgjodhi këtë vend kaq të bukur?
Baba Mondi: Po Zoti kështu i zgjedh dhe shenjtorët e dinë se ku duhet të rrinë. Rrinë në maja.
Blendi Fevziu: Po pse i dedikohet Abaz Aliut? Thuhet që flamurtari i tij ka ardhur vetë në Tomorr?
Baba Mondi: Po. Sipas gjithë atyre shenjtorëve tanë, Abaz Aliu është vrarë në Qerbela sepse ka qenë flamurtar i betejës së Qerbelasë dhe me kokë të prerë ka ardhur dhe ka zgjedhur malin e Tomorrit.
Blendi Fevziu: Me kokë të prerë?! Po si vjen me kokë të prerë?!
Baba Mondi: Shenjtor janë ata që janë si Zoti vetë.
Blendi Fevziu: Pra shpirti dhe materia janë dy botë të ndryshme.
Baba Mondi: Po kuptohet.
Blendi Fevziu: Pra Abaz Aliun e vranë në Qerbela se ishte flamurtari i betejës dhe ai me kokën e prerë erdhi në malin e Tomorrit. Në majë fare?
Baba Mondi: Në majë. Dhe fjala Tomorr do të thotë “mirë”, “vendi i të mirëve”.
Blendi Fevziu: Po ky quhet një mal i shenjtë, është vetëm për bektashinjtë apo për të gjithë botën?
Baba Mondi: Për të gjithë botën, vendet e mira nuk janë vetëm për një besim, janë për të gjitha besimet.
Blendi Fevziu: Është e vërtetë që edhe një grusht dheu nga varri i Abaz Alit është këtu?
Baba Mondi: Po është në vitet 1600 një Baba Haxhi Qesaraka i cili ka marrë një grusht.
Blendi Fenziu: Nga Qerbelaja në 1600, domethënë nga Iraku ka marrë një grusht me dhe, e ka sjellë në Tomorr.
Baba Mondi: Po. Në majë të Çukës.
Baba Mondi bën lutjen e veçantë brenda Tyrbes së Abaz Aliut, për Fevziun e Tv Klan
Gazetari Blendi Fevziu ka shkuar deri në Teqenë e Abaz Aliut ku takoi Baba Mondin e më pas të dy u nisën drejt Tyrbes së shenjtë në Çukën e Tomorrit. Baba Mondi shpjegoi se si besimtarët kryejnë ritin e lutjes sa herë shkojnë atje.
“Bëhet një lutje këtu në fund, gjithmonë përballë personit që është varrosur. Edhe pasi mbaron, vazhdon del përjashta.”
Më pas ai u lut brenda Tyrbes së Abaz Aliut.
Baba Mondi: Unë do bëj ritin, ejvallah. Unë do të bëj një lutje për ty dhe të gjithë këta që kanë ardhur. Bismishah, Allah Allah! O zot ti që je i pari, para teje s’ka gjë, ti që je i fundit, mbas teje s’ka gjë. Ti i dukshëm, mbi ty s’ka gjë. Ti jë i urtë e i mençur, ti ke qenë para çdo gjëje. Ti mbetesh pas çdo gjëje. Ti veç dëshiron dhe hyn në zemrën e njeriut. Ti dëgjon e shikon çdo gjë. Ti je Zoti i çdo gjëje. Mbaroma dëshirën, largoma mërzinë, ndihmomë të kryej detyrimet e mia për hir të Profetit dhe bijve të tij, të pastër e të bekuar. Të qofshim falur o Allah. Bismishah, Allah Allah!
O Zot ti je mbrojtja ime! Kam një kërkesë për gjithë këta besimtarë që kanë ardhur sot dhe për Televizionin Klan që merr pjesë në këto xhirime për këtë vend të shenjtë. Zoti na largoftë kundërshtarët, magjistarët, xhindet e syrin e keq. Na dhëntë dashuri, paqe e mirësi! Çdo hidhërim të zhduket me fuqinë tënde madhështore o Zot, në dritën e profecimit tënd ja Muhamed, ja Muhamed, ja Muhamed. Në shenjtërinë tënde, ja Ali, ja Ali, ja Ali. S’ka trim përveç Aliut. O i madhi Zot prano faljet tona! Zoti na i pranoftë!
Magjia e malit të Tomorrit dhe gatime tradicionale
Perla e Tomorrit
/tvklan.al