#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të Ftuar: Armand Shkullaku, Baton Haxhia, Mark Marku, Ornela Çuçi, Agron Shehaj, Agim Nesho

Pas arrestimit të Ilir Metës dhe ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja ka shpërthyer një situatë brenda politikës shqiptare. Nuk ka thuajse asnjë koment nga mazhoranca, ka komente sporadike nga Partia Demokratke, Partia e Lirisë është e renditur në mbrojtje të Metës. Partia Demokratike ka mbështetur arrestimin e Çyrbes. Gjykata ka vendosur që Meta të qëndrojë në burg pa afat, pritet që hetimi i tij i plotë, ngritja e akuzës, dërgimi në gjyq dhe gjykimi i tij e deri në apel do të marrë një kohë jo të shkurtër. Ish-presidenti do të qëndrojë një afat kohor që askush nuk di ta thotë. Problematika nuk lidhet vetëm me arrestimet, me çfarë po ndodh në politikën shqiptare apo nëse ka një spastrim të saj nga SPAK-u, por do të impaktojë drejpërdrejt zgjedhjet 2025. Dy nga tri protagonistët kryesorë të politikës shqiptare, Berisha dhe Meta nuk mund të zhvillojnë fushatë elektorale duke qenë nën arrest. I vetmi që do të ketë mundësi të lëvizë është kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri i vendit, Edi Rama. Si do të impaktohen zgjedhjet nga ky vendim i SPAK-ut?

Arrestimet e politikanëve, Shkullaku: SPAK do që Rama ta ketë fushën e lirë 6 muaj para zgjedhjeve

Gazetari dhe analisti Armand Shkullaku thotë se SPAK është i qartë për një qëllim të caktuar: Do që 6 muaj para zgjedhjeve, Edi Rama ta ketë fushën e lirë.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shkullaku thotë se do të donte të shikonte pamjet e policisë nga momenti i arrestimit të ish-Presidentit Ilir Meta.

Blendi Fevziu: Më the që pamjet e Çyrbes dolën…

Armand ShkullakuPamjet e Çyrbes i ka shpërndarë policia pasi u bë zhurmë për pamjet e Ilir Metës. Do doja të shikoja pamjet e policisë gjatë arrestimit të Metës. Sepse këta kanë kamera. Ministri pretendoi se atij i është paraqitur mandati, i është kërkuar me mirësjellje që të dalë jashtë, Ilir Meta i ka sharë nga nëna dhe pastaj fyerjen shqiptari nuk e duron, e kanë tërhequr zvarrë dhe e kanë goditur. Mirë do të ishte të kishim parë pamjet e policisë. Ata janë të gjithë të pajisur me kamera.

Drejtësia e re ka marrë një vendim. Dosja e intelektualit Çyrbja nuk ka drejtë që të bëhet publike, kurse dosja e Ilir Metës u shpërnda para 2 ditësh tek të gjithë mediat. Aty përmenden njerëz, biznesmenë, politikanë, kjo del lirshëm. Atje ku përmenden emra të drejtuesve të policisë, zyrtarë të lartë të shtetit. Te dosja dalin prokurorë të SPAK, dalin ministra të qeverisë, prokurorë rrethesh, dalin individë në pushtet që punojnë për krimin e organizuar. Tek dosja e Çyrbes thuhet që ka zyrtarë të lartë që akoma nuk i kemi identifikuar, ata dihet se kush janë. Nëse duan t’i nxjerrin, i nxjerrin.

Blendi Fevziu: Ti po pretendon se SPAK është tendencioz?

Armand ShkullakuTendencioz është dikush që në një moment të caktuar merr një anë, kurse SPAK-u nuk është tendencioz, por është i qartë për një qëllim të caktuar. SPAK do që 6 muaj para zgjedhjeve, Edi Rama ta ketë fushën e lirë. Këtë radhë po e bën me SPAK-un, pa Sali Berishën, pa Ilir Metën. Unë kam kaq kohë që them këtu s’ka zgjedhje. Ne jetojmë në një vend ku SPAK nuk guxon ta pyesë Kryeministrin që të thotë se këta të krimit kanë kërkuar që Çyrbja të dalë i tretë. Nuk ka pasur asnjëherë zgjedhje.

Baton Haxhiu: SPAK-u do të ndryshojë elitën politike në Shqipëri

Gazetari dhe analisti Baton Haxhiu mendon se Prokuroria e Posaçme do të ndryshojë elitën politike në Shqipëri.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Haxhiu tha se ky proces nuk është pozitiv, por ndodh në një situatë si Shqipëria ku elitat e vjetra politike nuk u lënë hapësirë gjeneratave të reja.

Por Baton Haxhiu theksoi se gabimi në një skenar të tillë është kur drejtësia bëhet selektive.

“Unë nuk bie dakord që SPAK-u nuk është këtu për të ndryshuar elitën. Realisht më herët këtu kemi biseduar si drejtësia e SPAK-ut për faktin që gjeneratat e reja nuk po ndërtojnë një rrëfim të ri për Shqipërinë dhe nuk po ndërtojnë një lider të ri, atëherë elitat e të shkuarës dhe të tashmes e kanë ngulfatur skenën politike me vjetërsinë dhe qëndrueshmërinë e gjatë në pushtet dhe natyrshëm që modele të tilla ndonjëherë realizohen edhe përmes drejtësisë. A është gabim? Natyrisht që është gabim. Por ky proces ku bëhet i rëndë? Kur drejtësia pastaj e merr guximin që të përcaktojë edhe elitën për zgjedhje, edhe etablimin e një elite e cila është në pushtet”.

Sipas Baton Haxhiut, arrestimi i dy liderëve të opozitës disa muaj para zgjedhjeve parlamentare 2025, me Sali Berishën në arrest shtëpie dhe Ilir Metën në arrest në burg, është i gabuar dhe shkatërron procesin demokratik.

“SPAK-u mund të bëjë drejtësi por njerëzit te SPAK-u duhet të kenë edhe analiza politike dhe sociale. Nuk kanë të drejtë ata ta shkatërrojnë procesin demokratik. Lejo t’i humbasin zgjedhjet dhe ktheju procesit gjyqësor. Nëse nuk humbasin zgjedhjet është çështje tjetër. SPAK nuk mund të përcaktojë rrezikshmërinë për 2 liderë për faktin se ata ndërtojnë rrëfimin e vetë. Shteti është ai që e përcakton se kush është i rrezikshëm këtu, dhe meqë pushteti i Edi Ramës e ka policinë, SPAK nuk do duhej të frikësohej nga dy liderë që janë të frikësuar.

Liderët të cilët janë të tillë dhe janë në një proces gjyqësor për korrupsion, më mirë është të ikin se sa të rrinë dhe heroizohen brenda burgut. Të jesh i korruptuar dhe të gjesh një fakt nuk do të thotë që e bën drejtësië me automatizëm dhe analizon cila është pasoja më e madhe. SPAK-u po prodhon një lider të ri, se hoqi 2. Pse e quaj drejtësi selektive? Dy liderë që janë me arrest shkatërron garën zgjedhore dhe nuk ka kuptim. Si model shndërrohet në një proces zgjedhor autokratik ose një drejtësi hibride krejtësisht autokratike. Nuk mundet drejtësia në këtë moment 5 muaj para zgjedhjeve nuk mund ta lërë që kjo të ndodhë”, u shpreh Baton Haxhiu.

Meta në burg, por a do hyjë Partia e Lirisë në zgjedhjet 2025? Nesho: Kemi 2 kushte…

Funksionari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho thotë se duhet që opozita të hyjë në zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm në mënyrë që sipas tij, të ndryshojë situata politike në vend.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Nesho shprehet se ata do të marrin pjesë në zgjedhje nëse plotësohen kushtet e opozitës për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Mirëpo, Nesho nuk preferon të japë përgjigje se çfarë do të ndodhë nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre për qeveri teknike.

Blendi Fevziu: A do të hyni ju në zgjedhje?

Agim Nesho: Po do të hyhet sepse duhet të ndryshojë situata. Shqipëria është kapur, është një detyrë, jo për interesat e opozitës, por një detyrë që ka ndaj popullit të tij. Ne do të futemi dhe do të luftojmë që opinioni publik të reflektojë. Opozita nuk hyn me këtë regjim pa u plotësuar 2 kushtet kryesore: Qeveri teknike…

Blendi Fevziu: Po nëse nuk e pranojnë qeverinë teknike?

Agim Nesho: Konkurrimi i drejtë është kur kushtet janë të barabarta për të gjithë. Edhe ideja që këtë reformë e përkrah Amerika, gënjeshtër. E përkrahin burokratë që duan të ju shërbejnë interesave të tyre. Në Amerikë ka tjetër standard.

Zgjedhjet 2025/ Agron Shehaj: Me shumë mundësi nuk do të ndodhë rrotacioni politik

Deputeti opozitar dhe kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, thotë se përballja me Partinë Socialiste në zgjedhjet parlamentare 2025 është shumë e vështirë.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Shehaj u shpreh se beteja politike ndaj mazhorancës socialiste është e fortë dhe se në zgjedhjet e vitit 2025 ka shumë gjasa që të mos ndodhë rrotacioni politik.

Por sipas tij, opozita duhet të fitojë besimin e qytetarëve dhe se rrugëtimi është i gjatë.

“Ne si opozitarë kemi dy alternativa. Ose do themi ka mbaruar kjo punë, jemi të vdekur, na ka vënë Rama përpara dhe të marrim sa të marrim. Ose të merremi dhe të mundohemi të japim atë që shqiptarët duan. Do mjaftojë? Dhe mund mos mjaftojë. Ka shumë gjasa mos mjaftojë. Por ne këtë kemi në dorë, të bëhemi të besueshëm. Këtë bën opozita. Se ndryshe alternativa është nuk po mundohem fare.

Gjendja është e rëndë dhe pikërisht sepse është e rëndë, nuk është një zgjidhje që jepet menjëherë. Por ka gjasa që mos mjaftojnë. Jo ka gjasa, por është shumë e mundur që zgjedhjet e ardhshme mos të jemi në gjendje të japim zgjidhje, në kuptimin që të bëjmë rrotacionin politik. Është e vërtetë. Është një rrugëtim i gjatë. Shqiptarët janë të zhgënjyer dhe bombardojnë çdo ditë me mesazhin janë të gjithë të korruptuar, është e vërtetë që ne jemi të korruptuar thotë Rama, por këta të gjithë kanë korruptuar, s’kemi çfarë t’i bëjmë. Është kontrasti shpëtimi, zgjidhja dhe fitimi i besimit. Është një rrugëtim i gjatë, pak nga pak, lufta është e jashtëzakonshme”, deklaroi deputeti Agron Shehaj.

Zgjedhjet 2025, Baton Haxhiu: Partitë e vogla opozitare duhet të zgjedhin një lider që i përfaqëson

“Liderët e vegjël duhet të bashkohen dhe të përcaktojne se kush mund t’i udhëheqë në një betejë”, kështu është shprehur analisti Baton Haxhiu sa i përket partive opozitare në betejën e zgjedhjeve të 2025-ës.

I ftuar në emisionin ‘Opinion’ në Tv Klan, Haxhiu theksoi se është e nevojshme që të zgjidhet një lider që të përfaqësojë opozitën. Analisti u shpreh se opozita duhet të marrë një  model ku përmendi atë të Greqisë.

Baton Haxhiu: Duhet ta mërrë një model. Modeli është që ka pasur Greqia, Tsipras. Është modeli më i suksesshëm që duhet të mbështeten në populizëm dhe në vizion. Nëse një lider ka kaq përkrahje të bashkësisë ndërkombëtare dhe kaq stabilitetit dhe kontroll të pushtetit, një model i ngjashëm që e rrezikon pushtetin e tij është vetëm modeli i Tsipras.

Dy probleme janë që opozita ta arrijë këtë. E para të lirohet nga egoja sepse paraqitja vetëm në studio televizive nuk ua fiton zgjedhjet. Duhet që të përcaktojnë liderët e vegjël, që i kanë nga 10 mijë përkrahës, duhet të bashkohen dhe të përcaktojne se kush mund t’i udhëheqë në një betejë. Kjo është sa i përket këtij lidershipit që ka krijuar parti.

Problemi është që në këtë fazë do të duhet të shihet kush është i majtë dhe kush është i djathtë. Kjo është pastaj një problematikë tjetër. Doni betejë siç thuhet kundër një lideri të fortë që e ka shndërruar politikën në regjim apo doni që ideologjikisht ta fitoni këtë betejë. Rama nuk sillet ideologjikisht me Shqipërinë dhe pushtetin.

Gjëja e dytë është që a duhet të sillet me logjikën që të refuzohet gjithçka që ky regjim ka ose të ndërtojë një strategji. Nëse ndërtohet ky model i rezistencës atëherë ka një kontradiktë këtu. Nuk mundet që rezistenca të jetë nga ballkoni edhe… Mënyra tjetër është ndërtimi i liderit dhe ai heroizohet në ballkon. Janë dy modele që duhet t’i përdorë.

Agim Nesho: Po pse ka problem me ndërkombëtarët që e kanë bllokuar me llafe.

Baton Haxhiu: Ndërkombëtarët nuk t’i fitojnë asnjëherë zgjedhjet, por nga pushteti të rrëzojnë pa kurrfarë problemi.

Baton Haxhiu: Unë mendoj se nëse të gjitha partizat e vogla nuk e prodhojnë një lider edhe nëse rezistenca nuk shkon poshtë, por ri në ballkon pa e krijuar një lider të ri i cili realisht e merr njëfarë roli vendimtar, për arsye se momentalisht Partia Demokratike për faktin që ka problem për një lider i ka pesë lider që dalin në rrugë, iu prijnë protestave. Jo, në këtë moment i duhet një lider i cili përfaqëson dhe një lider i cili heroizohet në ballkon, ndryshe nuk ka mundësi.

/tvklan.al