“Jam i hapur ndaj hetimeve”, kështu ka deklaruar këtë të Hënë (24 Shkurt) para togave të zeza në GJKKO, Safet Bajri. Siç bëri me dije avokati i tij, ai është shprehur se aludimet që qarkullojnë në media lidhur me mënyrën si është arrestuar janë të pavërteta. “Jam paraqitur vetë, jo siç e kanë trajtuar mediat, që e arrestuan, e shtrinë përtokë”, mësohet të ketë thënë ai. Më tej, ka mohuar edhe ndonjë tentativë për arratisje, duke theksuar se: Po të doja të ikja, s’më kishit kapur kurrë!
Edhe të Premten që u vu në pranga, Safet Bajri u pa i buzëqeshur teksa shoqërohej nga forcat RENEA drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Fillimisht ai u shoqërua në Policinë e Shkodrës ku më pas i është komunikuar që kishte një urdhër-arrest.
GJKKO verifikoi sot masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij dhe 2 të akuzuarve të tjerë, Behar Bajri dhe Astmer Bilali. Prokuroria e Posaçme thotë se ka dyshime se ata kanë organizuar vrasjen e Fatbardh Licit në Gusht të vitit 2018. Safet Bajri po hetohet edhe për masakrën e Dobraçit.
/tvklan.al