Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, informacion nëse është në përgjim ndonjë prej anëtarëve të kësaj gjykate.
Kryetarja Holta Zaçaj në përgjigje të pyetjes së Televizionit Klan bëri të ditur se prej mesit të javës së shkuar kërkesa është dërguar zyrtarisht, por ende nuk ka ardhur një përgjigje nga Prokuroria e Posaçme.
“Gjykata nuk ka asnjë informacion në lidhje mesa është shkruar për një përgjim të mundshëm apo të pretenduar ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pasi u informua në lidhje me këto lajme, trupa vendosi që t`i drejtohej zotit Altin Dumani me kërkesë për informacion, për ndonjë kallëzim apo hetim ndaj ndonjë gjyqtari, për sa kohë që veprimet e pretenduara i referohen një vendimmarrjeje konkrete të Gjykatës ku vetë SPAK është palë”, tha Holta Zaçaj.
Zonja Zacaj informon gjithashtu SPAK se nuk është vënë në dijeni nga asnjë anëtar i gjykatës për ndërhyrje nga politika, avokatë apo funksionarë publikë
“Si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese informova zotin Dumani se nuk jam vënë në dijeni nga asnjë gjyqtar për ndonjë ndërhyrje apo ushtrim të ndonjë forme ndikimi të papërshtatshme nga avokatë, funksionarë politikë, publikë ose subjekte të tjera”, tha Zaçaj.
Zonja Zacaj doli para mediave për të bërë publik raportin e punës për vitin 2024 të institucionit që drejton. Nga 520 kërkesa në total, gjykata shqyrtoi 408.
Bëhet e ditur se në këtë gjykatë nuk ka aktualisht stok çështjesh të prapambetura, jashtë afateve procedurale.
Klan News