#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Dy persona, babë e bir humbën jetën nga shpërthimi i ditës së premte në Lushnje. Emisioni “Opinion” ka shkuar në vendngjarje për të grumbulluar të dhëna nga ngjarja e së premtes që plagosi 7 persona. Gazetari Blendi Fevziu solli në studio edhe predha e copa metali nga kantieri i ndërtimit. Dëshmi autentike të personave, video që tregojnë momentin e shpërthimit nga kënde të ndryshme, fëmijë që kanë mbijetuar mrekullisht, detaje rrëqethëse, diskutime në studio rreth arsyes së shpërthimit, rrezikut potencial por edhe shpjegimit të aspektit ligjor të ngjarjes. A do të përfitojnë dëmshpërblim familjarët e viktimave? Kush janë përgjegjësit e shpërthimit në Lushnje?

Opinion publikon video të re nga shpërthimi në Lushnje, tronditet edhe kamera nga forca goditëse

Emisioni Opinion në Tv Klan ka publikuar një tjetër video nga shpërthimi tragjik në Lushnje më 1 Mars 2024, ku humbën jetën babë e bir dhe u plagosën 7 të tjerë.

Në videon e shfaqur në studion e Opinion mbrëmjen e së hënës, duket shpërthimi nga një tjetër kënd dhe nga një distancë më e largët, por forca goditëse ishte aq e madhe se tronditi dhe kamerën pavarësisht largësisë.

Shpërthimi ndodhi në një kantier ndërtimi me konstruksion metalik të deputetit të PS Bujar Çela, ku shpërtheu një bombol me oksigjen gjatë ngritjes me vinç, duke lënë të vdekur vinçierin dhe djalin e tij.

Të plagosur mbetën 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe deputeti Çela i cili ndodhej në vendngjarje në momentin e shpërthimit.

“Po na troket ndonjë luftë?”, Fevziu ngre pikëpyetjen për bazën e NATO-s në Kuçovë

“Çdo ushtri dhe jo vetëm ajo shqiptare përgatitet jo për të bërë luftë, por për të dhuruar paqe”, kështu i është përgjigjur gjenerali i Forcës Ajrore, Ferdinand Dimo pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Dimo ka thënë se baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një aeroport i mirëfilltë ushtarak ku mund të fluturojë çdo lloj avioni.

Ferdinand Dimo-Gjeneral i Forcës Ajrore: Sot në bazën ajrore të Kuçovës janë akomoduar 2 dronë “Bayraktar”, të cilët janë të armatosur. Por përveç asaj, dronët përdoren dhe për qëllime të ndryshme.

Blendi Fevziu: Sa kushtojnë dronë të tillë?

Ferdinand Dimo-Gjeneral i Forcës Ajrore: Droni në vetvete si armë, bashkë me pajisjet e komandimit-kontrollit dhe armatimit, afërsisht kushton 8 milionë Euro. Forca ajrore ka projekte për zhvillim dhe modernizim. Ne parashikojmë që shumë shpejt të pajisemi me sistemin anti-dronë dhe përveç asaj, do të pajiset me sistemet kundërajrore me bazën në tokë. Do të thotë se ato do të jenë me rreze të shkurtër dhe të gjatë veprimi. Do t’i shërbejnë mbrojtjes ajrore të Shqipërisë.

Blendi Fevziu: Sa veta akomodon baza e Kuçovës? Nëse do të vijë personel i huaj?

Ferdinand Dimo-Gjeneral i Forcës Ajrore: Në planin e zhvillimit, aktualisht janë duke u ndërtuar dhe elementë shtesë që do i shërbejnë jo vetëm bazës, por edhe komunitetit. Sot, në qendër të qytetit të Kuçovës është ndërtuar shtëpia e ushtarakëve me një akomodim me më shumë se 200 shtretër. Po krijohen dhe ambiente rekreasioni në të gjithë lehtësirat e domosdoshme. Në aspektin e sigursë, tashmë e dimë që siguria prevalon mbi gjithçka.

Blendi Fevziu: Ne sot kemi një aeroport ushtarak të mirëfilltë me standarde që mund të fluturojë çdolloj avioni?

Ferdinand Dimo-Gjeneral i Forcës Ajrore: Po.

Blendi Fevziu: Po na troket ndonjë luftë apo thjesht jemi duke u bër gati?

Ferdinand Dimo-Gjeneral i Forcës Ajrore: Çdo ushtri dhe jo vetëm ajo shqiptare përgatitet jo për të bërë luftë, por për të dhuruar paqe.  

/tvklan.al

Çfarë ka mbetur pas nga shpërthimi në Lushnje, Fevziu sjell detaje nga brenda kantierit

Mbrëmjen e sotme emisioni ‘Opinion’ në Tv Klan ka nisur në një mënyrë jo të zakontë ku hapja e emisionit është bërë nga kantierit ku ndodhi shpërthimi katastrofik në Lushnje.

Gazetari Blendi Fevziu ka shkuar në vendin e ngjarjes së rëndë që solli dy viktima dhe 7 të plagosur. Pamjet e rënojave tregojnë pasojat e rënda të shkaktuara nga ky shpërthim.

“Një vend i kthyer i gjithi në një rrënojë për arsye të një shpërthimi të madh. Një shpërthim që duket si një shpërthim i një arme të fortë që deri tani nuk ka një përgjigje nga ku ka ardhur. Gjithçka është e rrënuar. Një pjesë e copave të metalit janë bërë fije-fije dhe janë hedhur gati-gati si predha që mund të shkaktonin vdekjen e banorëve fare pranë”, shprehet Fevziu.

Siç shihet nga pamjet e transmetuara në ‘Opinion’ vinçi që shkaktoi shpërthimin është akoma në pozicionin e punës dhe sipër duken telat e tensionit të lartë që pretendohet se mund të ketë prekur.

Ndërkohë nga hetimet e policisë për zbardhjen e shpërthimit që ndodhi të premten në Lushnjë dhe që u mori jetën 2 personave, babë e bir dhe që plagosi 7 të tjerë, deri në këtë fazë nuk rezulton të ketë ardhur nga kontakti me linjën e tensionit të lartë edhe pse fillimisht kjo ishte pista kryesore.

Pista kryesore ku Prokuroria dhe Policia e Fierit është përqëndruar është ajo e shpërthimit për shkak të një avarie që ka ndodhur gjatë procesit të punës që kryente viktima Roland Hoxha për prerjen dhe çmontimin e disa profileve të hekurit duke përdorur flakën me nxehtësi të lartë.

Marramendëse! Gjenerali zbuloi shifrën e investimeve të “kripura” për bazën e NATO-s në Kuçovë

Gjenerali i Forcës Ajrore, Ferdinand Dimo ka treguar se për bazën ajrorë në Kuçovë, është investuar 50 milionë Euro nga NATO dhe 5 milionë të tjera nga Shqipëria.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Dimo thotë se baza taktike e NATO-s siguron të gjithë parametrat për akomodimin e të gjithë mjeteve fluturuese që ka aleanca.

Ferdinand DimoBaza taktike e NATO-s në Kuçovë është bazë shqiptare, por duke filluar nga dita e sotme klasifikohet si bazë taktike e NATO-s. Autoriteti i Komandim-Drejtimit i bazës taktike të NATO-s, do të jetë komandanti i Forcës Ajrore në kohë paqeje sepse të gjitha zhvillimet përsa i përket kapaciteteve logjistike do të jenë nën mbikqyrjen dhe monitorimin e Forcave Ajrore Shqiptare.

Blendi Fevziu: Sa pjesë e investimit vjen nga NATO?

Ferdinand Dimo: Deri më tani, në bazën ajrore Kuçovë është realizuar 50 milionë Euro investim nga fondet e përbashkëta të NATO-s dhe më shumë se 5 milionë Euro nga qeveria shqiptare. Baza taktike e NATO-s siguron të gjithë parametrat për akomodimin e të gjithë mjeteve fluturuese që posedon aleanca.

Tronditëse nga Lushnja: Gjymtyra e viktimës ishte 40 metra larg vendit të shpërthimit, djali i tij u gjet pa rroba

“Opinion” në Tv Klan është përqëndruar mbrëmjen e sotme në ngjarjen tragjike në Lushnje më 1 Mars 2024, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën babë e bir dhe u plagosën 7 të tjerë. I ftuar në emision, gazetari Merin Maçi ka sjellë detaje tronditëse nga kjo ngjarje e rëndë.

Merin Ma֛çi: Këqyrja e plotë të vendit të ngjarjes është bërë 1 ditë pasi është regjistruar ky shpërthim, më datë 2 në 8 të mëngjesit dhe 1 ditë para se kanë bërë një këqyrje paraprake të vendit të ngjarjes, ajo se çfarë ka bërë hetuesit të befasohen ka qenë forca që ka pasur ky shpërthim për shkak se njëra prej gjymtyrëve të viktimës është gjetur rreth 40 metra larg vendit ku ka ndodhur shpërthimi, ndërkohë që djali, i cili fillimisht ka qenë me shenja jete në momentin që kanë mbërritur bluzat e bardha është gjetur i zhveshur dhe pa rroba për shkak të djegieve që ka shkaktuar ky shpërthim. Ndërkohë që pjesa tjetër e personave të dëmtuar janë punëtorë të kapanoneve ngjitur…

Blendi Fevziu: Po deputeti ku është ndodhur aty?

Merin Maçi: Deputeti Bujar Çela ka qenë në pjesën e përparme pasi një pjesë e kapanonit kishte përfunduar. Ai ka qenë në një perimetër që nuk i ka shpëtuar dëmtimeve për shkak dhe të shpërndarjes së pjesëve metalike. Nga ajo që kam mësuar, më është bërë me dije se punimet në këtë magazinë do të zgjasin dhe për pak ditë dhe më pas gjithçka do të përfundonte.

Shpërthimi ndodhi në një kantier ndërtimi me konstruksion metalik të deputetit të PS Bujar Çela, ku shpërtheu një bombol me oksigjen gjatë ngritjes me vinç, duke lënë të vdekur vinçierin dhe djalin e tij.

Të plagosur mbetën 7 persona të tjerë, mes të cilëve edhe deputeti Çela i cili ndodhej në vendngjarje në momentin e shpërthimit.

Për herë të parë zbulohet shkaku: Eksperti shpjegon në Opinion pamjet e kamerave të sigurisë

Pamjet  e kamerave të sigurisë nga shpërthimi në Lushnje që shkaktoi dy viktima dhe shtatë të plagosur kanë treguar një detaj të ngjarjes. Inxhinieri për Sigurinë Teknike, Thoma Melo shpjegon me hollësi në “Opinion”  në Tv Klan shkakun e shpërthimit masiv. Bombola e gazit nuk ka shpërthyer, por janë tubat që janë çarë dhe kanë marrë flakë menjëherë.

Thoma Melo: Shikoni si rrotullohet.

Blendi Fevziu: S’më kishte rënë në sy kjo! Rrotullohet nga lart-poshtë

Thoma Melo: Nga presioni ngrihet lart dhe bie gjithë kohën. Ra nga lart, u ngul, pra zjarri ka filluar lart.

Blendi Fevziu: Zjarri ka filluar në momentin e shpërthimit.

Thoma Melo: Bombola  nuk ka shpërthyer kur ka rënë, janë këputur kabllot. Pra ajo ka dy tuba gome që merr oksigjenin, e bashkon me hidrogjenin dhe e çon te kanuça e saldimit.

Blendi Fevziu: Ato tuba janë shkëputur.

Thoma Melo: Ato tuba mund të jenë kaq të vjetër, nuk u është bërë mirëmbajtje, nuk kanë duruar presionin,  janë çarë dhe kanë marrë flakë menjëherë dhe kjo e ka nxjerrë bombolën, e ka hedhur bombolën pastaj dhe ka rënë me shpërthim  nga  lart-poshtë, ka vazhduar./tvklan.al