#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Te ftuar: Gerta Zaimi – Analiste, Armand Bajrami – Gazetar, A2 CNN, Artan Hoxha – Analist, Glidona Daci, Gazetare, Klan News
Do fokusohemi sot tek një deklaratë e dalë nga SPAK ditën e premte pasi ditën e enjte Krytari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ishte thirrur në SPAK për tu pyetur ndërkohë që ditën e premte SPAK nxorri një njoftim për 4 akuzat që ata janë duke hetuar për Erion Veliajn. Katër akuza që ka ngritur SPAK deri tani. Ne do jemi për një pjesë të emisionit për këtë çështje
Hetimet ndaj Veliajt, Bajrami: Dyshimet e SPAK janë se familjarë të kryebashkiakut kanë siguruar…
Lidhur me akuzat e SPAK ndaj kryebashkiakut Veliaj, gazetari Armand Bajrami shprehet se Struktura e Posaçme ngre dyshime se nga prova konkrete provohet se ka transaksione financiare dhe bankare të dyshimta.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Bajrami shprehet se SPAK ngre dyshime se kemi të bëjmë me një skemë fiktive të injektimit të parave në sistemin bankar me qëllim fshehjen e burimit të ligjshëm të tyre. Ai shton se dyshimet e SPAK janë se familjarë të zotit Veliaj kanë siguruar përfitime të paligjshme përmes personave që kanë lidhje direkte me Bashkinë e qytetit.
Armand Bajrami: Ka qenë një reagim që ka ardhur si një kërkesë zyrtare që unë kam kërkuar një reagim referuar atyre që zoti Veliaj pohoi një ditë më herët nga Këshilli Bashkiak. Deri në këte moment nuk ka persona të regjistruar si persona në hetim, vetëm këto katër vepra penale. Patjetër që SPAK në këtë formë konfirmon faktin që këto hetime po bëhen ndaj famijarëve shumë të ngushtë përfshirë edhe zotin Veliaj, por deri tani asnjë anëtarë i familjes së Veliajt nuk është i regjistruar si person i dyshuar apo person nën hetim në regjistrat e SPAK. Në momentin që ata regjistrohen në atë moment fillojnë edhe ecin afatet ligjore që brenda gjashtë muajsh është afati i parë hetimor ku prokuroria duhet të mbyllë hetimin.
Deri në këto momente nuk ka emra konkret dhe thirrja në SPAK e zonjës Xoxa dhe Erion Veliaj është bërë në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Pra të dy janë pyetur si persona që kanë dijeni, por jo si persona që janë nën hetim.
Dyshimet e SPAK janë se thjesht rrethi i ngushtë familjar i zotit Veliaj kanë siguruar përfitime të paligjshme përmes personave që kanë lidhje direkte me Bashkinë e qytetit dhe po ashtu Struktura e Posaçme ngre dyshime se nga prova konkrete ka transaksione financiare, bankare të dyshimta. Fatura të dyshimta dhe të gjitha në funksion të asaj që SPAK ngre dyshime se kemi të bëjmë me një skemë fiktive të injektimit të parave në sistemin bankar me qëllim fshehjen e burimit të ligjshëm të tyre.
Artan Hoxha: Erion Veliaj ‘i plagosur” politikisht, fati i tij do të varet nga rrethanat
Analisti Artan Hoxha thotë se fati i Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj pas akuzave të SPAK varet nga disa rrethana.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, analisti Hoxha shprehet se Veliaj tashmë është “i plagosur” rëndë politikisht. Sipas tij kryeministri Edi Rama me deklaratën e tij për Veliajn e ka marrë në mbrojtje atë që do të thotë se ky proces do të zgjasë.
Blendi Fevziu: Hoxha si e sheh fatin e Veliajt?
Artan Hoxha: Është “i plagosur” rëndë, në buzë të varrit politikisht, por do të varet nga disa rrethana. Për Veliajn ka një tërheqje litari të fortë. Në atë proces ka një tërheqje të fortë litari, shkon litari sa andej këndej, por një krah që e do Veliajn në burg nuk po fiton më shumë fuqi se sa krahu tjetër që po e mbron. Se si do shkoj ky rezultat, se çfarë temporitmi do të kemi për një finale, por fakti që sipas meje sot kryeministri e morri në mbrojtje do të thotë që kjo fazë do të duhet të zgjatet.
Analistja Gerta Zaimi e sheh në një mënyrë tjetër ku sipas saj drejtësia po mundohet të tregojë se të gjithë janë të ndëshkueshëm. Lidhur me kryebashkiakun Veliaj edhe Zaimi shprehet se ai është “i plagosur”
Gerta Zaimi: Është ‘plagosur’ në anën morale, në plan politik. Nuk mund të themi që nuk ka asnjë lloj pasoje nga ana morale në rang politik. Ajo e 5D është shumë e rëndë pavarësisht se ai nuk është i përfshirë direkt, por është shumë e rëndë. Megjithatë ai është i plagosur në kuptimin siç e tha Artani, por unë e shoh patjetër të dëmtuar nga ana politike dhe ana morale brenda Partisë Socialiste. Nëse do të dënohet nga ana gjyqësore është procesi gjyqësor që do e vendosë. Nuk do të thoja që drejtësia po vendos mbi bazë të tendencave të një pakle që po tërheq litarin më shumë apo më pak, do thoja që drejtësia po mundohet të veprojë për të hequr ndjenjën që në këtë vend asnjë nuk mund të ndëshkohet. Si do jetë fati i tij në terren varet shumë edhe nga opozita.
/tvklan.al