#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Partia Demokratike ka publikuar listën e kandidatëve për të kandiduar në zgjedhjet e 11 majit. Cila është filozofia pas kësaj liste dhe cilat janë surprizat? Gjithashtu, dy forca të reja politike,  Shqipëria Bëhet dhe Mundësia kanë paraqitur listat e tyre. Në një lidhje të drejtpërdrejtë, Endri Shabani dhe Agron Shehaj tregojnë strategjitë respektive.

Të ftuar: Ornela Çuçi, Gerta Zaimi, Redi Shehu, Artan Hoxha, Bledian Koka

Në lidhje nga PD: Flamur Noka

Në lidhje : Endrit Shabani, Agron Shehaj

Veliaj mbetet në burg, gazetarja për provat e reja të SPAK: Ka një numër të madh bisedash, prokuroria s’e konsideron krim…

Apeli i GJKKO në vendimin e ditës së sotme ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj

Lidhur me këtë vendim, gazetarja e Tv Klan, Bleona Metushi në studion e emisionit “Opinion” jep më shumë detaje lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në seancën ndaj Veliajt.

Gazetarja shprehet se në provat e reja të dorëzuara nga SPAK janë një numër i konsiderueshëm bisedash që kryebashkiaku ka bërë nga kabina e paraburgimit në Durrës ku ndodhet tani.

Bleona Metushi: Pas ankimit të bërë nga ana e kryebashkiakut Erion Veliaj për masën e sigurimit “Arrest me burg” Prokuroria e Posaçme iu përgjigj me një kundër ankim në gjykatën e Apelit aty ku ditën e martë në përfundim të fjalës së tyre, pra ato folën të fundit duke qenë se në lëvizje gjykatën e Apelit e kishte vendosur pala Erion Veliaj dhe të hetuarit e tjerë, dy prokurorët e posaçëm e dorëzuan gjyqtarit të posaçëm të Apelit, Engert Pëllumbi disa transkipte përgjimesh të cilat ata i kishin përftuar që nga momenti që Erion Veliaj ishte vendosur në paraburgimin e Durrësit.

Blendi Fevziu: Pra ata e kanë përgjuar Erion Veliajn në paraburgimin e Durrësit, por ishte përgjim me apo pa lejen e Gjykatës?

Bleona Metushi: Ishte një përgjim që është kërkuar një vendim gjyqësor më herët nga ana e Prokurorisë, i miratuar dhe më pas nuk konfirmohet ende se për sa ditë ka zgjatur ky përgjim megjithatë është një numër i konsiderueshëm bisedash. Janë biseda telefonike që kryebashkiaku Erion Veliaj i ka pasur me vëllanë e tij, por edhe me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, nga kabina e burgut.

Deri më tani burimet kanë konfirmuar se këto biseda dhe për këtë arsye janë dorëzuar nga ana e Prokurorisë së Posaçme në Gjykatën e Apelit për të treguar se tentativat e më hershme të konfirmuara edhe me një mesazh telefonik që kryebashkiaku Erion Veliaj i kishte dërguar gjatë kontrolleve në muajin Dhjetor një hetuesi të BKH, në vazhdën e kësaj dy prokurorët pretenduan përballë gjyqtarit Engert Pëllumbi që masa e sigurisë nuk duhet të ndryshohet, pasi kjo sjellje që është konstatuar gjatë hetimeve vijon të jetë e njejtë nga ana e kryebashkiakut.

Ndërkohë gazetarja Metushi jep detaje edhe lidhur me atë se çfarë është konstatuar në bisedat e përgjuara të kryebashkiakut Erion Veliaj. Gazetarja thekson se Prokuroria nuk i konsideron krim bisedat e Veliajt, por i ka dorëzuar për të treguar dëshirën e kryebashkiakut për të paraqitur ndryshe rrethanat të cilat prokuroria është duke i hetuar.

“Janë konstatuar biseda të cilat krybashkiaku Erion Veliaj orientonte apo bisedonte me njerëzit e tij në lidhje me intervistat në televizionet të cilat do të kryheshin, por edhe për strategjinë e tyre publike për tu mbojtur. Nuk konsiderohet krim nga ana e prokurorisë. Unë e sqarova që prokuroria i dorëzoi këto për të treguar atë që ajo pretendon, pra personalitetin dhe dëshirën e kryebashkiakut për të paraqitur ndryshe rrethanat të cilat prokuroria është duke i hetuar, pra nuk lidhet me faktin e vijimit të një krimi, por më shumë për të treguar që masa e sigurimit duhet të vijojë në të njëjtën “arrest me burg””, shprehet gazetarja Metushi.

Kujtojmë se Veliaj u arrestua më 10 Shkurt, i akuzuar për dy vepra penale, atë të “korrupsionit pasiv” në 9 raste dhe “pastrim parash”. 2 ditë më vonë, u verifikua masa e “arrestit me burg” ndaj tij në GJKKO, ndërkohë që për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa u caktua masa e “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”.

“Shqipëria Madhështore”/ Flamur Noka: LaCivita na sugjeroi koalicion sa më të gjerë për fitoren e sigurt

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, thotë se koalicioni “Shqipëria Madhështore” i udhëhequr nga PD, është më i madhi ndonjëherë në politikën shqiptare ndër vite.

Në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, Noka u pyet se mbi cilat kritere është hartuar lista dhe ndërtuar koalicioni, ku në fakt bien në sy emra politikanësh dhe kryetarë partish aleate prej vitesh tashmë në politikë, apo të quajtur ndryshe “xhaketat e vjetra”.

Sipas Nokës, është diskutuar me kreun e fushatës së PD-së, amerikanin Chris LaCivita, mundësia e daljes së Partisë Demokratike e vetme në fushatë. Por sipas Flamur Nokës, të gjithë kanë qenë të mendimit se alternativa më i mirë për të fituar zgjedhjet parlamentare të 11 Majit ishte përfshirja e një koalicioni sa më të gjerë.

“Koalicioni për Shqipërinë Madhështore ka dashur kohë, mund dhe sakrificë për t’u ndërtuar. Kur ndërton një koalicion do konsiderosh peshën e çdonjëerit prej aleatëve dhe do shpërblesh çdonjërin prej aleatëve sipas prurjes dhe peshës që ka.

Ne bëmë këtë përpjekje për të ndërtuar koalicionin që do çonte opozitën drejt fitores. Ky është koalicioni më i madh që ndonjëherë në histori ka patur një forcë politike dhe rreth vetes dhe kjo ka krijuar edhe frymë.

Çdo parti ka simpatizantët e vetë. Ne i kemi testuar ndër vite këta aleatë.

Po të vijë çështja te xhaketat, çdokush prej personaliteve në këtë listë është qindra herë më dinjitoz se tufa e hajdutëve, e krimit të organizuar që është përballë në kampin e narkorilindjes.

Është diskutuar kjo gjë dhe me stategun e fushatës tonë, Chris LaCivita, dhe konkluzioni ynë ka qenë ky: një koalicion sa më i gjerë për një fitore të sigurt. Kemi konsideruar që sa më shumë flukse të mbledhim, çdo gjë duhet të bëjmë për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo e keqe që quhet Rilindje”, u shpreh Flamur Noka.

Në koalicionin e Partisë Demokratike bëjnë pjesë 25 forca politike.

Fituesit e primareve “u dogjën” nga aleatët e PD/ Noka: E pamundur t’i vendosnim në listën e mbyllur

Mungesa e disa prej fituesve të primareve në listat e mbyllura të Partisë Demokratike, shkaktoi debate dhe pakënaqësi brenda kampit blu.

Emra të tillë si Jorida Tabaku, Dashnor Sula, Ilir Alimehmeti etj. u lanë jashtë listave të mbyllura të PD, apo siç konsiderohen vende të sigurta.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, deklaroi se për shkak të marrëveshjes me partitë aleate për të vendosur figurat e tyre në listën e sigurt, ishte e pamundur edhe vendosja e fituesve të primareve në PD.

“Primaret kanë qenë një nga shtyllat mbi të cilat është bazuar përzgjedhja e kandidatëve në listën e koalicionit. Në këtë listë nga 140 kandidatë për deputetë, 111 prej tyre janë të dalë nga primaret.

Në rastin e Tiranës ka një specifikë, ka një vendim të Këshillit Kombëtar që emëron drejtuesit politikë të qarqeve dhe të fushatës kombëtare. Ky ekip me vendim të Këshillit Kombëtar është i emëruar ekipi i drejtuesve politikë.

Nuk ka asnjë humbje PD nga përpilimi i listave. Është një detyrim jo thjesht i joni, por i një marrëveshje me aleatët që ka pamundësuar që disa nga personalitet e kësaj partie apo dhe fitues të primareve, të pamundësohen për të qenë në lista të mbyllura. Ne nuk jemi këtu për listat. Ne tani jemi përballë një situate të tillë: Ose do bashkohemi të gjithë të mundim Edi Ramën, ose Shqipëria është në rrezik”.

Sa i përket mospërfshirjes në asnjë listë të zëdhënëses së PD, Florjana Garo, Flamur Noka dha këtë përgjigje: “Zëdhënësja e PD është një nga figurat kryesore të kësaj partie. Unë personalisht kam vlerësim të jashtëzakonshëm për shkak se cilësitë e saj politike dhe njerëzore janë për t’u admiruar. Por duke qenë se znj.Garo në qarkun Durrës nuk arriti atë që pretendonte në primare, vendosi të mos përfshihej në këtë proces. Është zgjedhja e saj”.

Ftesë për koalicion nga PD? Agron Shehaj tregohet i sinqertë: S’kisha mendje fare

Partia “Mundësia” e Agron Shehajt ka paraqitur gjithashtu listën e saj të kandidatëve. Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shehaj pranon paksa ‘me siklet’,  por gjithsesi me sinqeritet  se ka pasurnjë ofertë nga Partia Demokratike për koalicion. Ai thotë se oferta erdhi dy orë para mbylljes së koalicioneve, por koha s’do të ndryshonte asgjë në vendimin e tij për të mos u bashkuar.

Blendi Fevziu: A pate ofertë nga Partia Demokratike dhe pse s’e pranove?

Agron Shehaj: Duhet të jem i sinqertë?

Blendi Fevziu: I sinqertë fare. Pse ça, do na gënjesh në studio live ti? Na more në qafë!

Agron Shehaj: Dy orë para se të mbylleshin koalicionet.

Blendi Fevziu: Po çfarë të kërkuan?

Agron Shehaj: Nëse kisha ndonjë mendje për t’u bashkuar.

Blendi Fevziu: Po ti s’kishe mendje fare?

Agron Shehaj: Nuk kisha mendje fare. Nuk dua të ankohem. Thjesht u tregova i sinqertë kur më thanë, po unë s’kisha ndërmend, edhe po të më thoshin dy javë para.

Flamur Noka: Jemi të detyruar të respektojmë vendimin e Këshillit Kombëtar

Në lidhje me emrat e kandiatëve më të votuar të primareve që ndodhen në listat e hapura të PD-së për zgjedhjet e 11 Majit, Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka tha në studion e Opionin se këto ishin vendime të Këshillit Kombëtar të PD-së: “Kryesia e partisë dhe të gjithë ne të tjerët jemi të detyruar të respektojmë një për një vendimin e Këshillit Kombëtar”.

Noka tha se në ekipin e koalicionit për Shqipërinë Madhështore përbëhet nga 55 gra, 12 prej tyre në listat e mbyllura dhe nga 18% të rinj dhe nga 7 përfaqësues të diasporës.

“Unë mund tju them që ekipi i PD dhe i koalicionit për Shqipërinë Madhështore ka një larmishëmëri. Ja po iu kujtoj një moment, janë 55 zonja nga këto në listat e mbyllura janë 12, janë 25 të rinj ose 18% e këtij ekipi që do të startojë betejën për fitore janë të rinj, 7 janë përfaqësues të diasporës.

Partitë politike në një fushatë kanë nevojë për drejtim, në çdo qark partia ka nevojë për një njeri që nuk punon për vete, që organizon, që menaxhon, që administron që punon dhe drejton fushatën në atë vend.

Në rast se figurat kryesore do të vraponin nga mëngjesi në darkë për të bërë vota për veten e vet, partia do të ishte e ç’organizuar dhe do të kalonte në një anarshi totale dhe nuk kishte drejtim dhe organizim, prandaj për të administruar partinë, për të menaxhuar proceset dhe për të maksimalizuar të gjithë fluksin i kandidatëve dhe i votave partia ka nevojë për drejtues dhe për këtë arsye drejtuesit politikë dhe drejtuesit kombëtarë që drejtojnë fushatën në nivel kombëtar janë të detyruar të mos merren me votën e tyre individuale por të merren me këtë proces“, tha Noka

Zgjedhjet e 11 Majit, Hoxha: Pas votimeve në Amerikë gjasat për fitoren e PD-së kanë ndryshuar

Analisti Artan Hoxha shprehet se pas zgjedhjeve të 5 Nëntorit në Amerikë gjasat për fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 Majit kanë ndryshuar.

I ftuar në studion e emisioni “Opinion” në Tv Klan, Hoxha theksoi se lista e Partisë Demokratike për kandidatët për deputetë në vetvete nuk ka asgjë të re përveç synimit për fitore.

“Kjo listë ekipi garues që s’ka asgjë të re është në vetvete e re se flet synim për fitore. Unë të them të drejtën të paktën derisa u bënë zgjedhjet në Amerikë e kisha të sigurtë, PD do t’i humbasë zgjedhjet dhe çfarë do i duhej në Parlamentin e ri? Të mos jetë e hallakatur siç ishte edhe në 2017 dhe siç ishte në 2021 për shkak të “non gratës” dhe konfliktit të brendshëm dhe do të vijmë në një opozitë normale kompakte, por çfarë duhet për këtë? Do të duhet një ekip parlamentar dhe besnik që nesër nuk i hallakasin, nuk i përçajnë dhe nuk i blejnë.

Pas 5 Nëntorit të zgjedhjeve në Amerikë sipas meje perspektiva ka ndryshuar, pra për mua duhet të kishte luajtur me ekip vetëm mbrojtës dhe vetëm besnik. Pas 5 Nëntorit kanë ndryshuar gjasat, por procesi është në rrugë e sipër dhe nuk e dimë se çfarë do të ndodhi deri në 11 Maj. Sali Berisha këtë ide që do të luftojë për fitore e ka pasur edhe  para 5 Nëntorit se aleancën me aleatët e ka bërë përpara. Sali Berisha me shpresat zero për fitore ka bërë një ekip ka krijuar një aleancë me të ndryshmit pikërisht për t’i dalë këtij momenti kur bën sens një ekip i tillë. Për mua para një viti nuk bënte sens”, shprehet Hoxha.

Vendosën familjarët në listat e kandidatëve/ Zbulohet truku i Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt

Në listat e kandidatëve të “Nisma Shqipëria Bëhet” të Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt, ra në sy edhe vendosja e familjarëve të tyre në krye të listave të kandidatëve për deputetë.

Por përse u zgjodh kjo metodë e tyre? Endri Shabani, në një lidhje direkte për emisionin Opinion në Tv Klan, shpjegoi mënyrën se si janë hartuar listat e kandidatëve të tyre.

Sipas tij, ai vetë, Adriatik Lapaj e Pano Soko janë vendosur në fund të listave. Z.Shabani u shpreh se për shkak të listave të hapura dhe të mbyllura, kanë zgjedhur një artificë ligjore.

“Nisma Shqipëria Bëhet” ka dalë në zgjedhjet e 11 Majit 2025 me lista të hapura.

Por, duke qenë se emrat e parë që konsiderohen në listën e mbyllur nuk votohen, drejtuesit Shabani dhe Lapaj kanë rënë dakord me kandidatët e tyre në vendet e para që të japin dorëheqjen dhe mandati t’ju kalojë pasardhësve.

Për këtë arsye, theksoi Shabani, kanë vendosur në vendet e para familjarë të tyre që të japin dorëheqjen.

“Ne kemi dalë në listë të hapur. Çdo njeri, përfshirë unë, Adriatik Lapaj, Pano Soko, do të renditen në bazë të votave që marrin personale.

E vetmja zgjidhje që kishim, prandaj kemi vendosur edhe fmailjarë, që t’i hapin rrugën brezit të ri. Ne kemi 80-vjeçarë që do i hapin rrugën brezit të ri.

Ata do të japin dorëheqjen para se të fillojë numërimi i votave. Unë jam vetë në fund të listës. Ne kemi dalë në listë të hapur ballazi me votuesit. 12 të parët do shkojnë të tërhiqen nga mandati pa problem”, u shpreh Endri Shabani.

“Do të ishte historike!” Plani ambicioz i Shehajt: Synojmë të hyjmë në parlament me 7 deputetë

Me listën për partinë e tij, “Mundësia”,  Agron Shehaj është nisur nga filozofa e thjeshtë e një vizioni për njerëzit që do të besojnë se në Shqipëri mund t’ia dilet mbanë përmes punës së ndershme. Kështu e përkufizon ai strategjinë në një lidhje direkte me emisionin”Opinion” në Tv Klan.

Sa i përket koalicionit me PD, Shehaj thotë se ka pasur gjithnjë bindjen që s’duhet vetëm rotacion  politik, por edhe një ndryshim për të fituar mbështetjen e votuesve. Nisur nga sondazhet, Shehaj ka një plan mjaft ambicioz për partinë: hyrja në parlament me 7 deputetë. 

Blendi Fevziu: Sa vota ke marrë në 2021?

Agron Shehaj: 14 mijë më duket, të paktën aq më nxorën.

Blendi Fevziu: Sa deputetë  pretendon që mund të marrësh në këto zgjedhje, cila ka qenë filozofia?

Agron Shehaj: Filozofia ka qenë shumë e thjeshtë. Ka qenë rezultat i një vizioni që ne kemi, i një plani. Ne mendojmë që Shqipëria  do të bëhet një vend i pasur vetëm në momentin që shqiptarët do të shohin dhe do të besojnë se në Shqipëri mund t’ia dalin me punë të ndershme. Të gjithë ata që janë në listë po t’i shikosh, pjesa më e madhe janë sipërmarrës të mesëm ose të vegjël, njerëz qqë kanë kërkuar t’ia dalin me punë, nuk kanë kërkuar rrugë të shkurtra, nuk kanë kërkuar t’ia dalin në kurriz të shtetit nëpërmjet korrupsionit, aferave, mashtrimeve. Kjo është filozofia jonë.

Blendi Fevziu: Pse nuk pranove të ishe në koalicion me PD kur deklaoni që nevoja më e madhe e Shqipërisë është të largohet Rama?

Agron Shehaj: Jam i mendimit, sidomos kur më thuhet të bëj si të tjerët, gjëja e parë që shoh dhe mendoj është që çdo gjë që është bërë më përpara, çdo gjë që bëjnë të vjetrit s’duhet bërë. Çështja është pse nuk kam pranuar me PD? Unë edhe kur kam qenë brenda PD, kam qenë i bindur që ne s’duhet thjesht të luftonim për rotacion politik, Rama duhet të ikë, kjo s’ka asnjë diskutim, por ne duhet të luftonim që të  sillnim një ndryshim dhe vetëm në atë moment kur qytetarët shqiptarë të bindeshin që do të sillnim ndryshim, do të na mbështesnin.

Blendi Fevziu: Edhe ju, edhe Nisma Thurje apo Shqipëria Bëhet janë të sigurta që nuk mund të marrin 50% që të shkoni drejt ndryshimit. E vetmja gjë që mund të bënit është të krijonit  një mini-grup fillimisht që mund të rritet më pas sepse Albin Kurti priti 12 vjet në Kosovë që të merrte pushtetin, edhe pse ishte një figurë goxha e rëndësishme  politike.

Agron Shehaj: Nuk kam thënë ndonjëherë që ne do të marrin 71 deputetë në zgjedhjet e para. Unë kam thënë gjithmonë që ky është një projekt afatgjatë, që për ne gjëja më e rëndësishme dhe qëllimi kryesor,  ne sondazhet që kemi  bërë, që kemi porositur nga kompani prestigjioze na nxjerrin rreth 100% të votave.  Ne mendojmë dhe jemi të bindur që mund të arrijmë një rezultat historik, të hyjmë në parlament me një  grup parlamentar që do të thotë 7 deputetë. Do të ishte historike.

Blendi Fevziu: E vështirë shumë.

Agron Shehaj: Nuk është e pamundur.

Blendi Fevziu: Të pamundur s’ka asgjë por dhe shumë e mundur nuk duket..

Agron Shehaj: Nuk thashë që është e mundur. Thashë thjesht që sondazhet që ne bëjmë, që kemi porositur nga kompani serioze, të huaja na nxjerin me këtë rezultat. Kjo s’do të thotë që punën e kemi bërë dhe s’duhet të bëjmë asgjë, duhet të vazhdojmë të punojmë. Unë i pari dhe të gjithë ata që më janë bashkuar në lëvizjen politike që kemi krijuar, s’kemi zgjedhur të bëjmë gjëra të lehta.

Agron Shehaj nuk kursehet ndaj Endri Shabanit: Ti e hëngre njëherë, unë të hapa sytë…

Agron Shehaj i partisë “Mundësia” dhe Endri Shabani i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” janë përfshirë në një debat mes tyre në emisioni Opinion në Tv Klan lidhur me zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.

Diskutimi nisi për shkak të përfshirjes së deputetit të PD Dashnor Sula në listën e “Nisma Shqipëria Bëhet”, për të cilin Shabani tha se nuk është përfundimtare pasi ka afat edhe 4 ditë për t’u bërë ndryshimet në këto lista.

Nga ana tjetër, Agron Shehaj ndërhyri duke iu drejtuar Shabanit se “nuk po tregohen seriozë” në sytë e publikut.

Diskutimi vijoi me Agron Shehajn duke i thënë se ka gabuar në aleancë politike dhe se nuk ka për t’u bërë deputet.

Agron Shehaj: Nuk kuptova lidhjen midis Dash Sulës dhe mua. Tregohuni pak seriozë sepse është me ju apo s’është me ju? Se po lini nam. Ju dëgjojnë dhe ju shikojnë.

Blendi Fevziu: Kjo është lista e kandidatëve për deputetë e “Nisma Shqipëria Bëhet”, Dashnor Sula është numri 19.

Agron Shehaj: Nuk keni pse më fusni mua në punët tuaja. Nëse u doli boja me 5 minuta, nuk është faji im. Mbani përgjegjësi.

Endri Shabani: Ndoshta dhe me Sali Berishën do bëje mirë ta kishe, por jo me mua.

Agron Shehaj: Nuk e kam me ty, ti e ke me mua se më përmende më the “ashtu si e bëmë me Agron Shehajn”. Çfarë bëre me Agron Shehajn? Ç’lidhje kam unë?

Endri Shabani: Po, thashë që të kemi bërë ftesë dhe ta bëjmë prapë që të bashkohemi pavarësisht se ke qenë deputet i PD-së…

Agron Shehaj: Unë të hapa sytë…ti e hëngre njëherë herën e parë kur gabove aleancën. Tani po e ha prapë. Nuk të bën dot njeri deputet. Unë ta bëra të qartë, të hapa sytë, ti nuk do të shikosh. Ti shikon vetëm problemet e të tjerëve dhe nuk do t’ia dish.

Endri Shabani: Agron, nuk e kemi luftën me njëri-tjetrin.

Agron Shehaj: Jo mor jo, nuk kemi luftë me njëri-tjetrin, është për të vërtetën. E imja është luftë për të vërtetën dhe shumë shpejt do bëhesh pishman. Unë ta kam thënë, edhe privatisht. Ti s’do të shikosh. Kështu që mos u merr me mua.

Shehaj-Shabanit: Është apo nuk është me ju Dash Sula?

“Nuk e kuptova lidhjen e Dash Sulës me mua. Tani e para tregohuni pak serioz sepse është me ju apo nuk është me ju”, është kjo pyetja që ndezi një debat mes  Agron Shehajt dhe Endrit Shabanit në studion e Opinionit mbrëmjen e kësaj të premte.

Shehaj tha se Shabanit nuk duhet të jetë pjesë e koalicioneve sepse sipas tij nuk do t’i ec as në këto zgjedhje. 

Pjesë nga debati:

Agron Shehaj: Nuk keni pse më fusni mua në punët tuaja. Nëse iu doli boja me 5 minuta nuk është faji im. Mbani përgjegjësi për atë që bëni.

Endrit Shabani: Ndoshta bëni mirë ta keni me Sali Berishën jo me mua.

Agron Shehaj: Jo nuk e kam me ty, ti e ke me mua, se ti më përmende më the ashtu si e bëmë me Agron Shehaj. Çfarë bëre me mua?

Endrit Shabani: Po, thash që të kemi hapur…

Agron Shehaj: Çfarë më keni hapur?

Endrit Shabani: Thashë që të kemi bërë ftesë dhe ta bëj prap që të bashkohemi pavarësisht që ti ke qenë deputeti i PD-së.

Agron Shehaj: Unë të hapa sytë.

Agron Shehaj: Dëgjo, dëgjo unë të hapa syt kur ti e hëngren herën e parë kur gabove aleancë, tani po e ha prap për faj të aleancave. Nuk të bën njeri deputet. Unë të hapa sytë, ta bëra të qartë, ti nuk do të shikosh. Ti shikon vetëm problemet etë tjerëve dhe nuk do t’ia dish.

“Vlerësova ofertën e tyre”, Sula reagon për “Opinion” për bashkimin me ‘Nismën Shqipëria Bëhet’: Po negociojmë…

Pasi u la jashtë listës së mbyllur nga Partia Demokratike, Dashnor Sula la partinë për të kandiduar me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan lidhur me këtë zhvendosje pati diskutime mes Agron Shehajt të partisë “Mundësia” dhe Endri Shabanit të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Shabani tha se nuk është përfundimtare lista e “Nisma Shqipëria Bëhet”, pasi ka afat edhe 4 ditë për t’u bërë ndryshimet në këto lista, teksa Shehaj e ka kundërshtuar duke i thënë se nuk po tregohen seriozë në sytë e publikut.

Nga ky debat ka ardhur edhe reagimi i deputetit Dashnor Sula i cili është shprehur se ka vlerësuar ofertën e tyre si dy grupime të rinjsh që mbështesin drejtësinë. Sula u shpreh se me “Nismën Shqipëria Bëhet” është duke negociuar vetëm teknikalitetet dhe grancitë.

“Unë vlerësova ofertën e tyre si dy grupime të rinjsh që mbështesin drejtësinë, mbështesin atë pa kompromis. Besoj tek fryma  e re. Me Lëvizjen Shqipëria Bëhet jemi duke negociuar vetëm teknikalitetet dhe grancitë që lista e mbyllur pranonë dorëheqjen nëse në Elbasan marrim mandat dhe unë jam kandidat që kam numrin më të madh të votave”, ishte reagimi i Dash Sulës.

/tvklan.al