#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Vitet e fundit turizmi në krahasim me vitet e mëparshme ka patur një shtrirje gati të njëtrajtshme gjatë gjithë muajve të vitit. Vitin e kaluar vendi ynë arriti një rekord turistësh, një fluks i shtuar që në fakt ka qenë i papritur për Shqipërinë. Por pragu i sezonit turistik sjell me vete edhe disa pikëpyetje të mëdha në lidhje me pritshmëritë e turistëve të huaj apo edhe me problemet që ata hasin sapo vizitojnë vendin tonë. Turizmi shqiptar në vetvete, por edhe problemet që lidhen me shërbimet, transportin ndërqytetës apo edhe çështja kaotike e plehrave janë në fokus të diskutimeve këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” në TV Klan.

Edhe arabët drejt Marina Bay, cilët janë turistët më të shumtë të resortit

Marina Bay Luxury Resort and Spa ka një eksperiencë 5-vjeçare, por vijon të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë. Këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” ishte e ftuar Elisa Bilali, përfaqësuese e Marina Bay, që tregoi se hapja e restorantit ka qenë kartvizitë edhe për pjesën tjetër të resortit. E certifikuar me 5 yje, Marina Bay është pjesë e brandit Maritim.

Për të marrë një dhomë në Marina Bay duhet të paguhen çmime që variojnë nga 250 Euro deri në rreth 500 Euro kur është kulmi i sezonit. Por cilët janë vizitorët më të shumtë të këtij resorti?

“E pranojmë të gjithë që shumica e vizitorëve janë shqiptarë që jetojnë emigrantë dhe shqiptarë të Kosovës. Së dyti janë italianët, gjermanë, tregu polak, tregu holandez. Italianët janë dominues nga të huajt. Janë të kënaqur, janë klientë që kërkojnë, por përveç asaj për ne ka një vit që ka filluar tregu arabik që vjen shumë. Vijnë, nuk e di, eksplorojnë ndoshta vendet, eksplorojnë mundësitë për të krijuar biznese këtu. Javën e kaluar kisha disa klientë armenianë dhe ata kishin ardhur në Shqipëri me idenë që hapnin hotele”, tha Bilali.

“Tim shoq e quanin të marrë”, Rajmonda: E kthyem shtëpinë 300 vjeçare në restorant-hotel-muze!

Dashuri e madhe, por edhe ëndrra të përbashkëta! Rajmonda e Gjoni ia dolën të shndërronin një shtëpi 300 vjeçare në një restorant-hotel-muze që edhe emrin e ka kuptimplotë.


Sonte në “Opinion”, Rajmonda Sulaj rrëfen se si në vitin 2004 rikonstruktuan shtëpinë e cila me kohën mori formën e “Tradita Gegë & Toskë”. Një gërshetim i përsosur i etnografisë dhe gastronomisë!

“Tradita Gegë e Toskë”

Rajmonda Sulaj: Im shoq kishte punuar si kuzhinier në Belgjikë, duke e ditur që kishte një shtëpi të vjetër 300 vjeçare në Shqipëri. Tha ok “pse të punoj për belgun, kur mund të punoj në Shqipëri që të jem ndryshe prej pjesës tjetër?” Normalisht në fillim shumë njerëz thanë “Gjoni është i marrë!” Pse nuk e prish atë shtëpi të vjetër dhe të bëjë një pallat të ri. Ndërkohë ata që kanë sha në fillim sot janë klientët më të mirë tonë. Nisëm me restorantin, më vonë hoteli. Kemi 68 dhoma, 180 persona kapaciteti.

Por nuk mbaron me kaq. Ata kanë ngritur prej dy vitesh një hotel tjetër në Theth, i cili përveçse i pozicionuar në mes të bukurisë së natyrës, ka një arkitekturë mbresëlënëse.

Rajmonda SulajSë fundmi është ideja ime, kemi një hotel në Theth. Gjëja më e mirë është të ndjekësh tregun. Gjithë bota kanë kthyer sytë te Alpet e Shqipërisë, im shoq e ka prejardhjen prej andej. Ka një kapacitet prej 40 personash, por është diçka ndryshe.  Alpet kanë kryesisht turistë gjermanfolës, së fundmi ka nga vendet nordike, baltike. Ju pëlqen gjithçka!

Këndoi mirë apo jo? Fevziu duet live me Bujar Qamilin

Blendi Fevziun jeni mësuar ta shohim mbrëmjeve para ekranit të Tv Klan teksa moderon emisionin “Opinion”. Mund ta keni parë edhe në udhëtimet e tij të shumta. Por a e keni dëgjuar ndonjëherë duke kënduar?

E pikërisht këtë bëri sonte. Në studio e emisionit “Opinion” ai vendosi një duet të tijin live me këngëtarin e mirënjohur Bujar Qamili. E nuk mund të mungonte një këngë shkodrane si “Lule borë”.

“Mirë kam kënduar ë? E di si kam qenë unë klasë? Në 8-vjeçare më hoqën nga kori se e ngrita aq shumë zërin sa prisha këngën”, tha Fevziu pasi vendosi duetin me këngëtarin.

/tvklan.al