#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni i fundit i vitit të 27-të të “Opinion” i cili do t’i lërë vendin transmetimit të ndeshjeve të Euro 2024 në Tv Klan dhe do të rikthehet në muajin shtator. Programi i kushtohet prezantimit të Shqipërisë në Euro 2024. Për të dytën herë, Shqipëria do të jetë e pranishme në kampionatin europian të futbollit. Këtë herë shkon si e para e grupit, një surprizë e rrallë. Fokus te çfarë po ndodh në Gjermani, situata e ekipit, rruga e përshkuar, pasionet dhe komentet e të ftuarve.

Çfarë i ndodhi? Fevziu shfaqet në “Opinion” si asnjëherë më parë: Kam pësuar një goditje

Në nisje të emisionit të sotëm “Opinion” në Tv Klan, gazetari Blendi Fevziu është shfaqur ashtu si asnjëherë nuk e kemi parë.

Me krahun e lënduar, Fevziu ka thënë se ditën e djeshme i ka ndodhur një incident gjatë xhirimeve në një nga parqet kombëtare në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij, Fevziu është shprehur se gjatë 27 viteve, ka ardhur edhe kur ka qenë i sëmurë apo kur ka pasur probleme të tjera në studio, por asnjëherë me krahun e dëmtuar.

Blendi Fevziu: Ju kërkoj falje për varjen e dorës sot. Dje gjatë xhirimeve në një nga parqet kombëtare në Shqiptari pata një incident. Kam pësuar një goditje dhe kështu që jam i detyruar… Kisha ardhur i sëmurë në studio, me shumë probleme gjatë këtyre 27 vjetëve, por nuk kisha ardhur asnjëherë me dorën e varur në këtë marsupin. Gjithsesi, shpresoj se nuk do të më pengojë sot për të prezantuar.

Taulant Balla flet si tifoz dhe bën parashikimet: Itali-Shqipëri është derbi, kemi sulm më të mirë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka bërë parashikimet e Shqipërisë në Euro në grupin me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Balla e konsideroi një derbi ndeshjen mes Italisë dhe Shqipërisë, për disa arsye. Por ai vlerësoi sulmin e Kombëtares Shqiptare.

Edhe me Kroacinë e konsideroi derbi ballkanik, por tha se kombëtarja kroate është në përfundim të një cikli.

“E para me Italinë, gjithmonë ekipi fitues i kampionatit ndeshjen e parë kur rikthehet e humbet. Dhe Italia humb gjithmonë ndeshjen e parë kur shkon në një kompeticion. Është një ndeshje shumë e fortë, nuk do hezitoja ta quaja dhe një lloj derbi duke qenë se kemi lojtarë që luajnë në Seria A dhe kjo e kthen në derbi, përfshirë dhe marrëdhënia e ngushtë mes dy popujve tanë. Italia nuk është një ekip që nxjerr lehtë golin. Nuk shoh diferenca të mëdha, emri i Italisë është shumë i madh. Si diferenca mes lojtarëve nuk shoh diferenca të mëdha. Sulmi ynë, mendoj që kemi një sulmues sumë të mirë në këyë nmdeshje.

Me Kroacinë është një derbi tjetër, derb ballkanik. Kroacia nuk është ajo e para 4 viteve, është në fund të një brezi të mirë lojtarësh. Nuk kam një parashikim për ndeshjen me Kroacinë”, u shpreh Taulant Balla.

“Përfaqësuesja më e mirë e të gjitha kohërave”/Sejdini flet me respekt për Gjimishitin: Fenomeni që e solli deri këtu…

Faruk Sejdini është i mendimit se kombëtarja sot ka përfaqësuesen më të mirë të të gjitha kohërave. Ish-mbrojtësi u shpreh në “Opinion” në Tv Klan se pret që në ndeshjen e parë të Shqipërisë për Euro 2024 ku do të përballet me Italinë, pret një barazim. Sa i përket futbollistëve që vlerëson më shumë, Sejdini vlerësoi maksimalisht Berat Gjimshitin.

Faruk Sejdini: Po t’i referohemi ca mund të mendojmë në gjatësi të kohës do të thosha që fillimi i mbarë është gjysma e punës dhe në këtë sens do të thosha që nëse ne kalojmë Italinë, ndoshta do të hapen shpresat më shumë, por megjithatë mendimi im është që do të barazojmë me Italinë.

Blendi Fevziu: Ti mendon që Italia që shihnim ne, mund ta rrahim?

Faruk Sejdini: Dua të them një gjë, që Italia në këto momente nuk është më e mira e saj. Ne në këto momente jemi gati-gati përfaqësuesja më e mirë e të gjithë kohërave.

Blendi Fevziu: A je i sigurt për këtë që thua?

Faruk Sejdini: Jam i sigurt për faktin se asnjëherë nuk kanë qenë kaq shumë lojtarë që luajnë me Serinë A në Itali apo nëpër Europë, në ekipe cilësore. Këtu janë shpresat. Një gjë është që duhet të bazohemi: nëse futbollistët tanë do të futen si çirakë në fushë dhe po u futën si ustallarë nuk shkon, të futen si çirakë me mënyrën tonë, atë traditë që kemi dhe pastaj ta administrojnë lojën ashtu siç duhet.

Blendi Fevziu: Kush është futbollisti që të impresionon më shumë nga këta që janë në ekip?

Faruk Sejdini: Të them të drejtën, më ha çikë lopata nga mbrojtja se kam qenë mbrojtës vetë dhe kam shumë konsideratë për Gjimshitin, pse jo dhe Asllanin.

Blendi Fevziu: Ishte i jashtëzakonshëm, u la jashtë Euro 2016, të tjerët ikën nga ekipi, Gjimshiti uli kokën dhe sot kthehet si kapiten.

Faruk Sejdini: Ndoshta ai fenomen e çoi deri këtu. Ka edhe kështu në futboll.

“Shanset më të mëdha i kemi me Kroacinë”, Salianji për Kombëtaren në Euro 2024: Ishalla e mbush shejtani

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji është shprehur se Shqipëria ka ekipin kombëtar më të mirë historik, por edhe grupin më të vështirë në histori pasi do të ndeshet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, deputeti demokrat është shprehur se Kombëtarja Shqiptare i ka shanset më të mëdha me Kroacinë teksa ka shtuar se arritja më e madhe e jona është që kemi arritur në Europian duke mundur dhe skuadra të forta.

Edhe pse e sheh paksa me pesimizëm kualifikimin e Shqipërisë në fazën tjetër në Euro 2024, deputeti Salianji nuk kursen batutat duke thënë që “ishalla e mbush shenjtani”.

Ervin Salianji: Të treja ndeshjet janë të vështira, ne kemi ekipin tonë më të mirë historik, por edhe grupin më të vështirë që mund të gjente historia. Ndeshja me Moldavinë në momentet e fundit barazuam, ndërkohë që me Portogalinë dhe Çekinë, spektakël. Shanset më të mëdha ne i kemi Kroacinë, unë mendoj se me Kroacinë ne kemi shanse.

Lojtarët e tjerë janë në përfundim të karrierës së tyre. Puna është që të dalim nga tradita. Lojtarët që kemi ne, janë lojtarët dinjitozë në ekipet më të mira, janë dhe me vlerë në treg. Po qe se hyjmë në logjikën e tregut, tek Italia mund të marrim pikë dhe për shkak të miqësoreve të fundit.

Asllani më i mirë se Kovaçiç. Unë mendoj se me Kroacinë kemi shanse dhe arritja jonë më e madhe është që jemi në Europian dhe shkuam të parët e grupit. Të tre janë ekipet më të mira në Europë dhe botë dhe të gjithë themi se do të dalim kampionë. Arritje është që jemi këtu, ishalla e mbush shejtani. Kështu e kemi shprehjen ne këtu.

Euro 2024/ Ambasadori italian Fabrizio Bucci: Shqipëria, skuadra më e vështirë për Italinë në grup

Ndeshja Itali-Shqipëri në Euro 2024 do të jetë më e veçanta për ambasadorin italian në Tiranë, Fabrizio Bucci.

I ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, ambasadori Bucci e konsideroi sfidën me Shqipërinë, si ndeshjen më të vështirë për Italinë në grup.

“U ndjeva i kënaqur sepse jam ambasadori i Italisë në Shqipëri, të shikosh një ndeshje kaq të bukur është gjëja më e bukur që mund të prisja. Do të jetë një derbi i vërtetë sepse shumë lojtarë shqiptarë luajnë në Itali, njihen siumë mirë me njëri-tjetrin. Për Italinë do të jetë ndeshja më e vështirë në të gjithë grupin, sepse ekziston rreziku i nënvlerësimit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Shqipëria është skuadër e shkëlqyer dhe ka lojtarë të mëdhenj, Asllani, Gjimshiti, gjithë mbrojtja luan në Itali. Do të jetë një derbi, në letër skuadra favorite jo gjithmonë fiton, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Unë kam frikë sulmin, Hasani, Asllani gjithashtu, është një nga skuadrat më të forta të Shqipërisë”.

Grupin ku luan Shqipëria, Italia, Spanja dhe Kroacia, ambasadori italian me ironi thotë se mungonte vetëm Brazili.

“Spanja është gjithmonë një skuadër e madhe, por Kroacia në këto 2 kampionatet e fundit ka lojtarë që kanë shumë grintë. Është një grup ferri, mungon vetëm Brazili”.

Sfidën Itali-Shqipëri që luhet të shtunën në orën 21:00, ambasadori do ta ndjekë në sheshin “Skënderbej” së bashku me disa italianë.

“Ndeshjen do ta shikoj në sheshin Skënderbej. Do jem me italianët aty”.

Të gjitha ndeshjet e Kampionatit Europian do t’i ndiqni në ekranin e Tv Klan.

Me fanellën kuqezi, Albana nga Spanja shpreh optimizëm për Shqipërinë: Ekipi këtu na nënvlerëson.

Albana Murra është ndër tifozet e diasporës së Shqipërisë që do ta përkrahë vendin nga Spanja. Edhe pse Shqipëria do të përballet me Spanjën, ajo nuk ka asnjë dyzim se për kë do të bëjë tifo. Këtë e demonstron edhe gjatë lidhjes së drejtpërdrejtë me “Opinion” në Tv Klan ku u shfaq e veshur me një fanellë kuqezi.

Gjatë bisedës, Albana përshkruan atmosferën në Spanjë. Ajo është shumë optimiste për Shqipërinë  për shkak të risive që ka sjellë Sylvinho. Gjithashtu tregon se ekipi spanjoll nënvlerëson Shqipërinë, por ky mund të jetë avantazh.

Albana Murra: Ata kanë shumë dëshirë që të fitojnë, jo vetëm dëshirë, por kanë edhe besim për shkak se Spanja e ka në gjak futbollin, unë kam 7 vjet që jam këtu dhe njerëzit janë shumë të apasionuar, jo vetëm djemtë, por edhe vajzat. Djali im është shumë i përfshirë në  futboll dhe jo vetëm djali im, unë e shikoj, 80% e fëmijëve luajnë futboll që të vegjël fare. Ata kanë besim që do të fitojnë, por unë kam besim që do të fitojë Shqipëria sepse Sylvinho e ka ndryshuar të gjithë strategjinë. Kemi një ekip shumë të mirë siç u tha edhe në studio dhe kemi diçka që ata të tjerët nuk e kanë ndoshta, besimin, grintën dhe dëshirën shumë të madhe për të triumfuar. A është e vështirë? Patjetër që është e vështirë, por Real Madridi që është skuadra ime e dytë pas Shqipërisë që jam tifoze shumë e zjarrtë e Real Madridit, e ka vërtetuar disa herë që ka fituar në minutën e fundit, kështu që futbolli gjithmonë surprizon.

Blendi Fevziu: Ne kemi të kundërtën, zakonisht hamë gol në minutën e fundit. Këtë problem kemi pasur gjithmonë.

Albana Murra: Mos ndill keq. Pastaj, më kujtohet viti 2004 kur Greqia pasi kishte fituar Europianin, ne e mundëm 2-1 kështu që flamuri më i bukur në botë…

Blendi Fevziu: Po atmosfera në shtypin spanjoll si është?

Albana Murra: Unë po lexoja qëparë disa artikuj dhe ata vënë shumë fokus te fakti që pjesëtarët e tyre të grupit do ta zhvlerësojnë Shqipërinë apo Kroacinë sepse edhe Kroacinë pak a shumë dhe kjo nuk është gjë e mirë.

Blendi Fevziu: Na nënvlerësojnë?

Albana Murra: Po, por kjo është gjë e mirë për ne.

Ambasadori italian tregon bluzën që do të mbajë veshur në ndeshjen Itali-Shqipëri

Fabrizio Bucci, ambasadori i Italisë në Shqipëri, ka zbuluar bluzën që do të mbajë të veshur mbrëmjen e të shtunës kur të ndjekë ndeshjen Itali-Shqipëri në Kampionatin Europian.

Në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, ai ka zbuluar një bluzë të stampuar me dy duar të shtrënguara të flamurit italian dhe shqiptar. Një bluzë të tillë, ambasadori ia dhuroi Blendi Fevziut me emrin e tij të stampuar.

Këto bluza, ambasadori i Italisë dhe të gjithë italianët në Shqipëri do t’i mbajnë veshur në sheshin “Skënderbej” ku do të ndjekin sfidën.

Nga ana tjetër, edhe Blend Fevziu i dhuroi ambasadorit Bucci bluzën e kombëtares shqiptare me emrin e tij, një dhuratë e përgatitur nga Tv Klan.

Fabrizio Bucci: Kam edhe një surprizë për ty. Kjo është bluza që kemi stampuar për të shtunën në mbrëmje.

Blendi Fevziu: Kam përgatitur dhe unë një surprizë për ty. Kam një dhuratë për ambasadorin, doja t’ia jepja në fund. Televizioni Klan ka përgatitur një bluzë, bluzën zyrtare të ekipit kombëtar të Shqipërisë që do të luajë në Euro 2024, me emrin e ambasadorit. Surpriza me surprizë, nuk të lë avantazh.  

“Ky është ekipi më i mirë që kemi pasur”, Balla: Vlera e skuadrës shqiptare do dyfishohet pas tre ndeshjeve

Ministri i Brendshëm Taulant Balla është shprehur se ekipi aktual i Kombëtares Shqiptare në vlerë tregu është ekipi më i mirë që kemi pasur.

I ftuar në studion e emisionit ‘Opinion’ në Tv Klan, Balla u shpreh se vlera e ekipit kombëtar shqiptar do të dyfishohet në përfundim të tre ndeshjeve të Europianit. Ministri tha se pritet një sukses edhe në aspektin personal të futbollistëve gjatë këtij kompeticioni futbollistik.

Taulant Balla: Në vlerë tregu ky është ekipi më i mirë që kemi pasur. Në total vlerësohet diku tek 110 apo 120 milion Euro ekipi kombëtar i Shqipërisë. Mos harroni që kemi futbollistë si Asllani vlera e të cilëve lëviz në çdo muaj. Një gjë e them me bindje që vlera e ekipit kombëtar shqiptar në përfundim të këtyre tre ndeshjeve do të jetë dyfish sepse mos harroni kampionati Europian dhe ai Botëror janë panaire. Aty janë të gjithë agjentët nga e gjithë bota që do të fillojnë menjëherë të japin ofertat. Ka futbollistë aty që në këto momente kanë marrë oferta dhe që presin sa të mbyllet Europiani të fillojnë të firmosin kontratat. Por performanca e ekipit në këto tre ndeshje dhe pse jo të shpresojmë edhe një ndeshje të katërt dhe të pestë, unë mendoj që do të kemi një sukses edhe në aspektin personal të futbollistëve gjatë këtij panairi të madh futbollistik.

Ministri Balla përmendi ndër të tjera edhe humbjen e Argjentinës, Kampione Bote ndaj Arabisë Saudite dhe ndikimin që pati kjo fitore në ekipin e këtij vendi. Balla u shpreh se objektivi për Europianin është arritur dhe synimi tani e tutje është Botërori 2026.

Taulant Balla: Në kampionatin Botëror fituesit e Kupës së Botës, Argjentina e humbën ndeshjen e tyre të parë me Arabinë Saudite. Ajo fitore e Arabisë Saudite ndryshoi komplet qasjen e atij vendi në marrëdhënie me futollin. Nga ai moment jo vetëm që investuan, por kur isha para pak kohe në vizitë atje më thanë që mjaftoi një ndeshje për të ndryshuar qasjen tonë në marrëdhënie me futbollin. Ajo që dua të ndaj me publikun është që ne do të luajme tre finale. E kemi realizuar objektivin tonë. Objektivi ynë tani e tutje është të shkojmë në Botëror 2026 në Amerikë, Meksikë dhe Kanada. Këtu kemi mundësi, pasi edhe grupi që na ka rënë për Konferencë Ligën nuk është një grup i lehtë, por nuk është as një grup i vështirë. Na ka rënë përsëri Çekia. Pastaj në Nëntor do të marrim vesh kush është edhe grupi kualifikues që do të luajmë në ndeshjet gjatë vitit 2025 për të shkuar në SHBA në 2026. Mos harroni se këtu e 20 vite përpara ne luanim për të mos dalur vendi i 5 dhe tani jemi vendi i parë në grup dhe luajmë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën.

“Pika e dobët e Kombëtares ky lojtar”, deklarata e Salianjit e përplas me Ballën edhe në opinione futbolli

“Pika më e dobët e jona është Hysaj”, kështu është shprehur deputeti i PD-së, Ervin Salianji mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Ka qenë kjo deklaratë që ka sjellë përplasje opinionesh mes kundërshtarësh politikë, pasi ministri i Brendshëm, Taulant Balla nuk ka rënë dakord duke thënë se Hysaj në ndjeshjet zyrtare luan shumë mirë.

Ervin Salianji: Fakti që i është dhënë mundësi një grupi të ri e të talentuar, por edhe që ka krijuar eksperiencë në nivel ndërkombëtar. Gjithashtu Gjimshiti është një kolonë dhe fitorja me Atalantën i jep një tjetër vetëbesim.

Blendi Fevziu: Po me portën si jemi këtë vit?

Ervin Salianji: Dobët. Pra, të jemi realist, porta është më dobët. Asnjë prej 2 portierëve kryesorë, edhe Berisha, edhe Strakosha nuk luajnë me klubet e tyre. Pra, nëse kemi një pikë të dobët, kemi këtë. Duke i kërkuar ndjesë… Pika më e dobët e jona është Hysaj, një lojtar që ka dhënë shumë kontribut për Kombëtaren.

Blendi Fevziu: Ka qenë aset i Kombëtares para 8 vjetësh.

Taulant BallaJo, unë nuk bie dakord. Jo pse jemi kundërshtarë. Hysaj ka një veti që në ndeshjet zyrtare luan shumë mirë.

Ervin Salianji: Të gjithë i duam, por unë mendoj se pika më e dobët është Hysaj.

Fevziu në mjetin e parë që teston urën e re të Kukësit, zbulon koston marramendëse të investimit

“Ura e Kukësit që lidh Tiranën me Prishtinën, një prej urave më të përfolura për arsye të strukturës së saj jashtëzakonisht interesante dhe ura që konsiderohet me harkun e hapur më të lartë në Europë, sipas projektuesit të saj është gati për t’u hapur. Rreth 2 muaj më parë, ne erdhëm për të parë procesin thuajse përfundimtar të urës që hapet në fund të muajit.

Atë ditë, ndërkohë që po diskutoja me inxhinierët dhe projektuesit e urës, ata më premtuan që mjeti i parë që do të kalojë në urë për të bërë testimin e saj do të jetë një mjet që do të shoqërohet nga kamerat e Tv Klan dhe të emisionit Opinion”, kështu e ka nisur pjesën e tretë të emisionit gazetari Blendi Fevziu.

Premtimi i dhënë para 2 muajsh është mbajtur dhe automjeti në të cilin ka hipur Fevziu ka qenë i pari që ka kaluar në urën e Kukësit për të bërë testimin, rrugë gjatë të cilët ka zbuluar dhe koston e këtij investimi, rreth 35 mln Euro.

Ermal Kondo, inxhinier: 5 mijë ton është e gjithë struktura e çelikut.

Blendi FevziuSa janë kamionët që do të testojmë ne sot?

Ermal Kondo: Kamionët janë në 40 ton.

Blendi Fevziu: Shkojmë ta testojmë. Pra, ky do të jetë automjeti i parë që do të kalojë në urë. Ec Zenel tani, na ectë mbarë. Tani jemi mjeti i parë që kalon nëpër urën e re të Rrugës së Kombit. 310 metra, po gjithë gjatësia që në fillim dhe deri në fund si aks, me gjithë pjesët lidhëse, sa shkon?

Ermal KondoNga mbështetja në mbështetje, jemi 270 metra që nuk ka asnjë pjesë mbajtës, vetëm struktura metalike. Është harku më i madh në rajon, ndoshta dhe në Europë. Në Ballkan është e sigurtë.

Blendi Fevziu: Si e nisët, a nuk iu është dukur e vështirë?

Ermal Kondo: Ishte sfiduese, ishte një punë shumë e veçantë, një punë e re dhe e pabërë ndonjëherë. Është puna e parë e kësaj përmase. Kostoja e urës si investim shkon diku rreth 35 milionë Euro. Unë mendoj se kjo rrugë e ka pasur të nevojshme një vepër të tillë, kaq të madhe dhe kaq të veçantë.

Blendi Fevziu: Tani po i afrohemi fundit. Testi eci mirë.


/tvklan.al