Të ftuar: Armand Bajrami, Ermaj Vija, Denata Toçe, Preç Zogaj, Mira Kazhani dhe Spartak Koka.
“Të tre kanë shkuar për lojë seksuale, ai 26-vjeçari i ka trimëruar”
Vrasja e Drita Saliajt ka tronditur opinion publik, ndërsa ngjarjen e kanë rënduar edhe më tepër dëshmitë dhe detajet e reja që janë bërë mediatike sot.
Përpara se ta hidhnin të gjallë në rezervuar, me duar të lidhura pas, autorët kishin përdhunuar 52 –vjeçare nga Gjerbës i Mallakastrës.
Detajet e krimit u zbuluan nga Prokuroria në seancën për vlerësimin e masës së sigurisë për tre të arrestuarit, Ervis Zotaj 27 vjeç, Sindi Shehaj 16 vjeç dhe nipi i viktimës, Luis Saliaj 16 vjeç.
Ka qene vetë Luis Saliaj ai që ka rrëfyer të gjithë dinamikën e ngjarjes së ndodhur mes 4 dhe 5 Janarit.
Mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion”, psikologia e njohur Denada Toçe, duke analizuar rastin dhe të dhënat e fundit, është shprehur se hipoteza e saj lidhet me joshjen seksuale nga të rinjtë drejt viktimës.
Sipas Toçes, përveç arsyes së marrjes së lëndës narkotike nga 52-vjeçarja siç dëshmohet, ajo që i ka shtyrë tre të rinjtë drejt këtij veprimi ka qenë pikërisht ana seksuale, duke pasur parasysh një femër që jetonte vetëm.
“Është edhe pjesa e joshjes së një gruaje që jeton vetëm, përderisa ka pasur dhe përdhunim. Sipas hipotezës sime, këta të tre kanë shkuar për të bërë këtë lojë seksuale meqë është grua e vetëm. Ai 26- vjeçari është ai që i ka trimëruar, ai i ka dhënë atë stimulin, është hipotezë nuk po them se është e vërtetë.
Pastaj kur kanë shkuar dhe kanë parë që ka rrëshqitur situata nga duart dhe ajo shaka nuk është më shaka por e vërtetë, se gruaja ka bërë rezistencë, çfarë ka ndodhur? E kanë dhunuar. Se të dhunohet një grua në Shqipëri nuk është asgjë, është afër mendsh se një grua që reziston, nuk i bindet burrit, këta burrat 16- vjeçar që u është rritur ajo që kanë poshtë këmbëve, e vrasin, e dhunojnë …
Kjo është një shoqëri dhune dhe teoria më e fortë sociale që e tregon krimin brenda familjes, është ajo e dominancës së burrit”.
Preç Zogaj debaton me psikologen dhe gazetaren për vrasjen e 50-vjeçares
Emisioni “Opinion” në Tv Klan ka trajtuar ngjarjen e rëndë të Mallakastrës, ku më 7 Janar u gjet e vrarë 52-vjeçarja Drita Saliaj.
Dy adoleshentë dhe një 26-vjeçar janë arrestuar si të dyshuar për këtë ngjarje. Mes të arrestuarve është dhe kushëriri i viktimës, 16-vjeçari Luis Saliaj.
Analisti Preç Zogaj, i ftuar në studio, ka debatuar me psikologen Denada Toçe dhe gazetaren Mira Kazhani për natyrën e këtij krimi të rëndë.
Preç Zogaj: Ne sot nuk jemi mbledhur për një fjalë që ka thënë një prind që s’ka për ta bërë atë. Jemi mbledhur për ata që e kanë bërë. Ajo ka vdekur, këtu jemi….
Denada Toçe: O zotëri, ai prindi tjetër vrau atë gruan se kishte shkuar në disko, ti më thua që prindi s’e bën.
Preç Zogaj: Ky është problemi. Këtë hall keni ju, të kësaj?
Mira Kazhani: Nuk kanë vrarë tre djemë, ka vrarë mungesa e dashurisë, ka vrarë familja që e ka edukuar ashtu… Ai thotë që unë e kam rritur me lakra. Unë mendoj që edhe lakrat të bëjnë vrasës, sepse je i varfër.
Blendi Fevziu: Ajo e rritjes me lakra lidhet me faktin që kam sakrifikuar për ta rritur djalin.
Mira Kazhani: Një i varfër dhe një i pasur vret sot sepse është dhe problemi i shëndetit mendor. Unë mendoj shumë që familja është e parë tek një fëmijë që bëhet i mbarë apo i mbrapshtë.
Denada Toçe: Kjo është çështje komuniteti.
Preç Zogaj: Ju jeni të shqetësuar për këtë?
Mira Kazhani: Jo nuk jam e shqetësuar për deklaratën e babait.
Preç Zogaj: Aman o ti, ajo është një gjë kot.
Denada Toçe: Si nuk shqetësohesh ti për një deklaratë të tillë?
Preç Zogaj: Ajo është një shprehje popullore…
Denada Toçe: Po si është një shprehje popullore….
Preç Zogaj: Qetësohu…Ajo është një shprehje që në të folurën shqiptare thuhet kot.
Deklarata e fortë e Preç Zogajt: Grave me urdhër mbrojtje t’u jepet edhe armë
Mbrëmjen e sotme në “Opinion”, mbi diskutimin për dy vrasjet që tronditën vendin ditët e para të janarit, analisti Preç Zogaj, është shprehur se dënimi i autorëve duhet të jepet me rreptësinë më të madhe.
Duke folur mbi krimin e rëndë të ndodhur në Paskuqan ku kunati vrau kunatën e tij, në banesë, Preçi tha se vrasësit e grave duhet të ndëshkohen rëndë, ndërsa shkoi më tej kur tha se nëse një gruaje i jepet urdhri i mbrojtjes, asaj duhet t’i jepet edhe një armë për t’u vetëmbrojtur si dhe t’i ofrohen kurse për qitje.
“Nëse kjo ka bërë denoncim dhe s’ka asnjë reagim, këtë e ka vrarë policia. Nëse policia i ka marrë kështu si sa për të kaluar radhën, se kështu lindin tragjeditë… unë nuk e di si zbatohet urdhri për mbrojtjen, por nuk mund të lihet kështu, se ka njerëz parahistorik, atëherë unë them që kujt ‘i jepet mbrojtja, duhet t’i jepet edhe arma gruas, edhe kurs për të bërë qitje, që të vetëmbrohet. Po si do ta zgjidhësh? Me edukim? ”, u shpreh Preçi. /tvklan.al