Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar: Zylyftar Bregu, Merin Maci, Eni Ferhati, Erjon Ismaili, Bleona Metushi

Mbrëmjen e kësaj të hëne emisioni “Opinion” në Tv Klan fokusohet në ngjarjet e fundit kriminale. Vrasja e 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli” vazhdon ende të shoqërohet me një sërë pikëpyetjesh. Kush ishte motivi i sherrit mes dy të rinjve? Cilët ishin personat që e ndihmuan autorin të largohej nga vendi i ngjarjes dhe pse arma e krimit u gjend ka vonë? Këto dhe shumë të tjera që lidhen me ngjarjen e rëndë diskutohen nga paneli i të ftuarve në studion e “Opinion”. Duke qëndruar sërish në zhvillimet e fundit, këtë të hënë SPAK lëshoi 21 masa sigurie. Dy gazetarëve të kronikës së zezë Elton Qyno dhe Artan Hoxha iu komunikua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Në pjesën e parë të emisionit do të diskutohet dhe zbardhja e vrasjes së atentatit ndaj biznesmenit Eduart Reçi. Cilët ishin dy vëllezërit që e ekzekutuan dhe si dështoi atentati i tyre i 8 Nëntorit?

Artan Hoxha reagon në “Opinion”: Nuk kam kryer asnjë krim

Prokuroria e Posaçme lëshoi 21 masa sigurimi për persona të përfshirë në krimin e organizuar. Mes ish-zyrtarëve të drejtësisë e policisë kishte edhe 2 gazetarë. GJKKO vendosi detyrim paraqitje për Artan Hoxhën dhe Elton Qynon.

Gazetari i kronikës së zezë, Artan Hoxha, reagoi nëpërmjet emisionit “Opinion” në lidhje me këtë ngjarje. Ai u shpreh se nuk ka kryer asnjë krim. Sipas tij, kontrolli i ushtruar ndaj tyre ka rezultuar i paligjshëm.

“Brenda një kohe të shkurtër, shtëpia ime është bastisur dy herë nga SPAK. Prej 19 viteve punë pa ndërprerje duke zënë me dorë thuajse të gjitha grupet kriminale në Shqipëri dhe jo vetëm, sinqerisht jam habitur për një masë të tillë të firmosur nga njerëz që unë kam besuar që i kam mbështetur fuqimisht në detyrën e tyre kundër elementëve kriminalë. Këtë gjë e di më së miri Vladimir Mara, Altin Dumani dhe e gjithë trupa e prokurorëve të SPAK dhe atyre të Republikës së Shqipërisë.

Edhe njëherë faleminderit prej çdo kolegu. S’kam kryer asnjë krim në detyrën time të ushtruar me krenari pranë grupit mediat Shqiptarja.com, shkollës së gazetarisë investigative dhe kronikës së zezë në Shqipëri. Na morën telefonat në mëngjes dhe pastaj na kanë bërë kontroll banese. Na thanë që kontrolli është i paligjshëm dhe na kthyen telefonët, laptopët, iPad-et, flashet dhe hard disqet”, thuhet në reagimin e Hoxhës”, tha Hoxha.

Nga Suel Çela deri te dy gazetarët, Ferhati lexon emrat e 21 masave të sigurisë

SPAK ka lëshuar 21 masa sigurie, ndër to 18 “arrest me burg”. Sonte në studion e “Opinion”, gazetari Eni Ferhati lexoi emrat e secilit prej personave nën hetim, ku përfshihen një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar dhe dy gazetarë.

Bëhet fjalë për: –Suel Çela, një prej emrave më të përfolur, që pati konflikt me ish-drejtorin e Policisë së Elbasanit (nuk është ekzekutuar masa e arrestit në burg, dyshohet se fshihet jashtë Shqipërisë).

Mario Çela (vëllai i Suel Çelës), është arrestuar para disa muajsh në Itali.

-Xhino Roka

-Klaus Matishi

-Sergei Hasanpapaj

-Bruno Azizolli

-Ledio Zabeli

-Marsel Roka

-Aldo Xhika

-Prek Kodra

-Fuat Vergjolli

-Metin Mehja

-Renato Hasani

-Artan Hoxha

-Elton Qyno

Pajtime Fetahu (ish-gjyqtarja e Elbasanit, e cila aktualisht ka masën e arrestit në shtëpi pasi u ekspozua në dosjen e grupit kriminal Çopja)

-Dedan Gjoni (ish-oficer policie, i skeduar më herët në dy dosje)

-Marsel Shega, i njohur ndryshe si Bujar Shega (biznesmen)

-Hajdar Lala

-Blerina Beqiri (avokate)

Sipas Ferhatit, nga 18 masat e “arrestit me burg” janë ekzekutuar 10 prej tyre, brenda dhe jashtë vendit.  Sa i takon dy gazetarëve, ai theksoi se nesër SPAK do komunikojë akuzat ndaj tyre, për Qynon ajo e “korrupsionit pasiv në sektorin privat e kryer më shumë se një herë” dhe për Hoxhën e “korrupsionit në kuadër të organizatës kriminale”.

“Do ta paguajë 10-fish”, si tentoi ish-gjyqtarja të hakmerrej ndaj Saimir Kodrës

21 masa sigurimi lëshoi Prokuroria e Posaçme këtë të hënë. Mes personave të përfshirë ka edhe ish-zyrtarë të drejtësisë. Mes atyre që përfundoi në pranga ishte edhe ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu, ndaj të cilës më herët është lënë në masë sigurie edhe për një çështje tjetër, në lidhje po me krimin e organizuar.

Por nga përgjimet e përftuara nga SPAK, gjyqtarja Fetahu është përfshirë në një tentativë për t’u hakmarrë ndaj drejtuesit të emisionit “Stop”, Saimir Kodra. Ky i fundit e ka denoncuar shpesh në emisionin investigativ që transmetohet në Tv Klan çështjet korruptive të kësaj gjyqtareje.

Bisedat në lidhje me këtë çështje u publikuan në emisionin “Opinion” nga gazetari Blendi Fevziu.

“I bën me dije gjyqtarja Pajtime Fetahu se ka dashur ta dëmtojë Saimir Kodrën, drejtues i emisionit investigativ “Stop”. Por në pamundësi për ta gjetur atëherë miqtë e tij, filani dhe filani, të cilët dyshohet se janë filani dhe filani, kanë djegur banesën e prindërve të tij (Saimir Kodrës). Nga biseda dyshohet se gjyqtarja Pajtime Fetah ka një shqetësim në lidhje me drejtuesin e emisionit “Stop” për të cilin personi me të cilin kjo flet thotë se do të hakmerret ndaj tij dhe shprehet se për atë që i ka bërë asaj do ta paguajë 10-fish. Biseda e përftuar është siç vijon thotë dhe është me fjalë të tmerrshme për Saimir Kodrën”, tha Fevziu.

Ndërkohë më tutje lexoi edhe bisedën në lidhje me Saimir Kodrën.  

“Në fakt unë doja ta dëmtoja direkt Saimirin. Ishte e pamundur, ruhej shumë. Flinte te “Plaza” vetë qeni, por do ta kap. Atë që të ka ba ty ai do ta paguajë 10-fish. Do më falësh që nuk jam marrë shumë me të, se e di jemi të ngarkuar. Ta kalojmë këtë valë, nuk të falet, do ta paguajë për atë që të ka bërë ty. Me atë jam marrë personalisht”, tha Fevziu.

“Snajperisti që do vriste Albin Kurtin”, kush është Prek Kodra?

Prek Kodra është në listën e 21 masave të sigurisë të lëshuara nga SPAK, por emri i tij është ekspozuar më herët në operacionin “Metamorfoza” si një individ me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gazetari Eni Ferhati shpjegoi sonte në studion e “Opinion” më shumë sa i takon këtij personazhi të botës së krimit.

“Personazh që kishte marrë porosi dhe kishte siguruar kushtet dhe mjetet për të kryer disa vrasje në operacionin “Metamorfoza”. U ekspozua dhe gjatë një e-maili që na u dha prej iranianëve ku flitej si një njohës i mirë i armëve të gjata, i dyshuar si snajperist dhe që do bënte atentat ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti”, tha Ferhati.

Përpos këtyre, Prek Kodra është edhe autor i dyshuar për atentatin ndaj Ardjan Çapjas. Ky i fundit është dënuar me burg përjetë me vendim të formës së prerë.

“Nëse e mbani mend nga Kodra e Krastës, në atë kohë shënjestra i shpëtoi atentati dhe autori i dyshuar ishte pikërisht Prek Kodra i cili ishte kontraktuar nga kjo organizatë kriminale në Elbasan për të eliminuar kundërshtarin e tyre.”

Sipas gazetarit, operacioni i fundit i SPAK është i pari i këtyre përmasave.

“Nga trafiku i lëndëve narkotike prej Amerikës Latine, pastrim parash, vrasje, atentate dhe sigurim i kushteve për të kryer vrasje, janë akuzat ndaj personave në listë”, deklaroi ai.

Kërcënimi i gjyqtares Pajtime Fetahu, Saimir Kodra falenderon publikisht Altin Dumanin

Ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu ishte në listën e masave të sigurisë që lëshoi SPAK këtë të hënë. Nga përgjimet e SPAK është bërë e ditur gjithashtu se ish-gjyqtarja është përfshirë në një në një tentativë për t’u hakmarrë ndaj drejtuesit të emisionit “Stop”, Saimir Kodra për të gjitha shkeljet dhe denoncimet e transmetuara.

Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Saimir Kodra u shpreh se në rastin me gjyqtaren Pajtime Fetahuka  ndjekur gjithmonë rrugën institucionale. Sa i përket lidhjes së saj më krimin e organizuar në hakmarrje për Saimir Kodrën, ky i fundit shprehet se nuk ka qenë në dijeni të kësaj. 

Blendi Fevziu: Saimir në momentin që po hyja në emision madje10 minutat e para mora një informacion. Dikush më çon që ka qenë një konflikt mes teje dhe gjyqtares së Gjykatës së Elbasanit. Ndërkohë që dikush më çon një informacion që me gjasë mund të jetë marrë nga dosja, nga zbardhja e “Sky Ecc”.

Saimir Kodra: E kam lexuar, e kam!

Blendi Fevziu: Por çfarë konflikti ke pasur ti me këtë gjyqtare? Si guxon një gjyqtare të përdorë krimin për t’u hakmarrë me gazetarin?!

Saimir Kodra: Asgjë më tepër se sa kam denoncuar veprimet korruptive të saj në gjykatën e Elbasanit. E kam pasur gjithçka institucionale dhe asgjë më tepër. Madje kam pasur më shumë denoncime për t’u parë personalisht me të dhe me familjen e saj, por nuk kam pranuar pasi qasja ime gazetareske ishte vetëm ajo institucionale. Por ja që jetojmë dhe në këtë vend që ka dhe kështu gjyqtarësh.

Gjatë reagimit të tij publik, drejtuesi i emisionit “Stop” sqaroi se shtëpia e prindërve të tij nuk është djegur dhe se ai nuk ka fjetur kurrë në “Plaza” për t’i shpëtuar hakmarrjes së ish-gjyqtares. Në ndërhyrjen e tij, Kodra falenderoi edhe drejtuesin e SPAK, Altin Dumani.

Blendi Fevziu: Po ua kanë djegur vërtet shtëpinë e prindërve?

Saimir Kodra: Jo! Nuk është e vërtetë fare kjo gjë madje nuk flija fare tek “Plaza.

Blendi Fevziu: Për atë jam i bindur që nuk ke fjetur tek “Plaza”, por ky duket sikur i bën më shumë qejfin gjyqtares, të ka bërë personazh të vështirë për t’u kapur.

Saimir Kodra: Për t’i  kërkuar më shumë favore. Mua më vjen mirë që kjo gjyqtare është atje ku duhet të jetë, që në fakt duhet të ishte prej kohësh.

Blendi Fevziu: Jo paska qenë prej kohësh. Kjo qenka e dyta e paska një masë më përpara.

Saimir Kodra: Po ka qenë në arrest shtëpie, unë flas për burgun. Realisht sepse po t’i kthehesh asaj që ne kemi transmetuar për të është një histori e tmerrshme se si një gjyqtare ka përfituar dhe abuzuar me vendimet e vulat, çka e di mirë dhe gjithë qyteti, por sot për fat të mirë filloi të jetojë dhe SPAK-u.

Blendi Fevziu: Saimir ti nuk ke pasur informacion asnjë informacion të raporteve të saj me grupet kriminale në drejtimin tënd?

Saimir Kodra: Jo absolutisht sepse unë nuk kam pasur informacione me këto Sky Ecc apo EnchroChat.

Blendi Fevziu: Si re në këtë informacion që më the e dija që të lexova?

Saimir Kodra: Në fakt që të jem shumë i sinqertë duhet të falenderoj drejtuesin e SPAK-ut zotin Altin Dumani, që pak kohë më parë më ka bërë këtë pyetje për djegien e shtëpisë së prindërve me demek, por që nuk është e vërtetë. Pra isha vënë në një farë informacioni.

Blendi Fevziu: Pra ishe pyetur për këtë çështje në momentin që kishin dalë informacionet?

Saimir Kodra: Po nëse kishte ndodh apo jo, sepse duket sikur është kryer si veprim, por në fakt nuk ka ndodhur. Ndërkohë që nuk e di, realisht më vjen keq për gjënë, për të gjithën, që të arrish në nivelin e gjyqtares Pajtime Fetahu në këto perceptime e në këto gjëra, nuk e di.

/tvklan.al