#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Këtë mbrëmje në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan diskutohet për ngjarjen e rëndë të pak javëve më parë që tronditi jo vetëm Shkodrën, por dhe gjithë opinionin publik. Kjo ngjarje këtë të hënë i kaloi për gjykim SPAK-ut, megjithatë ka ende elementë të paqartëa në lidhje me atentatit që u mori jetën dhe dy personave të pafajshëm. Nga masakra e Dobraçit në Shkodër mister vazhdon ende të mbetet një person i tretë, i cili është shfaqur në një video të zakonshme menjëherë pas atentatit. Personi për të cilin ditën e parë të ngjarjes pothuajse nuk u fol fare, ndërsa ditën e dytë filluan të qarkullonin vetëm foto të shkëputura nga videoja. Pikërisht këto foto kanë ngjallur mjaft pikëpyetje, pasi mendohet se personi në foto mund të jetë Ibrahim Lici. Ai është ndër njerëzit më të kërkuar në Shqipëri që prej 2019.
Të ftuar: Klodiana Lala, Mentor Kikia, Zylyftar Bregu, Fatjona Mejdini
U përpoq të mbajë në jetë Hamza Licin, misteri i personit të 3-të në masakrën e Shkodrës
Një video e shkurtër pas masakrës në Dobraç ka ngjallur shumë reagime. Kjo prej dyshimeve që u ngritën se personi në këto pamje mund të jetë Ibrahim Lici, një prej më të kërkuarve nga autoritetet policore. Sipas raportimeve të deritanishme, ai ka qëndruar në vendin e ngjarjes për rreth 15 minuta, madje dhe krah efektivëve të policisë.
Sonte në “Opinion”, gazetarja Emi Kalaja dha disa detaje më shumë sa i takon pikërisht këtij “misteri”. Ajo që thekson Kalaja është se ai i ka dhënë ndihmën e parë njërit prej viktimave, Hamza Licit. Kjo përforcon dyshimet se ky personazh mund të jetë vëllai i të ndjerit.
“Profil i rezervuar sa i takon fotove, Ibrahim Lici. Policia e Shtetit disponon foto të tij të disa viteve më parë, e fundit është dorëzuar nga vetë ai gjatë kohës që u ndalua e u la i lirë për mungesë provash në shtetin turk. Por, në këtë foto ai shfaqet me syze. Ekspertët e gjuhës së trupit thonë se bëhet fjalë për një person që është më shumë se një dëshmitar në vendin e ngjarjes, ai çalon, ka gjurmë gjaku në gishtërinjtë e tij dhe duket shumë i tensionuar. Mund të ketë qenë i përfshirë në ngjarje. Ky djalë sipas dëshmitarëve ka qenë personi që ka nxjerrë Hamza Licin nga automjeti, i ka bërë frymëmarrje artificiale, e ka ndihmuar…I ka mbështetur kokën në trotuar. Ka pritur autoambulancën për të marrë trupin. Ai shikon në të dy krahët e rrugës në pritje të autoambulancës. Është larguar me një automjet më pas”, tha Kalaja.
Kujtojmë se atentati u raportua pasditen e 30 Tetorit, me një bilanc fillestar të dy viktimave e dy të plagosurve. Por pak ditë më vonë, humbën jetën edhe dy të plagosurit. Dyshohet se në shënjestër të autorëve ka qenë automjeti në të cilin ndodheshin Arlind Bushati e Hamza Lici, ndërsa krejtësisht pa faj u gjendën në vendin fatkeq çifti Bashkim e Flutura Basha.
“Për Hamza Licin nuk u hapën dyert e mortit”, dyshimi i gazetares: Në banesë mund të ketë qenë…
Gazetarja Klodiana Lala mendon se Ibrahim Lici ka qenë në makinën ndaj të cilës u bë atentat më 30 Tetor në Dobraç të Shkodrës. Katër persona humbën ngjarje si pasojë e kësaj ngjarjeje, mes të cilëve edhe Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit.
Lala tha gjatë emisionit “Opinion” se dyshon që ai të jetë fshehur në banesën e tij, pasi varrimi i Hamza Licit u bë me dyer të mbyllura dhe nuk u pranua askush, diçka e pazakontë sipas saj për traditat në veri. Sipas gazetares policia duhet të kishte kontrolluar edhe në banesën e tij.
“Nuk mund ta jap definitivisht, por unë mendoj që Ibrahim Lici ka qenë në atë makinë. Ajo çka më bën dyshime është një gjë. Lictë nuk e hapën, siç i themi ne në veri, derën e mortit, nuk pritën askënd. Ishte e para herë që në Shkodër varrimi i Hamza Licit u bë me dyer të mbyllura dhe nuk u pranua askush. Unë mendoj që policia do duhej të kishte shkuar dhe të bënte kontroll brenda në banesë. Ky është dyshimi im. A mund të ngrej dyshime unë si gazetare që ai mund të ketë qenë brenda në banesën e tij dhe mund të ketë marrë kurim aty? Ky është një dyshim. E dyta gjurmët e gishtërinjve që janë gjetur në pistoletë dhe në automjet janë gjurmë jo të plota. Duan një hetim më të thelluar, sepse duhet të kesh disa elementë për ta identifikuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, tha Lala.
Kujtojmë se policia ka kontrolluar disa klinika private pasi dyshohet se Ibrahim Lici ka mbetur i plagosur nga kjo ngjarje, por deri më tani nuk është gjetur asgjë.
Atentati në Dobraç, në makinë ishin 4 persona? Lala tregon detajet që ngritën dyshime
Kur policia po kërkon të identifikojë një person të tretë që dyshohet se ka qenë në makinën që u bë atentat në Dobraç të Shkodrës më 30 Tetor, gazetarja Klodiana Lala hedh dyshime se aty mund të ketë qenë edhe një i katërt.
Ajo tha gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan dy detajet që i shtynë efektivët e policisë të mendonin diçka të tillë.
“Kam dyshime të forta që Ibrahim Lici është gjetur në atë automjet. Nuk e di nëse është i njëjti person ose jo. Unë dyshoj që kanë qenë dhe më shumë. Pse nuk u fol natën e parë? Sepse natën e parë policia akoma nuk e kishte këqyrur të gjithë makinën e shënjestrave. Të nesërmen kur është bërë rikëqyrja e automjetit kanë rezultuar dy detaje që ngritën dyshime më pas për persona të tretë apo të katërt në këtë automjet. Pse e them këtë gjë? Në sediljen e pasme të automjetit janë zbuluar gjurmë të gjakut. Për pasojë personi i gjetur mbrapa ka qenë i plagosur. Ka qenë e hapur dera e pasagjerit në pjesën e pasme të makinës dhe pjesa para kur ka qenë tashmë i ndjeri Arlind Bushati. Janë gjetur tre pistoleta dhe njëra është përdorur dhe është përdorur nga personi i ulur në pjesën e pasme të automjetit”, tha gazetarja.
Lala u shpreh se automjeti që drejtohej nga Hamza Lici u qëllua për 150 metra. Pasi humbi kontrollin edhe u përplas me motorin ku udhëtonin çifti Bashkim e Flutura Basha, të cilët humbën jetën, makina tip “Benz” përfundoi në një mur. Sipas gazetares, autorët kanë ndaluar dhe kanë qëlluar mbi 70 plumba që të siguroheshin për vdekjen e shënjestrës së tyre. Por teksa në videot e publikuara pas atentatit shfaqet një person me duart me gjak i cili kërkohet të identifikohet, gazetarja Lala thotë se Ibrahim Lici mund të jetë larguar me urgjencë për dy arsye.
“Ibrahim Lici unë dyshoj se ka qenë në automjet, por në momentin që ka dalë unë mendoj se është larguar me urgjencë. Pse e them këtë gjë? Nuk besoj se ka qëndruar për një arsye shumë të thjeshtë. E para sepse ai mund të ishte sërish në rrezik nga atentatorët. E dyta ishte në kërkim ndërkombëtar dhe rrezikon një dënim të përjetshëm për vrasjen e Endri Mustafës, po ashtu ka një sërë akuzash të tjera. Po ta shikosh ka një gjë. Policia në momentin që e ka konstatuar, janë pyetur punonjësit e policisë, por nuk e kanë identifikuar”, tha gazetarja.
E dinte Shërbimi Sekret? Lala: Atentati në Dobraç, ngjarje e paralajmëruar
Ka dyshime se atentati në Dobraç të Shkodrës ishte ngjarje e paralajmëruar. Sipas gazetares Klodiana Lala “Shërbimi Sekret ka çuar informacione paraprake” te Policia. Sonte në studion e “Opinion”, ajo theksoi se forcat policore janë vënë në alert para atentatit.
Klodiana Lala: Ky është një atentat i mirëorganizuar.
Blendi Fevziu: Çfarë informacioni ka çuar Shërbimi Sekret?
Klodiana Lala: Ka një dokument zyrtar të Shërbimit Informativ (SHISH), është pranuar edhe nga autoritetet që është marrë dhe kërkuar të ketë kontroll e postblloqe, një lloj alerti të shtuar për lëvizjet e Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Kjo nuk ka ndodhur!
/tvklan.al