Biznesmeni Samir Mane ishte i ftuar në emisionin “Opinion Plus”, nga ku foli për karrierën e tij të suksesshme dhe për 2 vjetorin e Qendrës Tregtare Univers, e cila është qendra e parë tregtare e përmasave kaq të mëdha në Shqipëri.
Qendra Tregtare Univers u inagurua më 30 Shtator të vitit 2005 dhe ditën e djeshme festoi 2 vjetorin e saj, duke shënuar edhe numër rekord të vizitorëve.
Blendi Fevziu: Pas 2 vitesh të një aktiviteti relativisht intensiv, sa janë realizuar parashikimet tuaja në business planin që keni bërë në momentin e ndërtimit të kësaj qendre?
Samir Mane: Të them të drejtën dje ka qenë një ditë shumë e rëndësishme për Qendrën Tregtare Univers. Jo vetëm për 2 vjetorin, por dje ka patur numrin më të madh të klientëve të evidentuar. Deri në orën 15:00 ka patur 30,000 dhe në fund të ditës, nëpërmjet matjeve elektronike që ne bëjmë, ka qenë 41,000 persona që kanë vizituar qendrën. Jo të gjithë janë konsumatorë, por një pjesë e madhe e tyre janë koNSumatorë. Ky është rekord për qendrën.
Blendi Fevziu: Sa është mesatarja e vizitave ditore në QTU gjatë 2 viteve?
Samir Mane: Diku te 6,000 vizitorë në ditët normale. Në fillim ka patur më shumë vizitorë se konsumatorë, por tani është rritur numri i konsumatorëve. Në fundjavë numri i vizitorëve shkon në 9,000-10,000. Konsumatorët është e vështirë për t’i matur, përveçse në njësitë tona të shitjes të Euromax dhe Neptun, për arsye se qendra ka shumë dyqane dhe ne kemi akses të matim këto të dyja.
Blendi Fevziu: Pra, bëhet fjalë që në 2 vite keni patur rreth 4 milionë vizitorë.
Samir Mane: Rreth asaj shifre.
Blendi Fevziu: Cili është volumi i qarkullimit ditor në qendrën tregtare?
Samir Mane: Për arsye se janë shumë biznese është e vështirë të matet xhiroja e tyre totale. Por elementi më i rëndësishëm i matjes së qarkullimit të një qendre është numri i viziotrëve ose numri i konsumatorëve.
Blendi Fevziu: Kjo është mënyra se si maten edhe në botë?
Samir Mane: Kjo është pjesa më e rëndësishme e matjes së konsuamtorit edhe në botë.
Blendi Fevziu: Nëse ju pyes sot, në momentin që morët vendimin për të ndërtuar një qendër tregtare në Tiranë, sa vizitorë në ditë parashikonit?
Samir Mane: Në business plan kemi parashikuar rreth 2 milionë vizitorë në vit, pra shifra e sotme e ka tejkaluar numrin e vizitorëve. Do të thoja që business plani që kam bërë është super realizuar. Duke menduar që në bëmë një businessplan pa një sistem reference.
Blendi Fevziu: Pse?
Samir Mane: Sepse nuk kishte një qendër tregtare në Shqipëri. E vetmja mundësi ishte që ta shihnim në raport me vendet e rajonit.
Blendi Fevziu: Përderisa parashikimet tuaja janë tejkaluar, edhe fitimet tuaja kanë qenë më të mëdha nga sa parashikonit.
Samir Mane: Patjetër.
Blendi Fevziu: Në momentin që ju morët vendimin të ndërtonit një qendër tregtare të këtyre përmasave në Shqipëri, a kishte në rajon qendra të tilla tregtare?
Samir Mane: Në fakt vendet e tjera të rajonit kanë patur një mini traditë në drejtimin e shitjes me pakicë apo atë që ne e quajmë “retail”. Ka qenë disi më e organizuar. Te ne nuk ka patur pothuajse fare një qendër tregtare dhe një shitje me pakicë të organizuar. Edhe në rajon qendrat tregtare moderne janë një fenomen i ri. Megjithatë të gjitha vendet e rajonit janë para nesh në këtë drejtim.
Blendi Fevziu: Sa dyqane përfshin Qendra Tregtare Univers?
Samir Mane: Për momentin kemi 69 dyqane. Shumë shpejt do të hapim pjesën e dytë të qendrës, e cila e dyfishon sipërfaqjen e shitjeve. Përveç dyfishimit të Euromax dhe Neptun, do të kemi dhe 49 dyqane të tjera, të cilat do të jenë firmat më të rëndësishme në tekstil.
Blendi Fevziu: Janë kompani që kanë transferuar bizneset e tyre në qendër apo janë kompani që kanë ardhur rishtazi në Shqipëri?
Samir Mane: 95 përqind e tyre janë dyqane që kanë ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe përfaqësohen eksluzivisht në Qendrën Tregtare Univers.
Blendi Fevziu: I keni kontaktuar ju, apo kanë qenë ata të interesuar?
Samir Mane: I kemi kontaktuar ne që të jem realist. Ne me strategjinë tonë duam që të sjellim dyqane të reja. Ne i kemi kontaktuar dhe i kemi bindur që të vijnë në Shqipëri. Një pjesë e madhe e tyre kanë patur hezitim, pasi në të dhënat që shohin në internet për Shqipërinë, kanë parë që tregu është i vogël dhe iu është dukur kaotik.
Blendi Fevziu: A ka kompani që kanë refuzuar të vijnë?
Samir Mane: Për momentin ka 2 kompani. Megjithatë në 22 kompani që ne përfaqësojmë në Shqipëri, është shumë e vogël. Bëhet fjalë për kompani si Mango, Max, Esprit, të cilat vijnë për herë të parë në Shqipëri. Ata kanë më shumë se 1000 dyqane në të gjithë Europën dhe vijnë për herë të parë në Shqipëri. Sigurisht që kemi patur probleme deri sa t’i sillnim.
Blendi Fevziu: Kanë qenë të kënaqura më pas me shifrat e bizneseve?
Samir Mane: Njëra nga kompanitë që operojmë është më shumë se e kënaqur.
Blendi Fevziu: Si lindi ideja e Qendrës Tregtare Univers? Përse kaluat nga tregtia e elektronikës dhe hytë në atë të supermarketeve dhe të qendrave tregtare?
Samir Mane: Unë operoj me dyqanet Neptun edhe në vende të tjera të Ballkanit. Duke kontaktuar për hapësira dyqanesh me elektroshtëpiake në vendet e tjera, pashë që nuk ishte e kollajshme. Në atë moment vendosa që të hap një dyqan të ri e të madh Neptun në Tiranë. Më pas lindi ideja për ta bërë qendër tregtare, pra për të patur më shumë dyqane.
Blendi Fevziu: A kishit besim se një qendër tregtare mund të funksiononte 6 km larg Tiranës dhe buzë një autostrade?
Samir Mane: Unë kam patur bindjen që në fillim që kjo do të funksiononte, kryesisht nga statistikat e vendeve të rajonit. Në qoftë se një gjë funksionon në rajon, jam i sigurt që do të funksiononte dhe në Shqipëri. Kishte funksionuar në Maqedoni, Bullgari, Rumani, Kroaci etj. Në konceptin e qendrave tregtare ka dy lloj modelesh, ato që quhen “city centre”, që janë brenda qytetit dhe qendrat që janë jashtë qytetit.
Blendi Fevziu: Përse zgjodhët këtë të dytën dhe jo të parën?
Samir Mane: Mundësitë ishin të kufizuara për të ngritur një qendër tregtare brenda Tiranës, për arsye të vendit. Një qendër tregtare e mirëfilltë kërkon hapësira të mëdha edhe për parking, edhe në metodikën e ndërtimit. Kështu që unë vendosa të dilja jashtë Tiranës.
Blendi Fevziu: Sa është sipërfaqja e Qendrës Tregtare Univers?
Samir Mane: Aktualisht, me të dyja pjesët e ndërtuara është 42 mijë metra katrorë me 1200 vende parkime. Sipërfaqja neto e dyqaneve shkon 22 mijë metra katrorë.
Blendi Fevziu: Cila është filozofia e një qendre tregtare? Ku dallon ajo nga dyqanet e zakonshme?
Samir Mane: Një qendër tregtare është një organizim dyqanesh si një i përbashkët. Shfrytëzojmë sipërfaqet e përbashkëta, bëjmë marketing bashkë dhe mundohemi ta sjellim klientelën në të njëjtën zonë, çka nuk ndodh në dyqanet e tjera në rrugët e qytetit. Një nga arsyet që më ka çuar mua të ndërtoj një qendër tregtare është se Tirana është ndoshta i vetmi kryeqytet që nuk ka rrugë këmbësorësh, pedonale. Duke qenë se nuk ka një të tillë, njerëzit duan të shkojnë në një vend dhe të mbarojnë punë, të blejnë çdo gjë.
Blendi Fevziu: A ka shanse që Tirana të ketë një pedonale, rrugë tregtare?
Samir Mane: Nuk e njoh shumë mirë Tiranën, por jam i sigurt që ka vende ku mund të bëhet një pedonale.
Blendi Fevziu: Sa veta janë të punësuar në QTU?
Samir Mane: Me gjithë pjesën që po shtohet, duhet të jenë diku te 1100 të punësuar.
Blendi Fevziu: Cila ka qenë vështirësia më e madhe për ndërtimin e kësaj qendre tregtare?
Samir Mane: Në fazën e parë nuk kam patur ndonjë vështirësi të madhe për ndërtimin e qendrës, pasi mjetet financiare dhe business plani e suportonin maksimalisht ndërtimin e saj. Sigurisht që mora dhe një risk përsipër, pasi pjesa më e madhe e njerëzve që më rrethojnë, duke përfshirë njerëz të afërm të familjes, nuk ishin optimistë që njerëzit do të shkonin 6 km jashtë Tiranës të blinin. Ndoshta kam qenë unë i vetmi optimist në fuknsionimin e kësaj qendre.
Mane gjithashtu rrëfeu pse vendosi të largohej nga Shqipëria dhe si u bë një nga personat më të pasur të saj.
Blendi Fevziu: Cilat janë bizneset e tjera tuaja?
Samir Mane: Biznesi im kryesor është shitja e pajisjeve elektroshtëpiake në të gjithë Europën. Unë operoj në 14 vende të Europës, me një zyre qendrore në Vjenë dhe zyrat e mia operacionale i kam në këto 14 vende.
Blendi Fevziu: Si keni hyrë në këtë biznes?
Samir Mane: Rastësisht ose jo rastësisht, në 1992 kam përkthyer firma shqiptare që blenin në Vjenë produkte elektroshtëpiake. Pak muaj kam luajtur rolin e përkthyesit, më vonë kam filluar vetë aktivitetin e shitblerjes së elektroshtëpiakeve. Në vitin 1993 kam hapur një firmë në Vjenë, e cila funksionon edhe sot më së miri.
Blendi Fevziu: Me sa (para) e keni nisur aktiviteti ne parë?
Samir Mane: Në atë kohë, diku te 13 mijë Dollarë.
Blendi Fevziu: Si ndodhi që një student si ju, që kishit lënë vitin e fundit të studimeve dhe kishit emigruar në Austri, u bë një nga njerëzit më të pasur të Shqipërisë?
Samir Mane: Është një histori e gjatë pune sigurisht. E kam kërkuar biznesin, që kur u largova nga Shqipëria doja të kisha biznes privat.
Blendi Fevziu: Pse kishit zgjedhur të studionit për gjeologji?
Samir Mane: Gjeologjia ngeli rastësi. Nuk kam dashur ndonjëherë të studioja për gjeologji.
Blendi Fevziu: Cila do të kishte qenë preferenca juaj?
Samir Mane: Patjetër ekonomia, por në gjeologji ngela. E studiova sepse duhej ta studioja për shkak të komunizmit.
Blendi Fevziu: Pse u larguat në Austri?
Samir Mane: Si pjesa më e madhe e njerëzve që u larguan, edhe unë u largova për arsye ekonomike, për një jetë më të mirë, të cilën pas 14 vitesh e realizova.
Blendi Fevziu: Po më pas si eci biznesi juaj?
Samir Mane: U mora kryesisht me Shqipërinë, në ’94 kam filluar me Maqedoninë, në ’95 hapa për herë të parë zyrën në Maqedoni. Duke qenë se deri në vitin 1999 Vjena ishte qendra e këtij biznesi në të gjithë Europën, kam njohur shumë persona që operonin në vendet lindore si Ukrainë, Moskë, Rumani, Bullgari e deri në Poloni. Jam marrë me shitjen e pajisjeve elektroshtëpiake në përmasa shumë të mëdha në këto vende të Europës Lindore.
Blendi Fevziu: Siç pyeten zakonisht njerëzit e pasur, kur e keni bërë 1 milionshin e parë?
Samir Mane: Nuk e mbaj mend.
Blendi Fevziu: Cili është biznesi juaj kryesor, duke përfshirë dhe ato në vendet e huaja?
Samir Mane: Unë e kam ndarë biznesin në dy pjesë, biznes internacional, i cili është pjesa më e madhe e biznesit tim dhe investim në Shqipëri.
Blendi Fevziu: Përvec QTU, keni projekte të tjera në Shqipëri?
Samir Mane: Unë kam ngelur në Shqipëri në tregtinë e shitjes me pakicë. E para është rrjeti i dyqaneve me pajisje elektroshtëpiake Neptun, më pas është rrjeti i supermarketeve Euromax, i cili është më i madhi në Shqipëri. Atë e zhvillojmë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilit i kam shitur prej një viti 10% të aksioneve të këtij aktiviteti. Sëbashku me ta do të realizojmë investime të mëdha.
Blendi Fevziu: Sa është fatura financiare e këtyre projekteve?
Samir Mane: Vetëm në supermarketet do të shkojë deri në fund të vitit 2008 diku te 25 milionë Euro. Projekti i tretë është ndërtimi i qendrave të reja tregtare. Shumë shpejt do të nisim ndërtimin e një qendre të re në Tiranë dhe në 3 qytete të tjera të Shqipërisë me një faturë prej 120 milionë Euro investime për vitin 2008.
Blendi Fevziu: Po fatura totale e shtrirjes së rrjeteve Neptun dhe Euromax dhe qendrave tregtare sa mund të shkojë?
Samir Mane: Mund të shkojë diku te 160 milionë Euro.
Blendi Fevziu: Ku do t’i gjeni 160 milionë Euro?
Samir Mane: Ka dy mënyra për t’i gjetur, me kredi nga bankat, pasi sistemi bankar në Shqipëri funksionon shumë mirë, por kemi dhe mundësinë për të huazuar dhe nga banka të tjera internacionale. Kur mjetet financiare nuk mjaftojnë, mund të shesim pjesë të vogla të kompanive.
Blendi Fevziu: A përbën problem konkurrenca?
Samir Mane: Absolutisht jo, konkurrenca është gjithmonë zhvilluese. Unë mendoj që konkurrenca më tepër na ndihmon për të ecur përpara.
Blendi Fevziu: Ku ka qenë më e vështirë për të zhvilluar biznesin?
Samir Mane: Secili vend ka formatet e veta, vështirësitë janë të ndryshme nga njëri vend në tjetrin për shkak të standardeve që aplikohen në tregtinë e shitjeve me pakicë. Duke qenë se në Shqipëri nuk ka ende standard në këtë pjesë, hapja dhe zhvillimi i këtyre bizneseve nuk ka qenë shumë e vështirë, por operimi i tyre ka qenë.
Blendi Fevziu: Cila është vështirësia më e madhe për të bërë biznes në Shqipëri?
Samri Mane: Vështirësia më e madhe është informalizmi që ekziston në tregtinë e shitjeve me pakicë. Do të thotë që të njëjtat produkte që unë shes në supermarketin tim, shiten dhe në 10 mijë dyqane të tjera në gjithë Shqipërinë. Ne nuk na ndikon direkt në shitje, por deri diku është një lloj konkurrence e pandershme, pasi ata shesin pa faturë tatimore.
Blendi Fevziu: Cili është problemi më i madh që ju keni hasur në biznesin tuaj? Informaliteti?
Samir Mane: Kryesisht informaliteti. Nuk ka vështirësi burokratike. Në qoftë se do të hapësh një dyqan në një vend tjetër të rajonit, ka procedura burokratike, ndoshta dhe më të mëdha se në Shqipëri.
Biznesmeni Mane foli edhe për situatën politike në Shqipëri, ndikimin e saj në ekonomi, si dhe për vendimin e tij për të qëndruar në Shqipëri./tvklan.al