Synaesthesia është një sindromë neurologjike që përforcon kujtesën dhe nxënien. Tani shkencëtarët thonë se “të parit me ngjyra” mund të ndihmojë për të mësuar një gjuhë të dytë, raporton BBC.

Ky fenomen neurologjik bën që 4.4% e njerëzve ta përjetojnë botën përreth si një kakofoni ndjesish.  Janë identifikuar 60 lloje të ndryshme të saj, por mund të ketë mbi 100 të tilla ndërsa disa shoqërojnë njëra-tjetrën.

Synaesthesia mendohet se trashëgohet nga tipare që ndikojnë zhvillimin strukturor dhe funksional të trurit. Rritja e ndërveprimit  në zonat ndjesore të trurit do të thotë që fjalët mund të stimulojnë ndjesi,  pikat mes numrave të perceptohen si hapësirë gjeografike dhe prekja e sipërfaqeve të ndryshme të shkaktojë emocione.

Kjo sindromë nuk konsiderohet çrregullim, edhe pse është lidhur me patologji neuro-zhvillimore dhe mendore si autizmi, ankthi dhe skizofrenia, por përshkruhet si “realitet alternativ i perceptueshëm” dhe  mendohet  se është e dobishme.

Smadar Frich ka synaesthesia të tipit ku fjalët kanë ngjyrë, shije dhe tingujt lidhen me ngjyra. Ajo e përshkruan botën e ndjesive përmes podcast-it të saj dhe librit të parë. “Të mësuarit në shkollë për mua ishte përmes ndjesive. Ishte shumë e vështirë të zgjidhja një ekuacion kur ngjyrimi i numrave më shkaktonte një shpërthim halucinant”.

Kjo e bënte që të humbiste përqendrimin dhe të harronte atë që po bënte. “Ndodhte e njëjta gjë me gjuhën”. 

Ajo ishte thuajse në përfundim të gjimnazit kur mësoi për librin “E mërkura është blu” nga Richard Cytowic dhe David Eagleman.

“Mendimi im i parë ishte që e mërkura është portokalli dhe duhej ta blija këtë libër”. Ky moment shënoi  pikën e kthesës. “Më në fund kuptova si truri im funksionon.  Dhe mendova, ky fenomen është  fantastik. Mund t’i përdor ngjyrat që të më ndihmojnë të mësoj dhe jo të më çorientojnë”.

Frisch krijoi një kod ngjyrash që të mësonte gjuhët e huaja shpejt dhe rrjedhshëm. Studimi i tyre nuk ishte më një ngatërresë, por “i organizuar”. “Dhe funksionoi! Gjithë bota ime ndryshoi. Vazhdova të mësoja gjënë ku truri im shkëlqente: gjuhët e huaja”.

Ajo arriti të mësonte frëngjisht dhe spanjisht rrjedhshëm në vetëm 2 muaj. Sot mund të flasë rrjedhshëm 7 gjuhë.

Julia Simner drejton laboratorin Multisense Synaesthesia Research në University of Sussex në Mbretërinë e Bashkuar. Ekipi i saj testoi 6000 fëmijë të moshës 6-10 vjeç.

Fëmijët me synaesthesia kishin më shumë aftësi që mund të ndihmojnë në mësimin e dy gjuhëve. “Ata ishin më të aftë në të folurin receptiv (sa fjalë kuptojnë), të folurin prodhues )sa fjalë thonë), kujtesën afatshkurtër, vëmendjen ndaj detajeve dhe krijimtarisë”.

Sindroma i bën shkronjat që të kujtohen më lehtë. Ngjyrat mund të ‘shpërngulen’ nga një gjuhë te tjetra  duke bërë që fjalët e gjuhës së dytë të mbahen mend.

Ata që kanë synaesthesia i përjetojnë të njëjtat modele me më shumë se një ndjesi, por truri prodhon një sinjal të dytë që i ndihmon ta mbajnë mend.

Personat që mësojnë një gjuhë të dytë pas fëmijërisë së hershme kanë më shumë gjasa që të kenë synaesthesia.

Zakonisht ajo shfaqet në fëmijëri kur fëmija nis të kuptojë botën përreth dhe mëson të flasë, lexojë e shkruajë. Një studim i vitit 2016 nga Kanadaja, SHBA dhe Republika Çeke zbuloi se fëmijët mësojnë të kategorizojnë ngjyrat në moshën 4-7 vjeç, kohë kur nisin edhe të shkruajnë e lexojnë dhe synaesthesia shfaqet rreth moshën 6-vjeçare.

Përtej aftësive që synaesthesia mund të përshfaqë, mund të shkaktojë edhe vështirësi në komunikim dhe teoria se ajo mund të funksionojë si strategji për të lehtësuar mësimin, “mbetet temë debati”, thotë psikologia Lucie Bouvet nga University of Toulouse, Francë./tvklan.al