Ajo që filloi disa vite më parë si një projekt i vogël për një mjet në formë makine që pronarët mund ta ngasin në ujë, tani është kthyer në një përpjekje të madhe.
‘Jetcar Kromh’ u themelua nga një sipërmarrës egjiptian dhe tani automjetet e tij janë shitur globalisht nga Shtetet e Bashkuara deri në Indi.
Me një buxhet prej 50,000 Dollarë në vitin 2019, Karim Amin filloi projektin e tij të vogël për të prodhuar automjete që mund të lëvizin në ujë. Tani ai ka një fabrikë të madhe në Giza të Egjiptit, ku ai prodhon automjetet sipas kërkesës, të kuruara posaçërisht për shijen personale të klientëve të tij.
Shumica e pjesëve të automjetit janë prodhuar në vend, thotë ai. Vetëm motorët janë të importuar nga Japonia dhe modifikohen sipas kërkesave të klientëve.
“Edhe njerëzit më të afërt me ne nuk besojnë se produktet tona janë egjiptiane, të prodhuara nga Egjipti, të gjitha të punuara me dorë. Të gjitha prodhimet tona janë të punuara me dorë, dhe lëndët e para janë gjithashtu vendase. Nuk ka pothuajse asgjë që nuk e bëjmë këtu në fabrikën tonë”, tha Karim Amin.
Karim Amin ka prodhuar mbi 950 makina, shumica e të cilave shiten jashtë vendit.
“Ne eksportojmë në 70 vende, më i madhi prej të cilëve është Amerika, Kanadaja dhe vende në Evropë si Spanja, Franca, Greqia dhe Qiproja, kryesisht në të gjitha vendet buzë detit, ne gjithashtu kemi makina në të gjithë ishujt në mbarë botën”, tha Amin.
Një automjet tani kushton nga 20,000 deri në 40,000 Dollarë, në varësi të specifikave të tij.
Por sa kohë i duhet atij për të prodhuar një automjet të tillë?
“Kjo veturë ka specifika të veçanta dhe ngjyrë të veçantë siç e ka kërkuar një prej klientëve tanë në Amerikë. Prodhimi i tij zgjat nga dy deri në tre javë, dhe natyrisht çdo klient zgjedh ngjyrën dhe formën dhe çdo kërkesë të veçantë – nga brenda dhe jashtë. Konsumatorët mund të zgjedhin gjithashtu llojin e motorit që duan”, tha Amin.
Ëndrra e 33-vjeçarit ishte të shihte automjetet e tij të lundronin në lumin Nil, por tani makinat e tij janë në të gjithë botën.
Klan News