#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar: Mentor Kikia, Ina Zhupa, Toni Gogu, Rudina Koromani, Elvin Luku, Aldor Nini, Berat Buzhala

Më 21 Dhjetor kryeministri i vendit duke marrë shkas dhe nga ngjarjet e fundit kriminale mes adoleshentëve vendosi mbylljen e TikTok. Vendimi i qeverisë bëri bujë të madhe në mediat kombëtare, por dhe në ato botore. Shqipëria bëhet kështu një nga vendet e pakta të botës të cilat kufizojnë aksesin e TikTok. Mbyllja e kësaj platforme ka ngjallur shumë diskutime dhe kundërshti në vendin, për vetë faktin se numri i vendeve të cilat kanë vendosur mbylljen e TikTok janë shumë të pakta. Pikërisht ky vendim i qeverisë diskutohet me panelin e të ftuarve mbrëmjen e kësaj të mërkure në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan.

“Sot është TikTok, pasnesër taktiku”, Zhupa: Rama e kishte ndarë, do ta mbyllte…

Në fund të vitit 2024, kryeministri Edi Rama bëri me dije se në 2025-ën do të hiqet TikTok. Por këtë lëvizje, deputetja demokrate Ina Zhupa e sheh si censurë.

Sipas saj Rama e kishte ndarë mendjen për mbylljen e kësaj platforme dhe donte ta realizonte përmes Komisionit për Dezinformim, por për deputeten ky plan iu prish për shkak të opozitës.

Zhupa tha se TikTok ndikon në fushatë zgjedhore dhe Rama gjeti arsye që ta mbyllte para zgjedhjeve që do të zhvillohen këtë vit.

“Absolutisht pro lirisë, pro medias edhe si kryetare e Komisionit të Medias dhe kundër çdo censure, çdo mbylljeje të çdo mediumi që i jep hapësirë fjalës së lirë. Pse? Sepse nëse ne themi TikTok është pasqyra e një realiteti që nuk na pëlqen, detyra jonë edhe si politikëbërës është jo të thyejmë pasqyrën, por të ndryshojmë realitetin. Pra nëse ne të rinjtë na dalin në TikTok që merren me një gjë apo dy tre gjëra, hajde diskutojmë mbi politikat mbi të rinjtë, mbi arsimin, mbi politikat që duhen në shkollë, jo hajde mbyllim tikTok-un se sot është TikTok-u, nesër është Facebook, pasnesër është “taktiku”, do hapet një rrjet i ri. Nuk zgjidhet. Kjo është censurë për  arsye politike sepse e pa në Rumani, e pa në SHBA që TikTok ndikon në fushatat elektorale. Edi Rama e kishte ndarë që do ta mbyllte TikTok dhe mjeti që do të përdorte ishte komisioni i Braçes për dezinformimin. Kur ai mjet u diskretitua pasi opozita doli gjatë gjithë kohës, gjeti një kazus inekzistent se ju e patë që nuk ishte fare çështja e Martin Canit në TikTok për të arritur në atë objektiv që i duhet për fushatën elektorale”, tha Zhupa.

“Në Snapchat ç’a nuk shikon”, Aldor Nini: Videot dalin në çdo platformë…

Për pak javë pritet mbyllja radikale e TikTok në vend, mirëpo sa efektive do jetë si masë? Sipas drejtuesit të kompanisë Acromax në Shqipëri Aldor Nini, të gjitha platformat janë problematike dhe se materialet që qarkullojnë janë thuajse të njëjta. Ai veçon Snapchatin, që sipas tij përdoret gjerësisht nga adoleshentët dhe ku tashmë është integruar edhe opsioni i videove të shkurtra.

-Po Snapchat-i është popullor në Shqipëri?

Aldor Nini: Shumë, sidomos tek adoleshentët. Për komunikim, adoleshentët e shohin si një mënyrë shumë të sigurtë sepse mesazhet fshihen dhe pastaj nga ana e konsumimit të videove që e ka integruar dhe Snapchati si TikTok-u. Edhe atje ç’a s’shikon!

-Kush është platforma më problematike sipas teje?

Aldor Nini: Të gjitha janë problematike, absolutisht! Këtë e shohim nga kërkimet që bëjmë si kompani për materiale që ne i bllokojmë për arsye të drejtave të autorit. Duke i kërkuar na del çdo lloj videoje tjetër dhe normalisht kemi një lloj eksperience me këto lloj videosh. Unë personalisht, kam këtu dy telefona, të dy adoleshentëve. I kam hapur, kam parë TikTok, Instagram dhe platforma të tjera…Për të thënë të vërtetën, në gjysmë ore, një orë nuk kam parë në TikTok asnjë video problematike. Në Instagram dilnin video normalisht, shorts-at…Në përgjithësi të njëjtat video në çdo platformë. Kështu që pyetja është, ku e kemi nxjerrë ne këtë teorinë?!

-Ka pasur ankesa të vazhdueshme, ka shumë vende të botës që tek TikTok janë fiksuar.

Aldor Nini: Vendimi ku bazohet, në pyetësorin e prindërve që flasin nëpër kafe?!