Një konflikt mes disa adoleshentëve, më konkretisht mes rreth 6-7 personave të përfshirë, ka përfunduar në mënyrë tragjike për një 14 vjeçar. Si pasojë e një goditje me thikë, ai nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve.

Mësohet të kenë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve i transportuar tek Spitali i Trumës dhe një tjetër, i dyshuar si një nga autorët, është transportuar në një spital privat.

“Nga ana e policisë janë shoqëruar persona që kanë qenë dëshmitarë, por edhe persona që kanë marrë pjesë në konflikt. Bëhet fjalë për adoleshentë të shkollës “Fan Noli”. Në prani të psikologut ata do të japin deklaratat”, raportoi gazetari Merin Maçi.

Në vendin e ngjarjes ka ende ekspertë të kriminalistikës për të çuar në zbardhjen e rrethanave të këtij rasti të rëndë.

Deri më tani nuk bëhen me dije arsyet e kësaj zënke. Dyshimet janë për një konflikt banal mes adoleshentësh./tvklan.al