Sërish debat mes palëve politike në Kuvend, pasuar me një tjetër amendament të rrëzuar të PD-së. Nuk është miratuar propozimi për rritjen graduale të buxhetit në Ministrinë e Arsimit në masën 1% të PBB-së.
Në mes të tensionit, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu foli për reformat e qeverisë në këtë fushë. Ajo iu drejtua opozitës duke thënë se nuk “ballafaqohen në këtë mënyrë me dështimet e tyre historike dhe se përgjigjen do e marrin në Maj”.
“E kuptoj që ju vjen keq, e kuptoj që nuk doni të ballafaqoheni me dështimet historike, por nuk ju ndihmojmë dot. Ta kuptojnë dhe qytetarët ku keni rënë, Maji do vijë shpejt dhe do ta kuptoni dhe vetë. Ky Kuvend duhet të jetë vendi ku japim shembullin për fëmijët, jo të përdorim gjuhën e urrejtjes. Nuk do ia dilni dot me mosrespekt me të gjitha këto akuza e përbaltje, nuk ju nxjerrin nga bataku ku keni rënë e do vijoni të jeni. Qetësohuni, flasim për buxhetin e arsimit, në respekt të qytetarëve”, deklaroi Manastirliu.
Teksa kolegët e saj e kanë duartrokitur, pala tjetër ka vijuar me akuzat nga vendi.
/tvklan.al