Për konfliktin e zonjës Kostandina Hasa me babain e saj 88-vjeçar emisioni “Stop” kërkoi të ishte prezent në seancën gjyqësore të 13 Marsit, por gjyqtarja Dorinela Nikolli nuk e pa të arsyeshme, pasi zonja u intimidua.

Gjatë seancës u mor për bazë një ekspertizë mjeko-ligjore, që nuk i është dhënë prokurorisë, por vetë Kostandina ia vuri në dispozicion trupit gjykues. Mjeku ligjor Gjergj Kaçauni, thotë se nuk i kujtohet rasti, por pretendon se ekspertiza nuk ka dalë prej tij.

Mjeko-Ligjori Gjergj Kaçauni: Alo, urdhëro!

Gazetarja: Keni bërë një ekzaminim ndaj shtetases Kostandina Hasa.

Mjeko-Ligjori Gjergj Kaçauni: Po! Shumë ekzaminime, nuk i mbaj mend me emra të gjithë.

Gazetarja: Në datën 25 Shkurt 2025 i keni bërë një ekzaminim Kostandina Hasës dhe vetë pala ka pohuar në gjykatë që aktin e ka marrë dorazi nga ju. Përse nuk e keni depozituar në prokurori këtë aktin ju i nderuar?

Mjeko-Ligjori Gjergj Kaçauni: Po nuk e mbaj mend. Nuk e di moj zonjë, nuk më kujton asgjë, faleminderit! Mirupafshim!

Nga ana tjetër, OPGJ Ledjo Golemi thotë se i ka dorëzuar ai materialet në prokurori, por dokumenti i mjekut ligjor nuk ka dalë gjithashtu prej tij.

OPGJ Ledjo Golemi: Nuk kam informacion për dëshminë, që i është dhënë palës.

Gazetarja: Kush është prokurori i çështjes?

OPGJ Ledjo Golemi: Duhet të interesohem! Unë nuk e di, unë i kam referuar materialet në prokurori, nuk e di kush është prokuror i çështjes.

Gazetarja: Po si i keni referuar çështjet në prokurori ndërkohë që kjo dëshmia mjeko-ligjore është dorëzuar nga vetë pala, nga Kostandina Hasa? Si e keni ruajtur ju sekretin hetimor?

OPGJ Ledjo Golemi: Po çdo njeri ka të drejtë të marrë informacionin te mjeku. Nga ana jonë nuk i është dhënë në asnjë mënyrë qytetares.

Gazetarja: Dhe nga vetë gjyqtarja e pohoi që u vu në dispozicion nga pala, jo nga prokuroria!

OPGJ Ledjo Golemi: As nga ana ime, as nga ana e institucionit nuk e ka marr një dokument të tillë zonja.

Gazetarja: Për cilin institucion e keni fjalën?

OPGJ Ledjo Golemi: Institucioni, ndofta IML-ja, nuk e di! Nuk e di, të lutem Domenika, nga ana ime jo!

Avokati Arben Llangozi shprehet, se gjyqtarja Dorinela Nikolli e kishte paragjykuar çështjen, duke marrë  një vendim në prezencë të parregullsive dhe shkeljeve.

“Manipulim i një ngjarjeje i kryer nga pala paditëse në rastin konkret dhe që i është drejtuar policisë për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes dhe prokurorisë. Kemi disa akte të cilat janë fiktive, të manipuluara me qëllime korruptive. Ne ngritëm pretendime në prokurori që gjyqtarja duhet të bënte kallëzim. Sepse referuar nenit 281 Kodit të procedurës Penale, ka detyrimin të bëjë kallëzimin, kur konstaton një vepër penale. Gjyqtarja as nuk e vuri ujin në zjarr. Ekspertimi mjeko-ligjor që duhet t’i ishte drejtuar prokurorisë e kishte marrë çuditërisht pala në dorë.

Aktet e dosjes hetimore përbëjnë sekret hetimor dhe ato marrin fuqinë e provës vetëm pasi bëhen kontradiktore, por mesa duket gjyqtarja kishte marrë vendimin. E kishte parashikuar çështjen që në momentin e lëshimit të urdhrit të mbrojtjes. Ky gjyqtar nuk mori për bazë dëshmitarët okularë të asaj ngjarjeje dhe faktin se kush ka qenë dhunuesi. Unë vlerësoj që ky vendim jo vetëm që do të ankimohet, por do të merren masa për kallëzim penal ndaj gjyqtares e cila nuk ka kallëzuar në rastin konkret një mjek ligjor që jep aktet lart e poshtë, e pranuar nga vetë pala në proces, që ka thënë aktin e ekspertimit mua ma ka dhënë mjeku ligjor”, tha avokati./tvklan.al