Donald Trump dhe Vladimir Putin do të flasin në telefon të Martën, me temë kryesore armëpushimin në Ukrainë dhe marrëveshjen e paqes. Shtëpia e Bardhë tha se “kurrë nuk kemi qenë më afër paqes se në këtë çast”. Sipas Sekretares së Shtypit Karoline Leavitt, “presidenti është i vendosur”.

“Ka një termocentral në kufirin midis Rusisë dhe Ukrainës, i cili do të jetë temë diskutimi me ukrainasit dhe gjithashtu Presidenti Trump do ta adresojë atë në telefonatën me presidentin rus Vladimir Putin.”

Shtëpia e Bardhë nuk dha shumë detaje, duket se si presidenti ashtu dhe Sekretarja e Shtypit i referohen centralit bërthamor Zaporizhzhia, centrali më i madh bërthamor në Europë, i pushtuar nga Rusia. Duke iu përgjigjur një pyetjeje tjetër mbi diskutimet e Trumpit me Putinin, zëdhënësja shtoi se ato janë përqendruar rreth “aseteve” dhe se si qeveria e Kievit ashtu dhe presidenti Zelensky janë “të angazhuar” dhe konsultuar.

Më herët, vetë presidenti Donald Trump u tha gazetarëve në bordin e avionit “Air Force One” gjatë fluturimit nga Florida në Washington se do të flasë me presidentin rus Putin dhe do të diskutojë përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Është bërë shumë punë gjatë fundjavës. Ne duam të shohim nëse mund ta çojmë deri në fund atë luftë. Ndoshta mundemi, ndoshta nuk mundemi, por unë mendoj se kemi një shans shumë të mirë.”

Trump po përpiqet të fitojë mbështetjen e Putinit për një armëpushim 30-ditor të cilin Ukraina e pranoi javën e kaluar. Ndërkohë forcat ukrainase janë tërhequr tërësisht nga rajoni perëndimor rus Kursk, një parakusht ky i Rusisë për të pranuar armëpushimin. Presion nga Franca! Presidenti Emmanuel Macron, tha se tani është koha e duhur për plan konkret paqeje “me të gjithë partnerët tanë”. Macron thekson gjithashtu nevojën për “garanci të forta sigurie për Ukrainën” dhe një paqe të qëndrueshme të sigurt në Ukrainë dhe Europë.

Ndërkohë, Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së Kaja Kallas thotë se Rusisë “nuk mund t’i besohet” dhe topi është në fushën e saj, pas bisedimeve për Ukrainën me vendet anëtare në Bruksel.

Klan News