Sot festohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit duke kujtuar të gjithë arsimtarët në mabrë trevat shqiptare. Shkollat dhe universitetet nderojnë figurën e mësuesit, ndërsa për të gjithë ata që nuk janë më në banka, kujtojnë me nostalgji mësuesin e parë apo të tjerë përgjatë rrugës që i mbajnë ende në zemër.
Edhe mësuesit ruajnë shumë kujtime me nxënësit dhe i gëzohen çdo rasti kur ia kanë dalë të lënë gjurmë përmes profesionalizmit dhe personalitetit të tyre. Diana Ramizi, një mësuese tashmë në pension ndan me “Aldo Morning Show” në Tv Klan përvojën e saj me nxënësit.
Ajo ka ushtruar profesionin në Peshkopi për 13 vjet dhe pas viteve ’90, erdhi në Tiranë. Sfidat nuk mungonin, por pasioni ishte më i fortë. Diana ndan edhe një kujtim shumë të bukur me ish-nxënësit.
Diana Ramizi: Unë kam punuar mësuese atje edhe në gjimnaz. E kam filluar në Sllovë. Ata ishin nxënës shumë të mirë, shumë të dashur, më pëlqenin.
Aldo: Përveç nxënësve ka qenë një sakrificë e jashtëzakonshme.
Diana Ramizi: Sigurisht. Nga Tirana, mua më emëruar në Peshkopi, Peshkopia më çoi në Sllovë, ishte e vështirë.
Aldo: Domethënë se e thua meqë ka kaluar tani…
Diana Ramizi: Tani ke nostalgji për ditët që ikin.
Aldo: Çfarë të ka ngelur nga ajo periudhë, i ke takuar nxënësit e tu më vonë?
Diana Ramizi: Shumë, para 2 vjetësh u bë 50-vjetori i një shkolle në Peshkopi, më ftuan dhe e ndieva veten shumë të lumtur. Drejtori i shkollës, një ish-nxënësi im në klasën time të parë kujdestari. Më ftoi personalisht, “zysh Diana, duhet të jesh patjetër”.
Aldo: Për një mësues të asaj kohe, nga Peshkopia në Tiranë, ishte ndryshim i madh besoj?
Diana Ramizi: Jo. Nxënësit ishin shumë arsimdashës, mua më pëlqente, punoja me pasion, matematika është lëndë e bukur, e vështirë, por ka atë adrenalinën e vet. Një mësues që di të komunikojë dhe të krijojë afërsinë dhe ngrohtësinë në klasë, bën që edhe ai që është nxënës që s’e ka qejf matematikën, fillon të punojë diçka, t’i afrohesh, pse jo, t’i ulesh edhe në bankë afër, t’i japësh një ushtrim që ai di ta bëjë, ta stimulosh, gjithkush e kërkon atë stimulin.
“Nënë e dytë” është një togfjalësh që e dëgjojmë shpesh kur i referohemi mësueseve dhe Diana e pohon me plot gojën.
“Mësuesi është…ajo fjala nënë e dytë, nuk mund të thuash jo. Kam pasur shumë nxënës që shumë gjëra nuk ua thoshin prindërve dhe ngaqë ti krijon afrimitet, vjen e ta thotë ty”.
Për të rinjtë që synojnë gjithnjë të zgjedhin degë të tjera apo të shkojnë jashtë vendit, ajo i këshillon që mos ta lënë mënjanë mësuesinë. Përtej lodhjes, Diana e sheh si një profesion që s’e ndien kurrë plakjen duke ndarë edhe një tjetër lajm të gëzueshëm.
Diana Ramizi: Të shkojnë mësuesi. Është e bukur. Të mban gjithmonë të re sepse ke gjithmonë breza të rinj, ikën një brez, vjen një tjetër. Të duket vetja gjithmonë e re me këta breza të rinj. Nuk e ndien plakjen.
Aldo: Kur të vjen ai pas 20 viteve që ti s’e njeh fare…
Diana Ramizi: Ah, sa bukur është!
Aldo: Sa bukur është, por si u plakëm kështu!
Diana Ramizi: Jo, është bukur. Të dielën jam e ftuar nga ish-nxënësja ime që kam pasur në Peshkopi te klasa ime e parë kujdestari sepse ajo bën 60-vjetorin.
Aldo: Çfarë thua?
Diana Ramizi: Po dhe më morën në telefon, jo vetë ajo por të tjerë, më thanë “zysh Diana, do të festojë 60-vjetorin, ia kemi bërë surprizë, je e ftuar”. Unë?, thashë. “Po”, thanë./tvklan.al