Ish-deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka ka hedhur akuza ndaj qeverisë Rama për aktin normativ anti-KÇK, që synon goditjen e krimit të organizuar.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Noka tha se Operacioni Forca e Ligjit “nuk zbatohet për miqtë trafikantë të vëllait të Kryeministrit Edi Rama”, por bëhet për show mediatik.

“Edi Rama është i pafuqishëm për të luftuar krimin e organizuar, sepse ai është vetë krimi i organizuar. Me pasuritë e trafikantëve të drogës, Edi Rama ka lidhur pushtetin dhe pasurimin e paligjshëm të tij dhe të familjes së tij. Në vend të show-t qesharak dhe turizmit policor nga një qytet në tjetrin, e ashtuquajtura Forca e Ligjit mund të bënte shumë punë në Tiranë me trafikantët e drogës në miqësi dhe në biznes me vëllanë e kryeministrit. Pasuritë e Ermal Hoxhës, bashkëpunëtorit të Olsi Ramës për ngritjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë, nuk duhet të mbeten të paprekshme. Financieri i grupit të strukturuar kriminal, që, menjëherë pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, ngriti laboratorin e parë të kokainës në Shqipëri, nuk duhet të ketë mbrojtjen e Olsi Ramës nga ligji i Edi Ramës. Fatkeqësisht, rastet si ky i Ermal Hoxhës, Saimir Tahirit apo Taulant Ballës me mikun e tij trafikant droge, që merr tendera publikë tregojnë sesa thellë e ka kriminalizuar Edi Rama politikën dhe vendimmarrjen”, tha ndër të tjera ish-deputeti i PD Flamur Noka. /tvklan.al