Asnjë ndryshim në shëndetin e Papës. Vatikani tha të martën pasdite se Ati i Shenjtë vijon të luftojë me një pneumoni të dyfishtë, e mbetet në gjendje kritike për jetën për të 4-ën ditë radhazi, por i qëndrueshëm dhe pa kriza në frymëmarrje.
Papa 88-vjeçar po kalon natën e tij të 12-të në spitalin Gemelli të Romës, qëndrimi më i gjatë në spital gjatë papatit të tij.
“Kushtet klinike të Atit të Shenjtë mbeten kritike, por të qëndrueshme”, thuhet në përditësimin e fundit shëndetësor.
Parametrat e tij hemodinamikë, një masë e funksionimit të sistemit të qarkullimit të gjakut janë gjithashtu “të qëndrueshëm”.
Besimtarët u mblodhën sërish në sheshin Shën Pjetri dhe jashtë spitalit Gemelli.
“Vazhdojmë të shpresojmë se shëndeti i tij do të përmirësohet. Kemi ardhur këtu për të tërhequr vëmendjen për shëndetin e Papës, për t’i qëndruar pranë dhe për t’i uruar një shërim të shpejtë”, tha Francesco Spizzirri, besimtar.
Papa ka takuar klerikë të lartë në spital për të diskutuar çështjet e punës, Sekretarin e Shtetit, Kardinalin Pietro Parolin dhe zëvendësin e tij, tha Vatikani të martën. Një zyrtar tha se Papa po ha normalisht dhe po lëviz.
Një burim që nuk pranoi të identifikohet, i tha agjencisë Reuters se klerikët diskutuan disa çështje në pritje për shenjtërim dhe gjithashtu emërime të reja që do të kenë nevojë për miratimin e Papës.
Klan News