Një kthesë e menjëhershme nga Britania, bashkëpunimi SHBA-Rusi e detyron të armatoset më shumë.

Kryeministri Keir Starmer i tha parlamentit të martën se do të rrisë shpenzimet vjetore të mbrojtjes në 2.5% të PBB-së deri në vitin 2027 dhe në 3% deri në vitin 2030, një sinjal ky për Presidentin amerikan Donald Trump se Britania mund të rrisë sigurinë e Europës dhe ndihmën për Ukrainën.

Në prag të takimit me Trumpin në Washington, Starmer i tha parlamentit se po i rrit shpenzimet e mbrojtjes për t’i ofruar Europës më shumë mbështetje.

 “Duke filluar nga sot, mund të njoftoj se kjo qeveri do të fillojë rritjen më të madhe e të qëndrueshme të shpenzimeve të mbrojtjes që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Kombinuar me shpenzimet për shërbimet e zbulimit, buxheti i mbrojtjes do të arrijë në 2.6% të Prodhimit të Brendshëm bruto brenda vitit 2027”, tha Kryeministri britanik Keir Starmer.

Për të mbuluar këto shpenzime për mbrojtjen, Britania do të shkurtojë me 40% ndihmën e huaj, një vendim i dhimbshëm sipas Kryeministrit Starmer, por i nevojshëm për t’i ofruar Ukrainës dhe Europës mbështetje në një “epokë të re”.

“Ne duhet të shkojmë akoma më tej. Unë kam argumentuar prej kohësh se të gjithë aleatët europianë duhet të rriten dhe të bëjnë më shumë për mbrojtjen”, tha Kryeministri britanik.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegsethe përshëndeti menjëherë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen nga Britania pasi foli me homologun John Healey.

Starmer tha në një konferencë të mëvonshme shtypi se paratë shtesë do të ndihmojnë ringjalljen e bazës industriale të Britanisë, krijimin e vendeve të punës dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

Pasi të kthehet nga Washingtoni, Kryeministri britanik tha se do të presë në Londër gjatë fundjavës disa udhëheqës botërorë për të vazhduar diskutimet mbi Ukrainën. Starmer tha gjithashtu se kishte folur me Presidentin francez Emanuel Macron më herët.

Klan News